Procesi europian i mirëkuptimit – çelës i afrimit mes Shkupit e Sofjes
Vend për hezitim dhe humbje kohe nuk ka, prandaj Maqedonia e Veiut dhe Bullgaria duhet sa më parë të bëhen bashkët në përpjekjet për të gjetur një gjuhë të qartë mirëkuptimi, në një proces që do të monitorohej nga BE, Washingtoni dhe OKB.
Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria duhet sa më parë ta rikthejnë agjendën e mirëkuptimit reciprok në një proces politik, i ndihmuar nga Washingtoni, Brukseli dhe OKB, i cili do t’i largonte mjegullat e historisë nga tryeza e negociatave. Nuk ka zgjidhje të mosmarrëveshjeve me formula historike të shek. 19, për arsye se tani jetojmë në një realitet të ri, politik, social e ekonomik, ku gjeopolitika e re nuk shkon bashkë me hisorinë e vjetër.
Shtetet e rajonit tani kanë arritur t’i përshtaten një harte të re gjeopolitike, pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe sot kemi komplet një realitet të ri. Maqedonia është e pavarur, Kosova gjithashtu, ndërkohë që Bullgaria e Serbia duhet ta pranojnë dhe respektojnë këtë realitet. Por edhe elitat politike në Prishtinë, Beograd, Sofje dhe në Shkup duhet të bëjnë përpjekje maksimale që të lirohen nga grackat e vijave të kuqe që vijnë si pasojë e qasjes historiciste e egocentrike të problemeve.
Në radhë të parë, duhet hequr dorë nga praktika e demoduar e formimit të komisoneve të historisë, dhe së dyti urgjentisht duhet anuluar rezolutat e Bullagaris dhe Maqedonisë së Veriut, të miratuara kohë më parë nga parakementet ekëtyre dy shteteve, e të cilat ishin të motivuara gabimisht nga një frymë retrograde që tani po kërkon largimin e trupave të NATO-s nga kjo pjesë e Ballkanit.
Sofja dhe Shkupi kanë nevojë për proces mirëkuptimi i cili do të ndihmohej nga BE dhe nga Washingtoni, por edhe nga OKB, ku në qendër të interesimit do të ishte jo e shkuara por e ardhmja e popujve të këtyre dy shteteve.
Rajoni gjeografikisht dhe kulturalisht i takon Evropës dhe Perëndimit në përgjithësi, prandaj Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut duhet ta kuptojnë se çdo vonesë e tyre në procesin eurointegrues inkurajon thirrjet absurde për ta larguar NATO-n nga Ballkani.
Kriza e tanishme dhe vringëllima e armëve në kufinjt e Ukrainës, në një të ardhme jo të largët mund të rrëshqet edhe në rajonin e Ballkanit, por kjo do të mund të parandalohej nëse elitat politike në Sofje dhe në Shkup e lexojnë drejt mesazhin kërcënues që vjen nga krijimi i “tampon zonave” nga mosprezenca e trupave të NATO-s dhe nga proceset e vonuara eurointegruese.
Në Maqedoninë e Veriut dhe në Bullgari ka aq frymë të mjaftueshme properendimore, e cila do të shërbente si ventilim të proceseve pozitive për të ardhmen e popujve të këtyre dy vendeve. Çdo qasje tjetër që nuk e ka këtë frymë, do të ishte një kthim prapa, kurse kërcënimi i paqës dhe stabilitetit rajonal mund të bëhet pjesë e manualeve ushtarake të Kremlinit.
Nuk guxojmë as të mendojmë se jemi aq të paaftë ta kuptojmë se, me këto obstruksione që po bëhen në marrëdhëniet aktuale bullgaro-maqedonase, në cilin manual duan të na e mbyllin ardhmërinë tonë!
Vend për hezitim dhe humbje kohe nuk ka, prandaj Maqedonia e Veiut dhe Bullgaria duhet sa më parë të bëhen bashkët në përpjekjet për të gjetur një gjuhë të qartë mirëkuptimi, në një proces që do të monitorohej nga BE, Washingtoni dhe OKB.
*Autori është drejtor i INSTITUTIT TË TRASHËGIMISË SHPIRTËRORE DHE KULTURORE TË SHQIPTARËVE në Shkup