Cikël poetik nga Sazan Goliku
NDOSHTA
Mami me bluxhinse të çjerra në gjunjë
ecën krenare duke shtyrë karrocën me vajzën një vjeçe e gjysmë.
Vajza nuk ka në duar kukull prej lecke made in stërgjyshja
si të Agnes Samsonit që e dogjën të gjallë në turrën e druve.
Ajo mban në duar një I-Pad, ka në duar botën por jo veten.
Me se do të luaj pas njëzet vjetësh?
A do të bëjë si e ëma dashuri?
A do t’i vuajë dhembjet nga lindja e foshnjave?
Ndoshta do të lindë në ndonjë anije sferike në kozmos!
Ndoshta do të bëhet një Nënë Terezë e re…
dhe ndoshtat nuk kanë fund.
15.1.2022
ZILI
Diçka e vogël e padukshme si krimbat e mishit,
gërryese si guri smeril që ha së pari atë që e ka,
një ndjenjë e verdhë bëhet e kuqe dhe të helmon gjakun.
Ata që nuk e kanë zilinë në tru ajo për ta nuk ekziston
edhe pse nuk kanë bërë në shpirt vaksinën kundërzili.
Zilarët brejnë e ushqehen me plehrat e pandërgjegjes së botës.
12.11.2021
SHPIRTËZIM
Ulërima e pyllit u përplas te retë e nxira,
retë ia përcollën qiellit si valë të dhëmbëzuara
qielli ua dhuroi yjeve.
Lotët e drurëve të prerë
u përthithën nga shkretëtira e së nesërmes.
27.11.2021
GUXIMI
(Këngë për Vasil Laçin)
Prush në zemër, zjarr në dorë
një djalosh – mbi perandor.
Zemërimi ngrihet mal,
deti ngrihet valë valë.
Mbi Piqeras qajnë yjet,
nëpër male dridhen pyjet.
Ndriçon emri trimëror
për Vasilin tonë dëshmor.
Gdhënden fjalët e lavdisë
për Vasilin e lirisë.
OBELISK
Kur nis të shkruash për dëshmorët
pena nis të pikojë gjak.
Kur shohim fotot e dëshmorëve,
rreze drite shpërthejnë sytë e tyre.
Kur përkulemi mbi mermerin e varreve,
prej tyre çelin lulet e pranverës.
Kur mjergulla e harresës na përmbyt zemrat,
ne harrojmë që jemi ç’ka jemi.
5.5.2021
GJENETISTJA
R. Frenklinit
Një trëndafil i bardhë rrezaton
në gjysmerrësirën e laboratorëve.
Rozalinda, Rozalinda – moj shenjtore e pa fe.
Harrove veten, u krodhe në lumin e rrezeve…
gjete sekretin mbi sekrete –
rrënjët misterioze të ADN-së
dhe mbete trëndafil i bardhë i pavyshkur, i harruar
në vorbullat e egoizmit hileqar.
13.6.2021
SALAMANDRA
Dimri i egër i gjatë… së fundi
ngordhi.
Salamandra e vockël mes akullit të trashë…
u ringjall.
Dhe nuk është Jezu Krisht!
“Është bija ime! – më pëshpëriti në ëndërr
Nëna Natyrë.
PREDIKIM HERETIK
Mashtrimi i parë dhe vetëmashtrimi i funditi nis me besimin:
për atë që nuk e ke prekur kurrë dhe kurrë nuk ke për ta prekur,
për atë që njeriu e ka vetëkrijuar,
për t’u bindur me vetëmashtrimin.
Dhe mosbesimi e bëri Njeri
të tallet me veten.
Ashtu qoftë!