Kaligrafia Arabe, më në fund si “Trashëgimi Kulturore e Njerëzimit”
(Senad Guraziu – ars poetica, j 22)
Vitin e kaluar (2021) nga UNESCO edhe “Kaligrafia Arabe” u regjistrua në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.
Në njëfarë mënyre s’e “kuptoj” përse u desh të pritej viti 2021, kur bie fjala kaligrafia kineze qe regjistruar që në v. 2009, ajo mongoleze në v. 2013 etj. Apo ndoshta kur është fjala për aplikim nga 15-16 shtete dhe lloj-lloj pretendimesh rreth origjinalitetit, s’do jetë aq e lehtë t’merren vendime, padyshim puna do jetë më “komplekse” dhe për ekspertët e UNESCO… prandaj
Një grumbull shtetesh, 16 shtetet arabe (si aplikantë shumkombëtar) patën aplikuar, Arabia Saudite, Algjeria, Bahreini, Egjipti, Iraku, Jordania, Kuvajti, Libani, Mauritania, Maroku, Omani, Palestina, Sudani, Tunizia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jemeni.
Si nënkoncept i Artit Grafik, tek “Listat e Trashëgimisë Kulturore” UNESCO e ka të renditur “konceptin kaligrafik”. Në listën e tyre figuron se janë regjistruar 12 kaligrafi të ndryshme; ndër të tjera kaligrafia mongoleze, Husn-i Hat (kaligrafia tradicionale turke si art islamik), arti kinez i gdhendjes së vulave, kaligrafia kineze, arti i “batikut” indonezian etj.
“Kaligrafia arabe është praktikë artistike e dorëshkrimit të shkronjave arabe në një mënyrë të rrjedhshme për të përcjellë harmoninë, hirin dhe bukurinë.” – thuhet në shpjegimin e UNESCO. “Në praktikën kaligrafike, e cila mund të transmetohet përmes edukimit formal dhe joformal, përdoren 28 shkronjat e alfabetit arab, të shkruara në kursiv (pjerrët), nga e djathta në të majtë. Fillimisht si synim për ta bërë shkrimin të qartë dhe të lexueshëm, kaligrafia gradualisht u bë një art islamik për veprat tradicionale dhe moderne.
Rrjedhshmëria e shkrimit arab ofron mundësi të pafundme, madje dhe brenda një fjale të vetme. Pasi shkronjat mund t’shtrihen dhe transformohen në mënyra të shumta për të krijuar motive të ndryshme. Teknikat tradicionale përdorin materiale të natyrshme, të tilla si kallami dhe bambuja për instrumentin e shkrimit. Për bojë përdoret një përzierje e mjaltit, blozës së zezë dhe shafranit. Ndërsa letra punohet me dorë dhe trajtohet me niseshte, të bardhën e vezës dhe me shap. Kaligrafia moderne zakonisht përdor bojëra sintetike, ngjyrat spërkatëse (spray) përdoren për kaligrafitë në mure, tabela dhe ndërtesa.
Artizanët dhe dizajnerët e përdorin kaligrafinë edhe për përmirësime artistike, si psh. në gdhendurinat e mermerit, drurit, metaleve. Kaligrafia arabe është e përhapur në vendet arabe dhe joarabe, praktikohet nga burra dhe gra të të gjitha moshave. Aftësitë transmetohen joformalisht, ose përmes shkollave formale apo praktikave” – mbyllet shpjegimi i shkurtër i UNESCO-s.