Miho Gjini: ME PIQERASIN NË ZEMRAT TONA…
Jemi shpërndarë nëpër BOTË! Kemi lënë atë çikë fshat, të lakmuar për turistë që vijnë nga e gjithë bota. Ikëm nga Piqerasi që na lindi e rriti, lamë aty ca pleq e plaka, rrugicat me kalldrëm, ullinjtë dhe agrumet, muret e shtëpive, plazhet e virgjëra, manastirin mbi kodrinë dhe varrezat e të parëve. Dhe morëm udhët e kurbetit, që nga Australia e gjer ne Islandë e në afërsi të Alaskës, pranë Polit të Veriut! Po shpirtin këtu e lamë. Për t’u rikthyer ndonjë ditë. Po kur?!
Këtë bisedë të trishtuar kishim zënë sot me Spiro Kondin e Kiço Qendron që kishin ardhur në shtëpinë time për vizitë, pasi kisha dalur nga Spitali i Athinës prej goditjes së lehtë cerebrale që pata. Dhe ma mbushën shtëpinë me gëzim këta bashkëfshatarë të mirë që, edhe ata përgjërohen për fshatin e tyre të braktisur. Po më sollën një kalendar të vitit që hyri me pamje të Piqerasit dhe unë u dhurova atyre Guidën Turistike për Piqerasin me 160 fotografi me llustër, në shqip e anglisht. E ja tek jemi që të tre dhe na duket sikur Piqerasin e kemi me vete, bashkë me shpirtin tonë. Spiroja ka fiksuar në qendër Manastirin 500 vjeçat të Kremesovës, pamjen e fshatit nga kambanorja e manastirit , si edhe një shkëmb nga të Bunecit që e rrahin dallgët. E biseda rrjedh si e do shpirti brenda, tek hallet e brengat e fshatarëve tanë, tek shkatërrimi i pronave në tërësi e mos-hipotekimi i tyre i habitshëm, E vajti gjuha në traditat e mira të piqerasiotëve, qytetërimi i tye, te kultura e humori që bëhej në ditët e mira e festat e shënjta, që më pas morrën tatëpjetën, për varfërimin e kulturës së ullirit e shumë herë për plaçkitjet e prerjet e tyre të rënda nga elementi keqbërës, për abandonimin e agrumeve, për ujët e dritat e pastibilizuara në më shume se gjysmën e shekullit, kur rrjeti shpërndarës i tyre është i tejkonsumuar!! Dhe për ikjet e shumta. Për bijtë tanë nëpër Europë. A do të rrikthehen vallë? Kiçoja ka tre nga fëmijët në Francë, ndërsa tjetrin në Arabinë Saudite, ndërsa vetë ka mbetur në Athinë me atë qenushin e bukur që ka dalur në fotografi tek Kulla Ejfel e Parisit. Spiroja ka ne Angli djalin e vetëm, po edhe une çupën time. Kurse djalin e kam në Gjermani. Rrekemi tu mbushim mendjen që të rrikthehen. Po ata na thonë se, pas tye do vejë edhe e gjithë Shqipëria në Europë!…s e ata kanë vajtur aty si “dallandyshet e para” e të tjera si këto, kur gjendja tek ne është ende e pastabilizuar… pa do të kthehemi një ditë….
Me këto biseda, e me nga një gotë “raki piqerasi” ikin edhe dy orë të tëra, si pa u kuptuar, me atë humor të këndshëm që di të bëjë vetëm Spiro Kondi, i biri i “Orakullit” të Piqerasit LEKO KONDI që afroi shekullin me jetën e tijë prej njeriu të mençur e hokatar, prej rapsodi popullor të mëvetshëm e rrëfyes i bëmave të shkuara të historisë. Dhe përsëri, që të tre e kemi shpirtin të lënduar që vërtet kemi ikur nga fshati ynë, po mbetëm si në ajër, as andej, as këndej e as përtej, nëpër “Udhët e BOTËS”!
Athinë, 20 janar 2022.
Please follow and like us: