Ilir Levonja: E shkuara që akoma vret
Në një market lagjeje, ku shiten edhe libra, pashë një grua që i bërtiste zonjës në banak. A e di se kush është ky? Më ka vrarë të gjithë familjen, m’i vrau e m’i zhduku. Sot jam e vetme këtu, e vetme. Një e arratisur me turmën. Nuk ma hap kush derën. Nuk më merr kush në telefon. Ky është një ndyrësirë. Një farë e keqe për njerëzimin. Dhe ju e publikoni, e shisni, thoshte ajo. Tunde në ajër një libër, por tjetra përballë mblodhi supet. Me një durim të kulluar ia ktheu se ndjente keqardhje për familjen e saj të humbur. Se do ia përcillte mesazhin atyre që kishte mbi krye etj. Por gruaja nuk u mjaftua me aq, i kërkoi numrin e telefonit të bordit të kompanisë, la librin në banak dhe doli kaq e lodhur, kaq me lot, plot me gulçe dhe humbi përjashta në të përditshmen tonë. U bëra kureshtar dhe u afrova. Gruaja e banakut hoqi kopjet nga vitrina. Bëhej fjalë për një libër enciklpodei mbi 25 emra që i kishin dhënë si të thuash fytyrën shtetit të Floridës. Aty kishte plot personalitete, bamirës t; mëdhenj në shtrirjen e rrjetit rrugor. Si rasti i Barron Collier (1873-1939) i cili kur qarku ku ai banonte nuk kishte fonde për të përfunduar pjesën që i takonte, ashtu siç kishin bërë qarqet e tjerë, ai i tha qytetit ja ku i keni paratë. Rruga u bë, është edhe sot, një nyje që lidh Tampan me Miamin, ose Tamiami Trail. Apo si i riu Xhorxh Uashington Jenkis (1907-1996) që ngriti rrjetin e supermarketeve Publix., etj., deri tek fiset autoktone indiane. Çfarë e irritoi gruan qe përfshirja e të ashtuqujtuarit liderit kubanez, Fidel Kastro. I hodha një sy përciptas. Dhe vura re se Fideli qe përfshirë aty thjesht si faktori që ngriti në mes të Miamit një tjetër qytet, Havanën e vogël (Litle Havana). Sot Havana e vogël është me pak fjalë një nga përfaqësuesit e më të mirës së gjenalogjisë kubane për faktin e një atdheu të munguar të emigrantëve. Havava e vogël është pikërisht Kuba e lirë me të gjithë sharmin e saj nga fabrikat e purove, muzika dhe më e rendësishmja, streha e emigrantëve. Aty nisin jetën amerikane jo më vetëm kubanezët, por edhe ata nga Hondurrasi, Nikaragua, Panamaja, Venezuela, thuajse gjithë të ardhurit nga Amerika Latine. Pra shkaku ku i ekzistencës së kësaj Havanës në mes të Majemit është pikërisht Fidel Kastro dhe regjimi i tij. Eksodi i madh kubanez nga reprezaljet dhe dëbimet e vitit 1963. Megjithatë, edhe pse fakt historik është i shëmtuar, prapë të dhëmb kur dëgjon e shikon se si një grua qan e këlthet krejt e vetmuar në një botë të madhe. Ajo ka tashmë lirë e saj si person, por jo atë shpirtërore. Kurrë nuk mund ta kuptojmë dot dhimbjen e saj. Krahas faktit që m’u duk si një personazh pavionesh të sëmurish mendor, ndjeva edhe respekt për dhimbjen e saj. Paralelisht m’u kujtuan firot njerëzore nga diktatura e vendit tim. Edhe unë vi nga një vend me regjim kokë më kokë si ai Fidelit. Me të zhdukur, me të varur, burgosur e internuar. Ndryshe nga Kuba sot, ne jemi hapur. Megjithatë të dërrmon fakti i një ndarje publike me të kaluarën. Dosjet kurrë nuk u hapën. Ndjesa publike kurrë nuk u dëgjua. Për më keq akoma, pinjollët e xhelatëve votohen dhe qeverisin. Mbase diku, dikund edhe ndonjë shqiptar(e), i këlthet tek e fundit ndonjë librashitësi në botë, për ndonjë botim mbi Enverin. Them nëpër botë se në Shqipëri çdo gjë ka mbaruar, në Shqipëri kanë filluar ta lavdërojnë.