Albspirit

Media/News/Publishing

Bledar Koçi: UDHË MALLI…

Ka rënë dëborë – më tha një lis,
Në ëndërr një natë dimri.
Dhe ëndrra shpejt u arratis
Tek brofja nga gëzimi.
Këtu, i lodhur në nxitim
Po tkurrem po venitem
Shurdhojnë sirena papushim
Mbi rrugë që përpëliten…
Një re e murrme më ndjek pas
Përherë, qytetit tim.
Më derdh një shi dhe fut në palcë
Trishtim e dëshpërim.
Ky diell i fshehur që s’del kund
Mes qiellit që s’gjëmon,
Nuk di nga lind atje përfund
Dhe s’di ku perëndon.
….
Dhe mora udhën, një udhë malli
Si në një tjetër mot,
Atje ku dielli lind prej mali
Mes qiejve yjeplot.
Atje dhe zogjtë ia thonë në kor,
Dhe nuk gjëmojnë sirena.
Nën retë ngarkuar me dëborë
Vikasin fort… mëllenja.
Më pret atje me ngazëllim
Gjithçka, me dashuri.
Dhe si femijë, udhën në kthim
M’a heq një yll i ri.
Ndaj tjetër dimër më thërret,
M’i bardhë se bardhësitë.
Ku lisat janë lisa vërtetë
Dhe mbysin kaltërsitë.
Please follow and like us: