Pyetjet e munguara të Ramës në Këshillimin Kombëtar
NIKOLLAQ NERANXI
Cili është ai mekanizëm që një qeveri vë në lëvizje kur nuk arrin të përmbushë misionin, për të cilin u votua? Është i vjetër pothuajse sa vetë politika mbi këtë planet dhe quhet populizëm, një shpëlarje truri me qëllimin e vetëm për të përligjur më pas çdo vendimmarrje, sepse “Kështu ka vendosur populli”! Sovrani thirret në kauzë për të diskutuar për çështje të mëdha, për të cilat ekzistojnë institucionet e votëbesuara. Në fakt, demokracia dhe populizmi nuk kanë fare lidhje me njëra-tjetrën: e para është një sistem funksionimi përmes përfaqësimit, ndërsa e dyta është një ideologji e dështuar që në kohën e Sokratit. Populizmi e vë demokracinë në rrezik, sepse braktis popullin dhe josh turmat. Por edhe pse e tillë, Rama po e ripërdor, pasi ka thirrur këto ditë popullin përmes një pyetësori, të cilin e quan Këshillim Kombëtar. Pra, populli është sovrani që vendos nëpërmjet votës në demokraci, por zerohet në populizëm dhe as deputetët që ka zgjedhur si përfaqësuesit e tij në Parlament, nuk hyjnë në punë, sepse Kryeministri paska nevojë për këshillim “Facebook”-u!
“Si mendoni, a ta legalizojmë hashashin? Po gjobat e biznesit të madh, t’i lëmë kaq apo t’i rrisim edhe ca?”, ishin disa nga pyetjet.
I bindur se njerëzit në shumicën e rasteve janë pa formimin e duhur për të argumentuar mbi tema të tilla, Ramës i duhet një gjë tjetër, në fakt, i duhen reagimet irracionale, pasionante, pa argumente, euforike, konfuze dhe shpesh me gjuhë urrejtje e plot mllef.
E vërteta në këtë rast ka të bëjë vetëm me nevojën e qeverisë për të mbushur arkën e zbrazur e të vjedhur të shtetit, me para të vjela nga fondi i Sigurimeve Shoqërore dhe pjesa tjetër është vetëm propagandë dhe kërcënim. Evazioni nuk kontrollohet dhe nuk zhduket duke përdorur pagën si instrument, sepse dihet që ka plot mekanizma efikase për ta mbajtur atë nën kontroll dhe shteti ato mekanizma i ka. Rama kërkon të krijojë idenë se ai është në anën e punëmarrësve, meqë ata gjakpirësit po ju mohojnë pensionin duke ju paguar në të zezë!
Por le ta marrim për një moment si një logjikë ekonomike që funksionon, atëherë si mund të përkthehet kjo në më shumë mirëqenie? Në kushtet që po jetojmë, nuk është paga minimale ajo që shkakton varfëri, por e gjithë mënyra se si funksionon sistemi ynë ekonomik. Taksat e ngritura, energjia elektrike, uji, karburanti, gazi, gjithashtu me çmime super të larta dhe të gjitha në rritje të vazhdueshme, sjellin rritje të çmimeve, me të cilat ne përballemi për ditë dhe pagat bëhen gjithnjë e më të pamjaftueshme që të përmbushin nevojat e punëmarrësve të cilët janë edhe konsumatorë. Propaganda punon fuqishëm edhe në këtë drejtim, duke rritur me ndonjë qindarkë pagat për të punësuarit në shtet, por të gjithë tashmë e dinë se nuk ka mirëqenie kur dikush të jep 10 lekë me një dorë dhe të merr 100 me dorën tjetër. Prandaj në Këshillimin kombëtar, Rama në vend të pyetjeve sensacionale, por pa asnjë vlerë për njerëzit, mund të ngrinte fare mirë probleme të cilat kanë të bëjnë ekskluzivisht me xhepat e tyre. Sepse edhe në rastin e hashashit nëse legalizohet, dihet që Rama do t’ua japë me PPP 5 miqve të tij dhe përsëri do pasurohen të njëjtit njerëz. Pra, kjo nuk do përkthehet në mirëqenie për shumicën, ashtu si në rastin e rritjes së detyrimeve apo gjobave të biznesit, sipërmarrja do vihet në vështirësi dhe do pushojë njerëz nga puna si dhe do rrisë çmimet e produkteve apo shërbimeve të tyre, pra përsëri do ketë më shumë varfëri për njerëzit.
Nuk e di se cilat do të jenë pyetjet e radhës së Kryeministrit tashmë të kthyer në një bloger, por që fasada e tij e qeverisjes me popullin, të duket pak më e kuruar, ai duhet patjetër të bëjë edhe këto pyetje:
A duhet qeveria të ulë taksat e biznesit që ai të rrisë pagat e të punësuarve?
A duhet qeveria të ulë çmimin e energjisë, gazit dhe karburantit për ju, që të keni më shumë lekë në portofolat tuaj, por edhe për biznesin që ata të ulin çmimet dhe përsëri ju të keni më shumë lekë në portofolat tuaj?
A duhet qeveria të ndalojë dhëniet me koncesion dhe PPP të pasurive publike që u përkasin të gjithëve, por që sot pasurojnë vetëm disa individë?
Sa duhet t’i rrisë qeveria pagat dhe pensionet?
A duhet qeveria të ndalojë terrorin e nxjerrjes zvarrë të njerëzve nga shtëpitë e tyre apo duhet të gjejë gjuhën e përbashkët me ta?
Pyetjet e tjera të shumta që kanë të bëjnë me problemet tuaja reale, mund t’i rendisni në komentet që bëni në faqen e Ramës./panorama