VIDEO-AMBASADORI AMERIKAN: KOSOVA KA ARRITUR SHUMË PËR KËTO 13 VJET
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Jeff Hovenier thotë se Kosova dhe historia e saj nuk është e panjohur për të.
Ai nëpërmjet një video-mesazhi ka treguar për angazhimin e tij politik në të kaluarën dhe lidhjet që ka me rrugëtimin e Kosovës drejtë lirisë dhe pavarësisë së saj.
Ai tha se të arriturat e Kosovës përgjatë 13 viteve janë mrekulli. Megjithatë ai është zotuar edhe për punët që do të bëjë në Kosovë si ambasador.
Fjalimi i plotë i ambasadorit Hovenier:
Përshëndetje! Unë jam Jeff Hovenier, ambasadori i ri amerikan në Kosovë /Unë sapo kam ardhur në Prishtinë dhe së shpejti do të më bashkohet edhe gruaja ime Laura..
Jam i përulur nga besimi që presidenti Bajden dhe sekretari Blinken ma kanë dhënë për të udhëhequr misionin e SHBA-së në Kosovë për të vazhduar punën e tij të rëndësishme në forcimin e lidhjeve tashmë të forta ndërmjet dy vendeve tona.
Kosova dhe historia e saj nuk janë të panjohura për mua. Gjatë dekadave të fundit, së bashku me kolegët e mi, kam pasur nderin që në funksione të ndryshme të përfaqësoj interesat e SHBA-së në mbrojtjen e popullit të Kosovës, sovranitetit dhe pavarësisë së saj. Në shumë mënyra, unë mishëroj përkushtimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës përgjatë dekadave ndaj juve dhe vendit tuaj.
Në vitin 1999, përderisa po punoja në misionin e SHBA-së në OSBE, shërbeva si pjesëtar i delegacionit amerikan në procesin e Rambujesë.
Gjithashtu, në vitin 2006, kam qenë në ekipin e OKB-së, të udhëhequr nga i dërguari i posaçëm, Marti Ahtisari, që ishte përgjegjës për negociatat për status.
Më vonë gjatë karrierës sime, në Këshillin Kombëtar të Sigurisë së Shtëpisë së Bardhë, kam punuar në politikat e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, përfshirë ato për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Bashkëshortja ime dhe unë, bashkë me vajzën tonë më të vogël, Julia, për herë të fundit e vizituam Prishtinën në 2018-n, përderisa Kosova po e festonte 10-vjetorin e pavarësisë.
Edhe pse jam krenar për rolin që e kam luajtur në mbështetjen e popullit të Kosovës, jam edhe më i ngazëllyer se cka mund të arrijmë së bashku për të ardhmen e Kosovës. Të arriturat e Kosovës përgjatë 13 viteve të shkurta janë thjeshtë mrekulli, një demokraci e gjallë, ekonomi e aftë si dhe lidershipin që Kosova e përçon përtej kufijve të saj. Megjithatë, ende ka punë të pakryera. Ja premtimi im para jush, duke punuar me udhëheqësit qeveritarë, aktivistët e shoqërisë civile dhe gjithë popullin e Kosovës, ekipi im dhe unë do të vazhdojmë të avokojmë për interesat dhe vizionin tonë të përbashkët. Një Kosovë plotësisht të angazhuar dhe të integruar në rajon dhe në institucionet evropiane dhe euro-atlantike me marrëdhënie të përmirësuar dhe të normalizuar me fqinjët e saj.
E dyta është një Kosovë me institucione publike të qëndrueshme, të besueshme dhe efikase që ofrojnë të drejtat dhe liritë e të gjithë kosovarëve dhe e treta është për një Kosovë me ekonomi të qëndrueshme, dinamike që tërheq investime , mbron mjedisin dhe mban në vend talentin inovativ.
https://www.facebook.com/watch/?ref=external&v=1125320801537160