Albspirit

Media/News/Publishing

“Shfuqizoni Traktatin e Miqësisë me Rusinë, antiamerikanizmi që tani ka dalë hapur në politikën shqiptare nga filorusizmi është vetëm një hap larg”

Në një analizë, diplomati dhe publicisti Shaban Murati, shkruan mbi kërkesën e fundit ruse që NATO të largohet nga Bullgaria dhe Rumania.

“Në mënyrë të veçantë Shqipëria duhet ta analizojë me seriozitet këtë situatë të rivendikimit ushtarak dhe gjeopolitik rus ndaj vendeve atlantike ish-komuniste të Ballkanit, që përfshihen në propozimet ultimative të Rusisë drejtuar NATO-s në 17 dhjetor 2021 dhe të specifikuara për Ballkanin nga ministri i jashtëm rus në 21 janar.

Shqipëria vërtet nuk ka luftanije dhe avionë për të dërguar në mbrojtje të aleatëvë të saj atlantikë në anën tjetër të Ballkanit, por ajo ka zërin e saj diplomatik dhe shtetëror për ta  ngritur me forcë si anëtare e OKB dhe për më tepër tani si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB.

Shqipëria duhet të prononcohet zyrtarisht për dënimin e rivendikimeve hegjemoniste të Rusisë ndaj vendeve atlantike të Ballkanit. Shqipëria duhet të bëjë detyrën e saj si anëtare e NATO-s për të kontribuar në mbrojtjen diplomatike atlantike të Bullgarisë dhe të Rumanisë nga kërcënimi i tanishëm diplomatik dhe ushtarak rus” – shkruan Murati.

Ai përmend më pas Traktatin e Miqësisë mes Shqipërisë dhe Rusisë, sigluar në 2004 dhe thotë se antiamerikanizmi që tani ka dalë qartë në politikën shqiptare, vetëm një hap është larg filorusizmit të hapur.

Situata e re kërcënuese, ku siç theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg në 12 janar “ka një rrezik real për një konfikt të ri të armatosur në Europë”, më nxit që për të njëqindën herë t’u drejtohem autoriteteve më të larta të Shqipërisë me kërkesën për të shfuqizuar Traktatin e Miqësisë me Rusinë, të sigluar në 8 dhjetor 2004 në Tiranë nga ministrat e jashtëm Sergej Lavrov dhe Kastriot Islami.

Është një traktat, që përmban nene qartësisht antiatlantike dhe antikombëtare. Duket si rastësi, por nuk është, që traktati me Rusinë përkon pikërisht me kerkesen e sotme te Lavrovit nga vendet e NATO-s në Ballkan, sepse dhe traktati ka angazhimin që Shqipëria të mos lejojë forca të huaja të qendrojnë apo të kalojnë në territorin shqiptar nëse një palë e tretë,(NATO), është në konflikt me Rusinë.

Në Tiranë bëjnë sikur e kanë harruar ekzistencën e traktatit të sigluar, por ministri i jashtëm rus Lavrov pas 16 vitesh ia rikujtoi direkt në konferencë shtypi kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama gjatë vizitës së tij në Moskë në 26 shkurt 2020, duke i kërkuar se “Traktati eshte gati. Ta vemë në veprim”. (Më gjërë shih gazeta “Dita”, 4.3.2020).

E kam përsëritur dhjetra herë dhe e përsëris prapë që Shqipëria duhet ta shfuqizojë dhe ta nulifikojë sa më parë atë traktat të dëmshëm, për t’i hequr Moskës çdo pretekst juridik dhe diplomatik të një shantazhi ndaj Shqipërisë për të dalë nga NATO.

Si diplomat i vjetër nuk e kam kuptuar asnjëherë përse qeveritë e Shqipërisë, të të dy partive kryesore politike, nuk e shfuqizuan kurrë atë traktat të dëmshëm për interesat tona kombëtare dhe shtetërore, si dhe për interesat atlantike dhe perëndimore në rajon.

Duket antiamerikanizmi i fshehtë brenda dy partive politike ka penguar një akt të tille. Dhe mos harroni: antiamerikanizmi, që tani ka dalë qartë në politikën shqiptare, vetëm një hap është larg filorusizmit të hapur” – shkruan Murati.

Please follow and like us: