Sadik Bejko: Dy gisht erë
Më ha mbrëmja, më gërryen
me kënaqësinë e ofshamave
që zhurmojnë shpellimin e atij
që bie drejt në hon krahënderë.
Zemër, unë të puth aty ku mund
të të puthin shumë të tjerë,
po dhe pak më lart, dy gisht më lart, në erë,
aty ku dëgjohet sëpata tek krasit degë
që më fluturuan prej vetes në qiej,
në vend që të binin në tokë. Zemër,
midis mbrëmjes dhe sëpatës – veç
puthjen, puthjen tënde të ngrohtë.
Please follow and like us: