Pushtimi i gadishullit të Krimesë në vitin 2014. Kush e ka radhën ‘Next’?
Vitet e fundit Rusia, Kina dhe Irani e kanë rritur ndjeshëm bashkëpunimin me njëri-tjetrin dhe së bashku në disa raste haptazi në shumë raste të tjera fshehurazi, kanë rritur përdorimin e metodave, taktikave dhe njësive të luftës së parregullt (Irregular ëarfare), me qëllim rritjen dhe kundërshtimin e SHBA-ve dhe Aleatëve të saj Europianë.
Që të kuptojmë se çfarë është lufta e parregullt do të duhet një kohë e gjatë për ta spjeguar ndofta një libër, por meqënëse gjasat janë se jemi afër pushtimit tjetër të paligjshëm, anti-demokratik, anti-amerikan, anti-euroatlantik të pjesshëm të Ukrainës në lindje të saj nga Rusia, po bëj një analizë të shkurtër të situatës se si u pushtua në muajin shkurt 2014 dhe faktet tregojnë se një skenar i njëjtë mund të ekzekutohet javën e parë të muajit shkurt 2022 përsëri në Ukrainë.
Gjenerali Valery Gerasimov është një nga liderët ushtarakë më me influencë në Rusi, i cili së bashku me presidentin Putin, ministrin Shoigu, ministrin Lavrov dhe një grup të vogël të zgjedhur të politikës ruse kanë ndikuar në rritjen e objektivave strategjikë të politikës së jashtme të Rusisë, duke synuar me anë të përdorimit të të gjithë llojeve të luftës ose të ashtuquajturës arsenali rus i agresionit ku mund të përmendim: rritjen e kapaciteteve dhe fuqisë luftarake të ushtrisë ruse, luftën hibride, luftën kibernetike, luftën ekonomike, luftën informative, propagandën e rreme (Sputnik, Russia Today dhe jo vetëm) luftën e gjeneratës së re, luftën e parregullt, luftën e konfliktit të ulët, etj të cilat Rusia po i aplikon me sukses jo vetëm në Ukrainë, Bjellorusi, Moldavi, në Kaukaz por edhe në Latvia, Lituani, Estoni, Poloni, Finlandë, Suedi, Serbi, Republikën Serbska, Bullgari madje deri diku edhe në Gjermani, Francë dhe Greqi.
Por le të analizojmë shkurtimisht pushtimin e vitit 2014 të Gadishullit të Krimesë.
Në datën 22 shkurt 2014 presidenti i Ukrainës i zgjedhur dhe i mbështetur me të gjithë format nga Putini, Viktor Janukoviç u largua nga frika në Rusi.
Në mbrëmjen e datës 22 shkurt 2014, presidenti Putin realizoi një mbledhje 10 orë me Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Rusisë, duke diskutuar kurset më të mira të veprimit për pushtimin e Gadishullit të Krimesë.
Në orën 7 të mëngjesit të datës 23 shkurt 2014, Putini deklaroi se: “Duhet të fillojmë operacionin për kthimin e Krimesë tek Rusia. Ne nuk mund ta lëmë terroritorin dhe popullin e saj në fatin e tyre”.
Me qëllim marrjen e kontrollit të Krimesë, gjenerali Gerasimov dhe drejtuesit e tjerë të ushtrisë u mbështetën kryesisht tek Forcat e Operacioneve Speciale Ruse, forcat jo konvencionale duke e kthyer atë në një fushatë të ‘Luftës së Parregullt’.
Në datën 23 shkurt 2014, Rusia transportoi nëpërmjet ajrit tre batalione të forcave Speciale VDV në Krime.
Në datën 24 shkurt me mbështetjen nga Moska, këshilli i qytetit Sevastopol emëroi kryetarin e ri të bashkisë të qytetit Sevastopol. Shtabi i Përgjithshëm Rus dërgoi nga Kubinka në Sevastopol, Repartin 45 të Forcave Speciale dhe disa kompani nga Brigada e Këmbësorisë Detare të cilët ishin të stacionuar në Krime. Ata dolën nga reparti me mjete të blinduara, bllokuan dhe morën kontrollin e qëndrës së qytetit Krime.
Në datën 25 shkurt, anija ushtarake amfibe “Nikolai Filchenkov” me 200 forca speciale në bord u infiltrua në bazën detare në Sevastopol.
Në datën 26 shkurt, 40 avionë transporti ushtarak “Ilyushin Il-76” u zhvendosën nga baza ajrore ruse “Ulyanovsk” me shumë forca speciale në bord, të cilat u dislokuan në lindje të Krimesë në Anapa.
Ndërkohë që zhvilloheshin të gjitha këto aktivitete, nëpërmjet bisedimeve intensive telefonike, drejtuesit e Rusisë i kërkuan ndihmë Kinës për mbështetjen e këtij operacioni dhe në shkëmbim të këtij vendimi për pushtimin e këtij territori të Ukrainës, Rusia i premtoi Kinës se do të mbështeste përpjekjet e saj për fituar kontrollin në territoret e Detit të Kinës Jugore.
Në datën 27 shkurt 2014, më shumë se 50 forca speciale ruse nga komanda e forcave speciale në Moskë KSSO, të veshur si trupa të milicisë së vetëmbrojtjes morën kontrollin e ndërtesës së Parlamentit të Krimesë dhe ngritën flumurin rus. Po atë mbrëmje, forcat speciale ruse morën kontrollin e bazës ajrore ‘Belbek’, i cili është aeroporti kryesor ushtarak në Krime.
Në datën 28 shkurt 2014, tre helikopterë transporti MI-8 dhe tetë helikopterë sulmi MI-35M kaluan kufirin në Ukrainë gjatë natës, me objektiv neutralizimin e mjeteve të blinduara të njësive të ushtrisë së Ukrainës. Po këtë ditë, forcat ruse morën me forcë kontrollin e aeroportit civil ‘Simferopol’ dhe anulluan të gjitha fluturimet lokale dhe ndërkombëtare.
Në datën 1-2 mars 2014, Rusia dërgoi përforcime ushtarake në Krime nëpërmjet anijeve amfibe, të cilat me shpejtësi morën kontrollin e të gjithë bazave ushtarake në Gadishull. Marrja e kontrollit të Gadishullit të Krimesë zgjati më pak se dy javë, duke zënë në befasi SHBA-të dhe NATO-n, duke bërë që pushtimi i saj të konsiderohej një sukses i madh i strategjisë ushtarake të Putinit dhe Gerasimovit. Rusia më në fund kishte ‘kopjuar’ pushtimin Amerikan të Afganistanit në muajt tetor-nëntor 2001 me forca speciale dhe të inteligjencës, duke përdorur me sukses në mënyrë klandestine forcat e operacioneve speciale së bashku me njësitë e inteligjencës ushtarake GRU.
Në këtë mënyrë, gjenerali Gerasimov kishte zbatuar më së miri mësimin e strategut të lashtë ushtarak Sun Zu: “Të nënshtrosh armikun pa luftuar, është kulmi i aftësisë ushtarake”.
Si përfundim, kjo ofensivë, rimarrja e territoreve në vendet fqinje si psh ofensiva tjetër e pritshme në tre provincat lindore të Ukrainës javën tjetër, rritja e influencës në rajon, Azinë Qëndrore, vendet Baltike, vendet e Ballkanit, vendet Skandinave, në vendet e Europës lindore, Lindjen e Mesme, Egjipt, Algjeri, Libi, etj angazhimi rus në Siri, rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe ushtarak, stërvitjet e përbashkëta në Oqeanin Paqësor midis tre ushtrive Rusi-Kinë-Iran, aleanca e fundit me presidentin kinez Xi Jinping, takimi i fundit para disa ditëve me presidentin radikal Iranian Ebrahim Raisi dhe jo vetëm, në gjykimin tim janë një këmbanë alarmi që SHBA-të, vendet e NATO-s përfshirë dhe Shqipërinë duhet të rrisin bashkëpunimin dhe kundërshtimin e influencës ruse në rajon dhe me gjerë me të gjitha mjetet e mundshme demokratike, politike, diplomatike dhe ekonomike.
Mbështetja e Ukrainës, e qeverisë dhe e ushtrisë së saj në këtë moment është një nga sfidat dhe detyrimet më të mëdha të perëndimit, e cila nëse nuk do të bëhet në kohën, mënyrën, mjetet dhe fuqinë e duhur do të krijojë precedent dhe konseguenca të mëdha për rajonin dhe Europën në të ardhmen.
Dritan Demiraj, Ph. D.
Ish-Ministër i Brendshëm i RSH