Albspirit

Media/News/Publishing

Anna Lindh, Ministrja e Jashtme e Suedisë që u maskarua nga një serb se mbrojti Kosovën!

Kjo zonjë në foto është Anna Lindh, ish Ministre e Punëve të Jashtme të Suedisë. Para 19 viteve, 11 shtator 2003, një serb ia mori jetën në mënyrë më makabre me një thikë duke e goditur disa herë në gjoks. Shkaku ose ‘arësyeja’ ishte se Anna Lind në Bruksel kishte mbrojtur Kosovën dhe shqiptarët. I përjetshëm kujtimi për Anna Lind. Kjo meriton më shumë vëmendje, asnjë medium apo politikan shqiptar nuk e përmend.
Kush është Anna Lindh?
Stokholm, 10 shtator 2003. Atë mbasdite vjeshte Anna Lindh doli nga zyra. Në shoqërinë e një mikes së saj ecte në drejtim të shitores “Hennes-Mauritz”. Ishte Ministre e Jashtme e Suedisë, prej pesë vjetësh. Por ishte dhe qytetare, bashkëshorte dhe nënë. Lëvizte pa makinë, pa shoqërues, në vendin e saj të lirë. Dhe s’mund ta mendonte se kjo ishte dita e fundit e jetës dhe ëndrrave. Tek ngjiste shkallët e shtrinë në tokë, e mbytën në gjak. Një thikë e goditi në gjoks, një në stomak dhe një në krah. Ra në gjunjë dhe përpëlitej. Tri hone të thella u hapën brenda trupit të saj. Shoqja që ishte pak hapa para, ktheu kokën dhe i thirri Anës. Mendoi mos kishte rrëshkitur. Ambulanca erdhi menjëherë, mirëpo xhelati kishte mësuar si të përdorej thika. Ngjante me një vrasje kishtare, yshtur nga kryqi i mallkimit, kushedi në ç’manastir mesjetar. Kështu godet pabesia. Anna 46 vjeç u shemb si shtatore. Qielli u ça nga dhimbja. Barbaria e rrënon qytetërimin. Gjithmonë. Po kush ishte vrasësi? Një serb 24 vjeçar, Mijailo Mijailoviq, çuditërisht i “sëmurë mendor”. Paska patur çrregullime polare apo bipolare, i paska shfaqur edhe në familjen e tij, është grindur me babain, mirëpo s’vrau atë me thikë, por Ministren e Jashtme të Suedisë, sepse ajo mbështeti fuqishëm NATO-n dhe ndërhyrjen e trupave ushtarake në Kosovë. “Ne nuk jemi të lumtur pse bombardohet Serbia, por të gjitha mundësitë e tjera politike, diplomatike e ndërshtetërore për ndaljen e tragjedisë së një populli u shterën dhe mbeti vetëm zgjedhja ushtarake”. Kështu deklaroi Ana Lin, një ditë para vrasjes, pra më 9 shtator 2003, në televizionin suedez. Kjo mjaftoi për të ndezur fitilin vrasës. Skenaristët dhe regjizorët e aktit makabër, zgjodhën me kujdes për t’i përcjellë pastaj në sallat e montazhit, ato çfarë duhet të digjonte e shikonte qytetari suedez. Pak ditë pas vrasjes, Vujoviqi (mesa duket bashkëkombas i Mijailos), reporter i TV Suedisë, vizitoi gjyshin e vrasësit në fshatin Ub, në Serbi. Ai plak i “pikëlluar” nga veprimi i nipit të tij, djalit të vajzës, u kërkon falje publike familjarëve të viktimës. Dhe ky reagim u shfaq në televizion për të ndikuar te qytetarët paqësorë suedezë. Shikoni pra, çfarë veprimesh të studiuara. Po kosovarët që jetojnë në Suedi, si reaguan? Ata ndjekin prej vitesh rrjedhën e qytetarisë që i ka strehuar dhe punësuar, e kësisoj s’mund të bëhen pjesë e veprimeve denigruese apo hakmarrjeve primitive në sofrën e bujarisë suedeze. Vrasësi vuan dënimin me burgim të përjetshëm.
Please follow and like us: