Mozaik historik dhe përputhje tragjike në vetëm një faqe gazete
Menduh Gjergj Zavalani
Në 1 shkurt 2022, bëhen plot 111 vite nga botimi i numrit të parë të gazetës së përjavshme “Koha”, e themeluar nga vëllezërit Mihal, Mina dhe Koço Grameno në vitin 1911. Edhe më tepër se përvjetori i bukur i numrit të parë, janë interesante informacionet e aktualitetit të kohës që përcjell gazeta.
101 vite më parë, në numrin e 29 janarit 1921, gazeta në fotot e bashkëngjitura shkruan për premierën në Korçë, të dramës “Vdekja e Pirros”, shkruar nga patrioti dhe shkrimtari Mihal Grameno. Artikulli mbi premierën e dramës në Korçë titullohet “Theatroja”. Kjo dramë e botuar në vitin 1906, ishte shfaqur për herë të parë në Vlorë e më pas në Worcester, Massachusetts të Sh.B.A. në vitin 1914. Në Korçë ndërkohë, skenografia e dramës realizohej mjeshtërisht nga piktori i shquar impresionist, Vangjush Mio (Vangjel Th. Mio në tekst), i cili do të bënte edhe aktorin në këtë dramë. Ndërsa producenti, që sponsorizonte me fondet personale shfaqjen, ishte nën-Prefekti i Korçës, Lytfi Zavalani, që mbante përkohësisht pozicionin e Prefektit. Në një kohë kur shteti shqiptar ishte fare i brishtë dhe me organizim e financa shumë të dobëta, ishin jo të paktë intelektualët dhe filantropët korçarë që dhuronin për kulturën, ndër ta edhe stërgjyshi im, Lytfi Zavalani. Autori i dramës në fjalë, Mihal Grameno bashkë me vëllain e vogël të Lytfiut, Menduh Zavalani, ishin ndër 4 delegatët e parë të zgjedhur nga Korça për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe Mihali do të shkruante në kujtimet e tij për bashkëluftëtarin e vet, Menduhun e vrarë në moshë të re. Në vitin 1908, Lytfi Zavalani do të bëhej bashkëthemelues dhe kryeredaktor i gazetës “Korça”, të parës gazetë shqipe në trojet e Shqipërisë, por gazeta do të mbyllej nga autoritetet osmane 2 vjet më vonë. Me mbylljen e saj, gazeta “Koha” e vëllezërve Grameno mbetej më e vjetra në shtyp dhe në foto mund të lexoni se si mban me krenari në kokën e faqes së parë mbishkrimin “Koha është më e vjetra gazetë në Shqipëri”.
Një përkim interesant, por tragjik, është shkrimi “Nekrologjia”, fare ngjitur me reportazhin “Theatroja”. Ajo flet për vdekjen e një tjetër patrioti, Nuri Vila, i cili përcillet në tekst me superlativa e nderime të mëdha. Nuriu vdes në Paris në fund të janarit 1921, pa mbushur 38-vjeç. Nuri Vila ishte delegat i Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, në 1919, intelektual jurist dhe diplomat. Ai kishte kryer gjimnazin Zossimea në Janinë dhe më pas kishte studiuar jurisprudencë në Bruksel. Nuri Vila ishte vëllai i madh i gruas së Lytfiut, Sabrie Vila, pra daja i gjyshit tim, Mikel Zavalani. Ai ishte i martuar me frëngen Eleonore Vila dhe ishte shqiptari i parë që solli një nuse nga Franca në Frashër, në Shqipërinë osmane të para vitit 1912. Eleonora do të shkruante për mizoritë e ushtrisë dhe andartëve grekë në hapësirat përreth Frashërit, në pranverën e vitit 1914 në revistën frënge “Mercure”, duke bërë jehonë ndërkombëtare. Çifti Vila la pas një djalë, Skënderin.
Ajo që në artikull nuk përmendet dhe publikisht nuk dihet, është se vdekja e Nuriut ishte në fakt një vetëvrasje e ndikuar nga tradhëtia e bashkëshortes së vet Eleonorës, në një aventurë seksuale apo histori të shkurtër dashurie me politikanin dhe shkrimtarin Mitat Frashëri. Mitati, djali i Abdyl Frashërit, njihet në disa momente historike dhe është gjithashtu i njohur për letërsinë e tij erotike, por pak përtej rrethit të ngushtë njohin aventurat e tij rozë që, në rastin konkret, kanë çuar në një tragjedi familjare. Kjo edhe për shkak të frymës konservatore të kohës dhe deri diku “mosmbrojtjes së nderit të familjes” nga ana e Nuri Vilës, që vinte nga një familje fisnike. Një letër testament, e shkruar në frëngjisht nga Nuri Vila, gjakftohtë para vdekjes, ka ngelur ende në familje.
Të dy, Nuriu dhe Mitati, vinin nga Frashëri, por nuk kishin lidhje farefisnore, përveçse krushqi. Mitati ishte ndërkohë kushëri i dytë i Lytfi Zavalanit, duke qenë se gjyshet e tyre, Fatime dhe Emine Myteveli ishin motra nga fshati Panarit i Korçës. Mitat Frashëri nuk la pasardhës, sa dihet nga historia. Ndërsa djali i Nuriut, Skënder Vila, jetonte me të ëmën në Paris dhe erdhi në Shqipëri për një vizitë të shkurtër në fillim të viteve 1930. Ai kishte shumë miqësi me Jusuf Vrionin, përkthyesin në frëngjisht të shkrimtarit të madh Ismail Kadare. Skënderi u martua me vajzën e një sheiku arab dhe me mbylljen e Shqipërisë nën regjimin komunist, nuk dihet më tepër prej tij.
Please follow and like us: