Albspirit

Media/News/Publishing

Kliton NESTURI: EDHE BURRAT KANË FRIKË TË ZGJOHEN NGA DASHURIA

Edhe burrat kanë frikë të zgjohen
nga ëndrra e dashurisë,
magjia ku ndihen të lumtur.
Kush tha se burrat nuk ndiejnë?!…
Ata nuk janë shkëmbinj të ftohtë,
As ajsbergë që lundrojnë të heshtur oqeaneve,
apo hije që enden në mugëtirë.
Edhe burrat janë njerëz,
Shpirtra të ndezur që dridhen dhe ledhatohen nga era,
Ku pranvera përçon gjelbërimin
Dhe qielli në dashuri me tokën
ndërrojnë stinët.
Edhe burrat kanë frikë të zgjohen nga dashuria,
ëndërra e tyre e lumturisë
në botën e trishtë
ku jeta dhe dhimbja janë thujase e njëjta gjë.
Kush tha se burrat nuk dinë të dashurojnë?
Dashuria e tyre lind ende pa dalë agu i ditës
dhe vazhdon jetën e saj ethshëm,
edhe përtej mesnatës,…
Burrat që kanë frikë të zgjohen nga ëndrra e dashurisë
janë gjithmonë të bukur,
të ëmbël,
të fortë dhe të brishtë.
dhe shpesh,
njësoj si fëmijët e vegjël
druhen,
se mos pabesia që fshihet diku
një çast i zgjon të vetmuar
në udhët e ftohta e plot errësirë të jetës.
… Edhe burrat kanë frikë të zgjohen
nga ëndërra e dashurisë.
Please follow and like us: