Albspirit

Media/News/Publishing

Historianë dhe akademikë në veprimtarinë “Shqiptarët dhe hebrenjtë gjatë Luftës së II Botërore”

Akademia e Shkencave e Shqipërisë organizoi veprimtarinë “Empati në kohë rreziku: shqiptarët dhe hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore”, me pjesëmarrjen e studiuesve historianë dhe akademikë. Në fjalën e hapjes akad. Skënder Gjinushi theksoi se shqiptarët dhe hebrenjtë kanë kohabituar me mirëkuptim gjatë dymijë vjetëve, janë dy popuj liridashës dhe kanë pasur ëndrrën e përbashkët për të pasur shtetin e tyre kombëtar. Kjo shpjegon dhe sjelljen njerëzore të shqiptarëve gjatë luftës. Ai përmendi që përfundimi pozitiv, mosdorëzimi i hebrenjve, nuk duhet të shpërqendrojë vëmendjen ndaj fateve individuale, që kanë ndërlikuar jetën e tyre. Ndër të tjera akademik Skënder Gjinushi tha se populli shqiptar u dha punë, strehë dhe mbrojtje hebrenjve. “U dha emra shqiptarë dhe veshje tradicionale; kishat e xhamitë, faltoret në përgjithësi, u ofruan identitete të fshehta; qeveritë kalimtare nuk i dorëzuan asnjëherë listat e tyre megjithëse dorëzuan gjithë floririn e Bankës Kombëtare; organizatat politike-ushtarake që mbanin qëndrime opozicionale ndaj njëra-tjetrës për qëndrimin ndaj pushtimit vendosën që hebrenjtë që kishin hyrë në Shqipëri të mos i implikonin në konfliktet e tyre. Prandaj kjo histori është shenjëdhënëse për mirë jo vetëm për të shkuarën, por dhe për të ardhmen që kemi përpara”, tha ai. Sipas Gjinushit në kohën e sotme problem thelbësor është që Dita e Kujtesës të mbahet larg vetëmburrjes. “Sepse, siç do të shihet edhe në ekspozitën që do të hapim pas pak, rezultati është shembullor, asnjë hebre nuk u dorëzua, por brenda për brenda historia e mbijetesës së rreth 3750 hebrenjve që arritën të hyjnë në Shqipëri para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore është e mbushur me plot dhimbje, prova e sakrifica, të cilat duhet të dalin në dritë”, tha ai. Ambasadori i Izraelit Noal Gal, i pranishëm në veprimtari vlerësoi qëndrimin e shqiptarëve ndaj hebrenjve. Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, Akademia në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave prezantuan dje një ekspozitë me dokumente arkivore.

Please follow and like us: