Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Kadare: një disidencë letrare

Akademia e Shkencave të Shqipërisë përkujtoi sot 86-vjetorin e lindjes së shkrimtarit me famë botërore
Para disa kohësh, studiuesi dhe profesori francez i letërsisë Jean- Paul Champseix botoi në shqip veprën “Ismail Kadare: një disidencë letrare”, përkthyer nga Irena Rambi dhe Bashkim Shehu dhe botuar nga shtëpia botuese “Fan Noli”. Akademia e Shkencave, në ditën e lindjes së Kadaresë, e kujtoi figurën e shkrimtarit të madh shqiptar pikërisht përmes promovimit të kësaj vepre. Titulli i saj shpreh më së miri thelbin e veprës së Kadaresë ndaj dhe për ta paraqitur edhe njëherë atë me vështrimin e kritikës së huaj, ishte ftuar autori i librit Jean –Paul Champsiex nga Franca dhe përkthyesit e tij.
Përkujtimi i ditëlindjes së Kadaresë mori formën e një veprimtarie shkencore sepse aty, sipas një programi të detajuar, diskutuan studiues vendës e të huaj.
Veprimtaria u drejtua nga akademik Pëllumb Xhufi, prof. dr. Saverina Pasho dhe prof. dr. Ylljet Aliçkaj.
Kryetari i Akademisë së Shkencave, akademik Skënder Gjinushi, që hapi veprimtarinë, paraqiti dimensionet e figurës së Kadaresë duke e vendosur figurën e tij në krye të traditës shqiptare të të gjitha kohërave.
Kadare është jo vetëm shkrimtari ynë më i madh, por, së bashku me Nënë Terezën është bërë simboli i Shqipërisë dhe emblema e saj jashtë vendit.
Jean-Paul Champseix, duke paraqitur veprën e tij “Ismail Kadare : një disidencë letrare” theksoi në fillim se, ne, studiuesit e huaj, aty nga fillimi i viteve ’80 në Francë nisëm ta pyesim veten sesi ka ndryshuar vepra nga pikëpamja e perspektivës së lexuesit. Në këtë kohë unë rashë në kontakt me veprën e Kadaresë, pastaj nga viti 1986 deri 1989 pata fatin të isha pedagog i letërsisë frënge në degën e gjuhëve të huaja të Universitetit të Tiranës dhe këtu njoha më mirë kontekstin e veprave të Kadaresë. Vepra e tij është një shmangie nga norma e realizmit socialist. Studiuesit në Perëndim ndahen në dysh dhe shumica e lexuesve e vlerësojnë veprën e tij si një disidencë letrare, madje, edhe subversive ndaj regjimit ashtu siç ka dhe një pjesë tjetër që nuk është i këtij mendimi. Unë jam përpjekur të argumentoj, vijoi ai, se përse vepra e Kadaresë është një disidencë letrare jo politike. E para, vepra e tij përshkruhet nga zymtësia, mjegulla dhe trishtimi: kjo atmosferë është në opozicion me dritën dhe patosin që kërkonte propaganda. Në të gjitha veprat e tij vihet në diskutim totalitarizmi dhe heronjtë e tij janë njerëz të vetmuar dhe shpesh konfuzë.
Mateo Mandala, studiuesi arbëresh, në lidhje zoom, analizoi strukturën rrëfimtare të Kadaresë dhe u ndal sidomos në romanin “Dimri i madh”. Vështrimi i tij, i mbështetur në semiologjinë e Eco-s, sidomos, analizoi elemente të rrëfimit duke zbërthyer dinamikën e “boshit”, ndërprerjen diegjetike në rrëfim apo arkitekurën danteske të vendosjes së personazheve.
Bashkim Shehu në kumtesën e tij lexime frëngo-shqiptare të Kadaresë tregoi marrëdhënien e veprës së Kadaresë me letërsinë më të mirë botërore dhe ngjashmëritë apo analogjitë me Heminguejin në fillim, frymëzimin nga Shekspiri, pastaj Kafka e Kamy, për të arritur në përfundimin se vepra e tij bën pjesë në topografinë e universit botëror të letërsisë.
Prof. Ilia Lëngu që ka qenë redaktor i librit të botuar në shqip u ndal në kumtesën e tij në disa nga vlerat e kësaj vepre dhe në punën skrupulozë te përkthyesve. Ai evidentoi sidomos vështrimin e gjerë e të thellë të autorit për figurën e Kadaresë dhe theksoi se kjo vepër ka një rëndësi të veçantë dhe duhet të jetë pronë e lexuesit shqiptar, studentëve dhe nxënëse të shkollave të mesme, për të kuptuar vendin që zë shkrimtari ynë i madh në letërsinë dhe kulturën botërore.
Përkthyesja Irena Rambi u ndal në punën e përkthyesit si element thelbësor i veprës dhe përmend me këtë rast ndihmesën e shkëlqyer të Jusuf Vrionit në përkthimin e veprës së tij në frëngjisht. Pasi përmendi fillimin e punës së Jusuf Vrionit me veprën e Kadaresë, ajo theksoi vlerat e këtij përkthyesi dhe përfitoi nga ky rast për të treguar dhe vëmendjen e Kadaresë për përkthyesin në veprën e tij, një figurë që ndeshet dendur në prozën e tij.
Studiuesi dhe gazetari Ilir Yzeiri u ndal në poemën “Në mesditë Byroja Politike u mblodh” e njohur si “Pashallarët e kuq”. Kadareja, me këtë poemë, tha ai provokoi në mënyrë naive autorin e tekstit të madh të narrativës komuniste, Enver Hoxhën dhe u përpoq të sfidonte modelin e komunikatës me atë të kronikës refleksive duke goditur sekretin. Ky eksperiment e tronditi Enver Hoxhën sepse, sipas tij, modifikimi i tekstit apo i dogmës që ai kishte ndërtuar dhe shkruar, ishte asgjësim ideor i ekzistencës së tij. Në diktaturë nuk mund të qarkullonin asnjëherë nënvariante tekstesh që ishin shmangie nga norma e dogmës, nuk mund të shkallmohej godina e sekretit.
28 janar 2022.
Please follow and like us: