Albspirit

Media/News/Publishing

Aleksandër Solzhenicin: Asnjë regjim nuk i ka dashur shkrimtarët e mëdhenj!

“Për një vend të kesh një shkrimtar të madh si Ismail Kadare është si të kesh një qeveri të dytë. Kjo është arsyeja që asnjë regjim nuk i ka dashur kurrë shkrimtarët e mëdhenj, por vetëm ata mediokër”.

 

 

Kush është  Aleksandër Isajeviç Solzhenicin?

Michael Scammell

Kur Bashkimi Sovjetik u shemb në vitin 1991, ekspertët dhanë një sërë arsyesh për dështimin e tij:ekonomike, politike dhe ushtarake. Disa menduan të shtonin një shkak të katërt, më pak të kuptueshëm:humbjen totale të besueshmërisë së rregjimit. Ky proces kishte nisur që në vitin 1956, kur kryeministri Nikita Hrushoi mbajti fjalimin e tij të fshehtë para udhëheqjes së partisë, në të cilin ai denoncoi spastrimet e Josif Stalinit, dhe zbuloi zyrtarisht ekzistencën e sistemit të burgjeve, gulag. Jo shumë kohë më pas, shkrimtari Boris Pasternak, lejoi botimin në Perëndim të romanit të tij “Doktor Zhivago”, duke hapur një tjetër “vrimë” në Perden e Hekurt. Pastaj, në vitin 1962, revista letrare “Novy Mir”, bëri bujë me një roman ngjarjet e së cilit ishin vendosur në një gulag, nga një autor deri atëherë i panjohur me emrin Aleksandër Isajeviç Solzhenicin. Romani “Një ditë nga jeta e Ivan Denisoviç” u bë i famshëm fillimisht në vend, dhe më pas në mbarë botën. Nëpërmjet një gjuhe të pastër, ajo tregonte historinë e një dite të thjeshtë të një burri në një kamp pune, ku ai përballej stoikisht me padrejtësi të pafundme. Historia ishte aq magjepsëse, saqë kur u botua, shumë lexues në Bashkimin Sovjetik, menduan se censura qeveritare kishte pushuar së funksionuari. Në fakt Solzhenicin, nuk ishte një shkrimtari ri fillestar në fushën e letrave. I lindur 100 vjet më parë, më 11 dhjetor 1918, vetëm 14 muaj pas Revolucionit Bolshevik, ai kishte praktikisht të njëjtën moshë me shtetin sovjetik, dhe kishte përjetuar çdo fazë të zhvillimit të tij. Si i ri dhe më më pas një student universitar, ai ishte përfshirë në euforinë revolucionare të eksperimentit komunist, dhe besoi me zell të madh tek marksizëm-leninizmi. Në Luftën e Dytë Botërore, ai shërbeu si komandant i një batalioni zjarri të artilerisë, dhe iu dhanë dy medalje trimërie. Por karriera premtuese e Solzhenicinit si shkrimtar u ndërpre brutalisht nga arrestimi i tij në shkurtin e vitit 1945, për shkak të veprimtarive anti-sovjetike. Ai u dënua me 8 vjet punë të rënda në gulag. Krimi i tij? Kishte kritikuar Stalinin dhe Ushtrinë Sovjetike, në letrat e shkëmbyera me një shok të shkollës, që gjendej në një front tjetër të luftës. Ky kthesë dikensiane e fatit, e zhyti Solzhenicinin në dëshpërim. Por ajo i hapi gjithashtu ia hapi sytë ndaj shëmtisë që bartte komunizmi sovjetik, dhe i dha atij një ide të plotë mbi mbretërimin e terrorit dhe gënjeshtrat, me të cilat ai ishte ushqyer për aq shumë kohë. Ai kishte shkruar ndërkohë poema, histori dhe gjysmë-romane, shumica e tyre me tema patriotike. Tashmë vendosi t’ja kushtojë pjesën tjetër të jetës së tij ekspozimit publik të makinerisë monstruoze, që siç e zbuloi më vonë, vrau ose burgosi ​​miliona njerëz si ai. Pas botimit të dy tregimeve, të përqendruara mbi gjendjen e fshatarëve të thjeshtë, Solzhenicin u fut nga censorët në listën e zezë. Por ai ia doli të përfundojë dy romanet e mëdha autobiografike për të cilat kishte punuar gjatë:”Rrethi i Parë” dhe “Pavioni i kancerozëve”. “Rrethi i Parë”, fliste për një grup të burgosurish të privilegjuar, duke përfshirë Solzhenicinin, të zgjedhur për të punuar në një laborator të fshehtë të drejtuar nga autoritetet e gulagut, ndërsa “Pavioni i kancerozëve”, përshkruante kushtet në të cilat Solzhenicin, që punoi si mësues në mërgim administrativ pas lirimit të tij, kur u trajtua me sukses për një tumor në bark në Tashkent. Të dy romanet spikatën për shqyrtimin e tyre etik të shoqërisë sovjetike, dhe diskutimin e krimeve të qeverisë, dhe që të dy u ndaluan të botoheshin në Bashkimin Sovjetik. Ashtu si “Doktor Zhivago”, ato u trafikuan shpejt në Perëndim, dhe si “Doktor Zhivago”, edhe romani “Një ditë nga jeta e Ivan Denisoviçit”, u bënë mënjeherë librat më të shitur. Për qasjen e tij kritike ndaj jetës sovjetike, Solzhenicini u dëbua nga Unioni i Shkrimtarëve të bashkimit Sovjetik, të financuar nga shteti, dhe u bë një i jashtëligjshëm në vendin e tij. Por ai nuk qe vetëm. Shumë shkrimtarë të talentuar dhe të pavarur – Varlam Shalamov (një tjetër kronikan i gulagut), Andrei Sinjavski, Juli Daniel dhe Josef Brodski – po shmangnin censurën sovjetike me një format të ri botimit, të quajtur samizdat. Ai përbëhej nga poema, tregime, romane, apele për të drejtat e njeriut dhe manifeste politike që qarkullonin fshehurazi në kopje të shtypura apo dhe të kopjuara; në shumë raste, ato u dërguan edhe jashtë vendit. Deri në fund të viteve 1960, shkrimtarët dhe aktivistët kryesorë u njohën si Lëvizja Disidente. Qëllimi i tyre, ishte të sillnin lirinë e shprehjes dhe ndryshimin paqësor politik në Bashkimin Sovjetik, dhe ata mblodhën rreth vetes një audiencë globale lexuesish. Përveç shkrimtarëve, radhët e tyre përfshinin shkencëtarë, inxhinierë, akademikë, avokatë, madje edhe punëtorë rebelë. Udhëheqësi i tyre jozyrtar, ishte fizikanti fitues i çmimit Nobel, Andrei Sakharov. Solzhenicini e simpatizonte dhe bashkëpunoi me Saharovin dhe disidentët e tjerë, por ai nuk pajtohej gjithmonë me ta, ndaj vazhdoi të ndiqte rrugën e tij. Në vitin 1973, kur gjendej ende në Bashkimin Sovjetik, ai e dërgoi për botim jashtë vendit kryeveprën e tij letrare dhe polemike, “Arqipelagu Gulag”. Romani përshkruante krimet e mëdha, që kishin çuar në burgosjet masive dhe masakrën ndaj miliona viktimave të pafajshme, duke dëshmuar se dimensionet e saj ishin në një nivel me Holokaustin. Gjesti i Solzhenicin, qe një sfidë e madhe për shtetin sovjetik, duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e tij, dhe duke kërkuar ndryshime revolucionare. Në kundërpërgjigje, autoritetet sovjetikët i hoqën Solzhenicinit shtetësinë, dhe e e dëbuan atë në Perëndim. Ai shkoi në Amerikë, ku kaloi pjesën më të madhe të 19 viteve të ardhshme në Vermont. Ai ishte në gjendje të shkonte të merrte personalisht çmimin Nobel për letërsinë, që i ishte dhënë që në vitin 1970. Ai shkroi ndërkaq 4 romane më historike në serinë e tij të madhe të quajtur “Rrota e kuqe”, të përqendruar mbi Revolucionin Rus dhe pasojat e tij. Ai vazhdoi të akuzonte udhëheqësit sovjetikë për korrupsionin e tyre, dhe ofroi këshilla për të ardhmen. Por ajo nuk ishte një kohë krejtësisht e lumtur për shkrimtarin. Fjalët e tij kishin më pak peshë në Bashkimin Sovjetik, sesa kur ai jetonte ende atje. Sulmet e ashpra mbi Amerikën dhe demokracinë perëndimore, distancuan me shpejtësi edhe përkrahësit e tij liberalë në Perëndim, ndërsa kritikat e ashpra ndaj ish-aleatëve në kujtimet e tij, e dëmtuan seriozisht reputacionin e tij në shtëpi. Asnjë nga këto nuk e zvogëloi dëshirën e Solzhenicinit për të parë shembjen e sistemin sovjetik. Dhe kur ra qeveria e Mikhail Gorbaçovit në vitin 1991, ai u gëzuaa shumë. Tre vjet më pas, u rrikthye në Rusi, dhe u prit si një hero. Por ai nuk e pëlqeu shumë atë që pa atje. Qeveria e presidentit Boris Jelcin ishte kaotike, dhe Solzhenicin nuk e përkrahu atë që e shihte si adhurim të regjimit të ri ndaj Perëndimit, dhe dëshirën e tij të marrë për të futur një formë të demokracisë perëndimore në vend. Ajo që ai mbrojti ishte një lider i fortë, i cili mbante rend të rreptë në vend, inkurajonte më shumë besimin fetar, dhe i jepte një mbështetje më të madhe shtetërore Kishës Ortodokse, së bashku me patriotizmin e ringjallur dhe kthimin tek vlerat tradicionale. Atij duket se iu plotësua dëshira në vitin 2000, kur Jelcin ia dorëzoi presidencën një njeriu që ndante pikëpamjet nacionaliste të Solzhenicinit, dhe personifikonte idealin e tij të një lideri të fortë: Vladimir Putin. Udhëheqësi i ri rus, e mirëpriti shkrimtarin në rezidencën e tij, dhe i kërkoi këshilla. Ndërkohë në vitin 2007, ai i dha një çmim shtetëror për aktivitetet e tij humanitare. (Solzhenicin kishte refuzuar çmime të ngjashme nga Gorbaçov dhe Jelcin). Solzhenicin vdiq në vitin 2008, para se Putin të tregonte fytyrën e tij të vërtetë me vrasjet gjakftohta të figurave të opozitës, krijimin e një shteti autoritar, pushtimin e Ukrainës dhe Krimesë, si dhe uzurpimin e demokracisë lokale në krahinat. (Solzhenicini mund të kishte miratuar masat ndaj Ukrainës, pasi ishte gjysmë-ukrainas në origjinë, por jo të tjerat.) Pas vdekjes, Solzhenicini u përcoll në banesën e fundit në një funeral të kushtueshëm, dhe u vendos të prehet dhe në Manastirin Donskoi në Moskë. Në vitin 2010 “Arqipelagu Gulag”, u bë i detyrueshëm për tu lexuar në shkollat ​​e mesme ruse. Rruga e Madhe Komuniste e Moskës, u riemërua Rruga Aleksandër Solzhenicin. Njëqindvjetori i lindjes së tij, po kremtohet me madhështi këtë javë në Rusi. Dhe në Moskë është planfikuar inaugurimi i një përmendoreje të tij. E gjitha kjo do t’i jepte shkrimtarit një kënaqësi të madhe. Por, megjithëse i lavdëruar dhe i shfrytëzuar nga aleatët e tij të diskutueshëm, Solzhenicini duhet të mbahet mend për rolin e tij si një rrëfimtar i së vërtetës. Ai rrezikoi gjithçka për të goditur në zemër komunizmin sovjetik, dhe bëri më shumë se çdo qenie e vetme njerëzore, për t’ja minuar besueshmërinë dhe gjunjëzuar shtetin sovjetik.

Shënim: Michael Scammell, është autori i librit “Solzhenicin: Një biografi”.

Please follow and like us: