Escobar në konferencë me Kurtin e Lajçakun: SHBA fuqimisht mbështesin pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës
Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media, Escobar tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do ta afrojë më shumë Kosovën drejt Bashkimit Evropian dhe komunitetit trans-atlantik.
Gabriel Escobar ka rikonfirmuar mbështetjen e SHBA-së për Kosovën.
“SHBA fuqimisht mbështesin pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. E keni treguar se jeni partner solid, mik i mirë dhe ju falënderojmë për këtë”, deklaroi Escobar.
“Për Kosovën dhe rajonin, ne e shohim këtë zonë si një mundësi të jashtëzakonshme me energji të jashtëzakonshme. Ju jeni evropianë, ekonomikisht, historikisht dhe kulturalisht jeni evropianë dhe ne kemi punuar me kolegët tanë evropianë për t’u siguruar se ata e njohin që Ballkani Perëndimor është një mundësi e jashtëzakonshme për ta dhe jo rrezik.”, deklaroi i dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor.
Escobar ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi e ka mbështetjen e plotë të Amerikës, por sipas tij procesi do të drejtohet nga Bashkimi Evropian pasi bëhet fjalë për Bashkimin Evropian.
“Ne inkurajojmë të gjitha palët që ta shohin Ballkanin Perëndimor si anëtarë potencialë të BE-së në të ardhmen, që të gjitha ata në paqe me njëri-tjetrin, që të gjithë produktivë dhe anëtarë të aftë, ashtu siç i kemi parë ne si partnerë bilateralë. Shpresa kryesore për këtë është përmes dialogut”, tha Escobar.
“Dialogu ka mbështetjen tonë të plotë dhe duhet të udhëhiqet nga BE-ja sepse ka të bëjë me Evropën. Por, teksa ju lëvizni drejt BE-së, ju do të vazhdoni të jeni miq të ngushtë të SHBA-së sepse është një partneritet trans-atlantik, komunitet trans-atlantik që ju veçse jeni pjesë dhe ky dialog do të ju afrojë edhe më shumë”, tha Escobar i cili njëherësh është edhe zëvendësndihmës i sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë.
“Do të jemi deri të mërkurën dhe deri atëherë shpresojmë se do të kemi një fotografi më të qartë për të ardhmen”, tha Lajçak.
Escobar, së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, sot nisën vizitën pesëditore në Kosovë dhe Serbi, vizitë që ka për qëllim inkurajimin e liderëve në të dy shtetet për angazhim në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku evropian./Telegrafi/