Ilir Levonja: Ndërmarrjet politike shqiptare
Gjykata Kushtetuese nuk e ka shpallur akoma vendimin se duhet shkarkuar apo jo, Presidenti i Shqipërisë? E kishte për t’u mbledhur më 18 janar, për shkak të Covid-19, u tërhoq. Mbledhja e radhës është më 1 shkurt 2022, ora 10 e mëngjesit. Pra, Gjykata nuk ka folur, ndërsa Edi Rama urdhëron grupin parlamentar që të fillojnë nga puna për zgjedhjen e presidentit të ri. Madje me afat, brenda prillit, shqiptarët meritojnë një President normal, thotë ai. Bile, biles, u sugjeron edhe seksin, si preferencë e tij, që mund të jetë edhe grua. Jepini vetë shpjegimin se çfarë domethënie ka kjo fushatë përpara vendimit që duhet të marrë Gjykata Kushtetuese. Ndaj mos prisni drejtësi të pavarur apo institucione të pavarura. Kur thotë një president normal, përdor llogjikën e budallait se Presidentin anormal nuk e zgjodhën shqiptarët, por ai vet. Ai dhe lali Eri, në drekën e famshe me ngjala.
Pra, Presidenti aktual nuk është vullnet i shqiptarëve, por i tij. Eshtë ai ekuivok kushtetues të cilin vullneti i shqiptarëve ka kohë që kërkon ta ndryshojë duke bërë të mundur që Presidenti të zgjidhet me votë popullore, jo parlamentare. Ose të gjendet një rrugë e mesme ku emri të mos ketë të bëj fare me politikën por me profilin e lartë social. Kështu mund të ofrojmë një garant kushtetues. Dhe jo një emër puro politik që në mëngjes është normal dhe në darkë anormal. Do ndryshuar Kushtetuta? Po, patjetër. Por partitë shqiptare nuk duan. E kanë si xhol të luajnë me Presidentin. Po të kujtoheni, ka qënë gjithmonë një krizë parlamentare, deri sa u shëmb numri 84, me ndryshim Kushtetute, Presidenti mund të zgjidhet tashmë edhe me një shumicë të thjeshtë. Gjithsesi ishte një ndryshim kushtetues për të ruajtur dhe fuqizuar po partitë politike. Sidomos PS dhe PD, jo për të fuqizuar votën e shqiptarëve.
Ndaj sot Shqipëria nuk ka më parti politike, por dy ndërmarrje shtetërore me drejtorë privatë. Ata vetëm urdhërojnë ndërsa vota është një instrument formal dhe gjoja demokratik. Se për mua Presidenti aktual duhej të ishte vetshkarkuar, mbas premtimit që bëri për zgjedhjet e 25 prillit, ku bëri një opozitë reale në raport me Lulzim Bashën, duhej të ishte vetshkarkuar. Tha që do fitojmë në mënyrë plebishitare, po nuk fituam unë dorëhiqem. Dhe nuk fitoj, kështu që duhej ta kishte dhënë dorëheqjen me kohë edhe për faktin se është pro zgjedhjes së Presidentit nga shqiptarët dhe jo nga ndërrmarrjet politike shqiptare. Nuk e mbajti fjalën. Sipas tij ka bërë një betim kushtetues, sipas meje ka bërë dhe po bën një luftë qokash në raportin dhe kontekstin e politikës së dështuar, tanimë, prej 31 vitesh në demokracinë tonë. Dhe keqardhja është një konstatim fare i thjeshtë, ndërrmarjet politike shqiptare hapin fronte pune për debate kombëtare, dëmet e tërmetit i riparon Turqia, dëmet e covid-it europa, kurse mbrojtjen territoriale Nato dhe magazinat e Amerikës. Eshtë kjo arsyeja që 40% e shqiptarëve janë sot në emigrim dhe se në 2030 kjo shifër mund të shkoj në 70%.