Albspirit

Media/News/Publishing

Ines Demiri: Ambasada e Kosovës në Izrael përkujton Holokaustin

Në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Jerusalem, në bashkëpunim me Qendrën Botërore për Përkujtimin e Holokaustit – Yad Vashem, dje shënuam Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit me temë të veçantë “Hebrenjtë dhe shqiptarët gjatë Holokaustit”.
Në prani të të mbijetuarve të Holokaustit dhe familjarëve të tyre nga Kosova, të pranishëm në këtë ngjarjes ishin: Shkëlqesia e Tij Ambasadori z. Gary Koren, zëvendësdrejtor i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shtetit të Izraelit, Shkëlqesia e Tij Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Izrael, z. Bardhyl Canaj, i shoqëruar më Këshilltaren znj. Sonila Turshilla, Shkëlqesia e Saj Ambasadorja e sapoemëruar e Izraelit në Republikën e Kosovës, znj. Tamar Ziv, Konsulli në Ambasadën e Hungarisë në Izrael, z. Gabor Tilsech, studentë kosovarë në Izrael, pjesëtarë të organizatave hebraike dhe miq të tjerë të shumtë.
Ngjarja filloi me një video të shkurtër të përgatitur nga nxënësit e shkollës së mesme të muzikës “Prenk Jakova”, në Prishtinë, e cila pasoi me një fjalë rasti nga Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), znj. Arbërie Nagavci.
Në vazhdim të këtij aktiviteti pati rrëfime prekëse nga të mbijetuar të Holokaustit të lindur në Kosovë nga familjet Teitelbaum, Bahar, Alteratz, si dhe rrëfime të jashtëzakonshme të shqiptarëve të Kosovës që shpëtuan hebrenj gjatë Holokaustit si:
– Familja e Rezniqi dhe znj. Rachel Shelly Levy-Drummer;
– Rrëfimi i familjes Sharri nga Prizreni, familje kjo e nderuar nga qeveria izraelite;
– Rrëfimi i historisë së familjes Selmani nga Krusha e Madhe;
– Me të pranishmit u ndanë edhe rrëfimet dhe trashëgimitë e z. Tafil Boletinit, z. Halil Spahisë, z. Spiro Litos, Z. Preng Ulit dhe të shumë të tjerëve.
Z. Arbër Salihu pranë MASHTI foli për programin dhe angazhimin e MASHTI për edukimin e brezave të rinj mbi Holokaustin dhe për kontributin në këtë drejtim të Shoqatës së Mësimdhënësve të Historisë së Kosovës (SHMHK).
Ngjarja e përmbyll me një fjalë rasti nga znj. Lea Micha nga Yad Vashemi, dhe përkushtimin për të punuar ngushtë me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Jerusalem.
Foto: Shlomi Reuven
Please follow and like us: