Albspirit

Media/News/Publishing

Trojada, Odiseada, Canis-krenaria e Argosit, Homeri dhe… saktësia!

(Senad Guraziu – diç si vështrim, rreth harresave e kujtesave a la homerishte)

Ka ca shkrime, që me fjalinë e parë, ia fillojnë me pyetje (drejtuar lexuesit) – pse jo, le t’ia fillojmë dhe ne. Keni menduar ndonjëherë për qenin e Odiseut, ju ka vajtur mendja?
Hëpërhë, eventualisht, dhe mund ta keni vrarë mendjen, e ndoshta fare lehtë dhe JO. Sepse… sepse who cares, kujt i plas për qentë e mitologjisë. Sidoqoftë, jua them se unë vetë “PO”, kam menduar sot për qenin e tij. Dhe atë, jo se na qenkam ndonjë “ekspert” i qenve, por thjesht ashtu kot, u mora pak me “saktësitë”… e mitologjisë:

Fillimisht, le t’i sqarojmë shkurtazi ca detaje të vockla, sepse na duhen, që ta pastrojmë sadopak shtegnajën, duhet… nëse do ecim ferrishtes mitologjike.
E lehtë ta besoj, ose të supozoj se Odiseu do e ketë patur një qen të mirë, aso fisnik e krenar. Jo ndonjë hilexhi servil, as ndonjë kokëmadh-mendjemadh, por qen përnjëmend, të devotshëm e besnik. S’kam asnjë arsye të mendoj ndryshe, apo ta dyshoj krenarinë e qenit të tij. Unë vetë e kam patur një të tillë (sipas meje madje super-qen, ishte i bukur, besnik, trimulush e fisnik). Nëse unë po, nëse unë e kisha dikur atë fat… atëherë pse t’mos e kishte dhe Odiseu i madh.

Nga ana tjetër as unë dhe askush i kësaj bote s’e ka idenë se ç’racë qeni do ketë patur Odiseu! Dimë se quhej Argos, o Argus, ama kaq, mund të quhej dhe Genc, Balosh, Murrosh, Bukurosh… etj, emri s’na thotë gjë. Pa le që, atëbotë, edhe racat e qenve do kenë qenë më pak, jo në numër sa janë tash. Koha homerike, sikur dhe ajo 4-5-6 shekuj para tij (kohë që, edhe pse “verbërisht”, pa i patur sytë, xha Homeri i pati “rrahur” aq denjësisht në epikat e veta), padyshim kohët e atëhershme do kenë njohur më pak raca qensh. Zor t’ketë patur sa i kemi sot. E sotmja na mahnit me listën mjaft të gjatë, jo si rezultat i vetvetishëm “a la canis scientia”, por i provave dhe i kryqëzimeve eksperimentale ndër shekuj.

Ok, ja i sqaruam ca mini-detaje fakto-logjike që na duheshin. Tani le ta shpalosim thelbin e vogël tematik të shkrimit tonë.
Siç e rrahin komentuesit e letraristikës, dmth. sa i përket aspektit letrar të epikës homerike; pas njëzet vjetësh të stërmundimit për t’u kthyer në shtëpi (10 vjet të Trojës si luftë + 10 vjet të odiseadës), Odiseu më në fund kthehet. Bukur. Problemi është se, derisa mungonte (s’është pak të mungosh 20 vjet) njerëzia e kanë vërshuar shtëpinë e tij, ia kanë nxirë jetën Penelopës (gruas së tij besnike), me shpresën për t’u martuar me të. Penelopa do ketë qenë ose ishte tepër e bukur, jo mbase e bukur sa Helena… ajo spartanja, krye-shkaktarja e luftrave, por nëse gjithë ata burra e burreca rendnin pas dorës së Penelopës, padyshim as ajo s’ngelej larg me bukurinë e me hijeshinë.

Odiseu maskohet si një varfanjak a lypsar, maskim… sepse i duhet të hyjë fshehurazi në shtëpi, vetëm djali i vet, Telemaku e dinte identitetin e tij. I duhej fshehurazi, tinëzisht… sepse ka tashmë një plan, sepse i ngrati s’e kishte idenë… qe vonuar për 20 vjet, atëherë s’kishte as iPhone as SMS, s’e kishte idenë për të zezat këndej, rreth-e-rrotull shtëpisë së tij. Le që s’kishte iPhone por dhe si për inat, askush nga perënditë s’e pati informuar, siduket vetë perënditë argëtoheshin ngapakëz me çapkënllëqet e tyre. Hermesi ashtu-kështu do ketë qenë tepër i zënë me bartjen e postës hyjnore, as ai s’mund të shqyhej në të gjitha anët, s’mund t’ishte në disa vende njëkohësisht. Le ta lëmë Hermesin rehat.

Por, bie fjala perëndesha Athina s’do harronte ta këshillonte dhe ta ndihmonte Odiseun, Athina i shfaqej herë andej e herë këndej, herë për ketë e herë për atë, shpesh dhe kot, sa për t’i bërë shoqëri. Ndonjëherë thuase “ngutej” t’ia përkujtonte harkun, shigjetat, mejdanin e symprehtësisë… do kujdesej për shumçka, ama rreth Penelopës asgjë s’i pati treguar për 20 vjet, e pati lënë për inat në errësirë. Kështu që dashur o s’donte, Odiseut tashmë i qe imponuar një plan, dhe atë plan fort i rëndësishëm, plan i motivuar, i ngjeshur dashakeqësi për ata ambiciozët e paskrupullt, që ia kishin nxirë jetën gruas…

Nejse, s’është se na qenkesh aq e vështirë ta ujdiste një plan. Derisa lypsar-Odiseu i afrohet shtëpisë (kujtohu, pas njëzet vjetësh) e sheh diku aty afër Argosin e shtrirë, i bëhet e ditur se është qeni i vet, i moshuar, i lodhur, duke lënguar. Sapo qeni e sheh Odiseun e njeh dhe ai, por s’ka fuqi, do e tundte pak bishtin, veshët do i moliseshin, s’i kishte ngelur as “1 atom” fuqi t’i afrohej të zotit, i ishin shterruar fuqitë, energjia komplet, i kishte ngelur vetëm aq fuqi sa për ta njohur dhe sakaq për t’dhënë shpirt.
Vetë Homeri, ose fjalët autoriale në Odisea rreth ikjes së Argosit, janë si vijon: “…Argosi ​​kaloi në errësirën e vdekjes, tani që e kishte parë dhe një herë të zotin e vet, pas njëzet vjetësh”.

Imagjino pra sa fat i madh i Odiseut (si detaj), sëpaku në 2-3 grahmat e fundit do e gjente gjallë qenin e vet, natyrisht burrit do i rridhte një lot i dhimbshurisë… dhe do vazhdonte tutje, për ta vënë në zbatim atë planin e madh.
S’jemi duke e mohuar faktin që, aty-këtu edhe njeriu këmbëngul me jetëgjatësinë, i thyen a i shtynë të gjitha rekordet, aty-këtu ndokush i kalon të 130-tat, 140-tat e edhe më gjatë, s’e kam idenë sa do jetë rekordi aktual. Në t’njëjtin kuptim dhe ndonjë qen aty-këtu padyshim i thyen rekordet. Vetë “Guinness World Records” thotë se mosha më e madhe e regjistruar për një qen është 29 vjeç e 5 muaj (rekordi i takuaka një qeni australian, i quajtur Bluey). Por “Guinness…” vazhdon me sqarimin se shumica e qenve jetojnë 8-15 vjet, se të dhënat autentike të qenve që jetojnë mbi 20 vjet janë të rralla dhe në përgjithësi fjala do jetë për racat më të vogla të qenve.

Pra s’jemi duke e mohuar mundësinë e koinçidencës që pikërisht dhe qeni i Odiseut t’na ishte një aso përjashtimi i rrallë. Ama imagjino, çfarë koinçidence, çfarë fati, qoftë dhe enkas i rastësishëm për Odiseun. Fat i madh ta kesh (rastësisht) një qen jetëgjatë, plus kthehesh dhe e gjen gjallë, pikërisht në 2-3 grahmat e fundit. Nga ana tjetër e dimë sadopak, ose supozojmë që qeni i tij s’na ishte ndonjë aso picimuli, “Chihuahua”. Ka rëndësi ky supozim, meqë ekpertizat e kohëve tona, shkencat moderne na thonë se një “Chihuahua” do jetonte deri 17 vjet, dhe kështu do ta kishte më të lehtë thyerjen eventuale të rekordit.

Sipas atyre që i shoshisin letrat, shkrimet, që flasin për detajet letraristike, detaji i ngordhjes së atypëratyshme të Argosit është i rëndësishëm në kuptimin e shtjellimit (letrar, narrativesk), meqë nëse Argosi t’jetonte dhe vetëm 1 minutë tutje, ai padyshim do t’vraponte drejt pronarit, do i përdridhej ndër këmbët, do e tundte bishtin plot gëzim, do ia thoshte këngës ashtu pafajësisht… me të lehurat e hareshme – detaje rrjedhimtare këto që do e “cullakosnin” maskimin e Odiseut, e kështusoj do prishej dhe plani i tij, ai plani i epik dhe “vrastar”…

Meqë vetë s’jam “ekspert” i qenve (unë madje nuk i di as racat e qenve, as saktë as varg e varg, mund t’i njoh 3-4 sosh… por jo me listë e me bisht : ) natyrisht do shërbehem me ekspertizën e ndonjë eksperti, psh. Anna Burke (American Kennel Club) në një artikull të vetin në v. 2016 pati shkruar:
“…qentë e vegjël jetojnë më gjatë se ata të mëdhenjtë, shkencëtarët nuk janë të sigurt pse është kështu – jetëgjatësia për racat e vogla të qenve varion nga 10 deri 15 vjet, e atyre me madhësi mesatare 10 deri 13 vjet, jetëgjatësia për racat e mëdha të qenve është 8 deri 12 vjet. Ka disa faktorë që përcaktojnë jetëgjatësinë e qenve, duke përfshirë madhësinë, racën dhe shëndetin e përgjithshëm të kafshës…”.

Le t’përsëritet dhe 1 x, qeni i Odiseut s’ishte Kerberusi, ai i tmerrshmi me shumë koka, jo… ky i takonte Hadesit, Persefonës. Qeni i Odiseut ishte Argosi, një qen ordiner, i zakonshëm, si këta qentë që i njohim sot. Pra qeni i tij s’kishte asgje të jashtëzakonshme, madje dhe sikur ta kishte lënë Homeri totalisht jashtë “skenës” (me ndonjë truk të vockël rrëfimtar) ndoshta mungesa e tij këngës homerike s’do i prishte asfare punë.
Nga njëra anë qen i zakonshëm, nga tjetra anë askush i kësaj bote s’e ka idenë ç’racë qeni do ketë patur Odiseu! E gjitha çfarë dimë sot është se qentë, edhe nëse t’jetonin 20 vjet (për ta pritur dhe njohur Odiseun pas kthimit), atëherë vetvetiu nga logjika na shpaloset fakti që qeni i tij do duhej t’ishte madje më i vjetër se 20 vjet. Këtë detaj e kuptojmë dhe nga vetë shkrimi i Homerit, edhe ai thotë se qeni ishte gjallë, Odiseu e pati lënë qenin e vet në shtëpi kur pati ikur…

Mirëpo qeni thjesht s’e kishte idenë se Homeri do ulej e t’na shkruante për trimëritë greke, për shtegtime, për kthime t’befasishme, për lloj-lloj surprizash mitologjike. Andaj ka rëndësi (për neve lexuesit e epikave) që Argos-vogëlushi duhej t’na ishte gjallë dhe jo bash tepër i vogël, ca ditë të këlyshërisë thjesht s’pinë ujë. Sëpaku ca javë a muaj jetë duhej t’i kishte këlyshi i tij, kur Odiseu t’nisej, dmth. për ta “inçizuar në mbamendje” pronarin e vet. Meqë ku i dihet, nëse Homerit helbete i teket dhe shkruan, na thotë se pas 20 viteve Odiseu megjithatë kthehet, atëherë traka e memories hooop, si shiritat e Hollivudit do rrotullohej dhe ja, do ta njihte t’zotin e vet.

Përndryshe procesi i “njohjes” nuk funksionon, ose s’mund të quhet “njohje”, as me shkencat as me legjendat. Mbamendja biologjike, memoria e të gjitha krijesave bio-makinale funksionon nëse diç t’jetë stampuar në qelizat e trurit të kafshës… kurdoherë, le t’jetë kur t’na jetë, në të kaluarën. Përndryshe s’mund të flitet për “njohje”, ndoshta as me konceptet qenërishte. Do ngatërroheshim dhe me vetë canis-logjikën, pa mos t’flitet për logjiken tonë.

Se Penelopa nuk do e njihte burrin e vet, as me bebzat në sytë… as me “dridhjen” e zemrës e të ndjenjës, ok s’ka gjë, s’ka pse t’ketë diç “habitore”. Se qeni do ishte më i zoti se ajo (sa i përket mbamendjes), okidoki… këtë zotësi s’do ia mohojmë, padyshim qentë i “stampojnë” memoriet e veta më mirë. Qëkur ata, ndër të tjera, i ruajnë saktë dhe formulat aromatike, organike e ato inorganike, të gjitha “ingredientet” e fragrancave, me ato të djersës e me gjithçka. Anise pavetëdijshëm, shumë më shumë “shkencë” kimike dhe elemente ndihmëse do i kishte në dispozicion qeni për rikthimin e kujtesës, sesa Penelopa. Kështu që, në këtë drejtim, prapangelja e Penelopës (me “njohjet”, krahasuar me qenin) s’cenon asgjë, është ok.

Ose, ose… në thjeshtësinë sa më kulmore vlen madje dhe vetë aspekti qesharak i skepticizmit tonë; padyshim jetëgjatët, njëzet-e-kusur-vjeçarët do ishin diç si qenër xhufurratikë, padyshim do i pllakosnin difektet e dementi-zmit, të harresës, fenomenet e fshirje-kujtesës, e këso të ngjashme. Sepse thjesht është e natyrshme, është proces natyral. Tekefundit kështu ndodhë me pleqërishten njerëzore, si pronarë e kujdestarë të qenve. Fshirja e kujtesës ndodhë realisht, edhe sot e kësaj dite, s’është legjendë, as përrallë, as mit, por njëmendësi. Edhe qelizat e trurit thjesht qeliza janë, si gjithë të tjerat, s’janë gjoja super-qeliza, s’janë të “pavdekshme” as rezistente gjoja ndaj vjetërsisë…

Fare diç tjetër, krejt tjetër gjë… është fakti, natyrisht që s’na vjen mirë, na dhemb, është e dhimbshme, s’na e ka ënda ta përmendim. Më me dëshirë i shmangemi gjithë temës “pleqërishte”. Përveç psikologëve, mjekëve e këso profesionistësh të shëndetit… askush s’merret me problematikat e pleqërisë. Madje dhe vetë antropologët (gjoja si krye-gjeneralizues që janë) nëpër studimet e veta i anashkalojnë temat e “pleqërishtes”. Andaj pse t’ngatërrohemi tutje me harresat e kujtesat a la homerishte.

Jooo, afërmendsh, do i shmangemi, më mirë le t’i përdorim faktet e ekspertëve siç na serviren sot… ca mijëvjeçarë pas xha Homerit.
Më poshtë, jetëgjatësia për disa raca qensh të vegjël e të mëdhenj, listë siç e ka përpiluar ekspertja Anna Burke, nëse s’keni kohë ta shihni listën detajisht, me shifra e me pikë… atëherë le ta shkurtojmë sadopak për lexuesin duke thënë: asnjë nga racat e canis-krenarisë s’e “shkelë” pragun e të 20-ave:

[ jetëgjatësia për qentë e vegjël: ]
Chihuahua (15-17 v), Chinese Crested (15-17 v), Smooth and Wire Fox Terrier (13-15 v), English Toy Spaniel (13-15 v), Pomeranian (14-16 v), Rat Terrier (13-15 v), Russell Terrier (12-14 v), Lakeland Terrier (12-14 v), Manchester Terrier (12-14 v), Yorkshire Terrier (12-15 v)

[ jetëgjatësia për qentë me madhesi mesatare: ]
Australian Shepherd (12-15 v), Chinese Shar-Pei (12-14 v), Cocker Spaniel (13-15 v), Poodle (12-15 v), Whippet (12-15 v), Puli (10-15 v), Welsh Springer Spaniel (13-15 v), Bulldog (10-12 v), Boxer (10-12 v), Chow Chow (11-13 v), Curly-Coated Retriever (11-13 v), French Bulldog (11-13)

[ jetëgjatësia për qentë e mëdhenj: ]
Great Dane (8-10 v), Bernese Dog (7-10 v), Irish Wolfhound (8-10 v), Newfoundland (10-12 v), Giant Schnauzer (10-12 v), Dogue de Bordeaux (9-11 v), Rottweiler (10-12 v), St Bernard (10-12 v), Scottish Deerhound (10-12 v), Flat-Coated Retriever (10-12 v), Akita (11-15 v), Anatolian Shepherd (11-13 v), Irish Setter (12-14 v), Belgian Malinois (14-16 v)
***

[ ngjitur:
1 – Theodore van Tulden (1606-1669) – “Ulliksi (Odiseu) njihet nga qeni i vet”, vizatim bazuar në krijimin pararendës të Francesco Primaticcio (1504-1570), tutje ky i fundit bazuar në krijimin e Niccolo dell’Abbate (1509-1571)
2 – Lawrence Macdonald (1799-1878) – “Ulliksi (Odiseu) njihet nga qeni i vet” (skulpturë)

Please follow and like us: