Cikël poetik nga Agim Xh. Dëshnica
DËGJOJ, NJË ZË SJELL OQEANI
Në breg kur dallgët s’i merr gjumi,
ashtu si unë, nëpër kujtime,
kam dal dhe endem si ajri vetë,
të sodis purpur mbi valë
fytyrën diellit t’ia shoh sërish,
pas yjesh nate, që shkuan të flenë,
sy e duar në ngjyra të përvëloj.
Më dridhëron gjëmimi i thellë,
te gjoksi i lagur i shkëmbinjve,
ku ulen e brofin pulëbardhat,
kur dallgët bien e ngrihen si valle,
e shtërgu digjet pas reve larg,
nëpër zhaurimë të kap një zë,
tek vjen me ditën mbi krahë të erës.
më fanitet djaloshi Memli,*
fytyrë e trishtë, ndodhish tragjike,
me ballin dritë e sytë e zi,
te një Kështjellë legjendare,
mbi hon shkëmbor te Kroi i Vajës
nën hijet fresk, përmes ullinjve,
drejt degësh e hardhish të brishta,
i dashuruar pas ngjyrës së qiellit!…
Hedh sytë përpara, drejt oqeanit,
dëgjoj ankime nga thellësi pa fund,
rënkime valësh ndër shkumëzime,
një thirrje nga zemër e re,
tek zbret me pulëbardhat,
më vjen pranë, ulet e rrëfehet!…
………
Boston Mass, qershor 2005
* Memli – personazh kryesor në romanin “Gremina e dashurisë” të Mustafa Greblleshit.
QIELLI I I SYVE TË TU
Në buzëmbrëmje me yje e zefir
teksa dita po ikte e bëhej fir,
qielli i syve të tu në sytë e mi,
endej e prehej në shpirtin tim.
thellë në zemër me dridhërim.
Një poezi, me thirrma më kërkoje
e yjet lart mbi hënë m’i tregoje.
Ah! pranë teje në at muzg mbi det,
i lumtur shfrehja- poezia je ti vet.
Tirane 1951.
ZBRISJA POSHTË NË LUMË
Zbrisja poshtë në lumë
gjithë natën i pagjumë.
Hëna shndrinte lart në qiell,
deti frymë e fresk kishte sjellë.
Zbrisja poshtë, udhë pa udhë,
nën yje dhe nëpër muzg.
S’ndihej asnjë uturimë,
sipër barit as fëshfërimë.
Zbrisja poshtë te një urë,
s’ia mësova emrin kurrë,
me fenerë, por pa legjendë,
harqet hekur këmbërëndë.
Zbrisja udhës tatëpjetë,
hijet ngjiteshn përpjetë.
Hidhja hapat me ngadalë,
për te lumi pa asnjë valë.
Zbrisja poshtë e lart veshtroja,
e me yjet kuvendoja,
përvëluar nga një brengë,
përgjëruar për një breg.
përmalluar për një urë,
harqet radhë gurë mbi gurë.
Zbrisja poshtë tek uji i fjetur,
va, burime për të gjetur,
baltë e shkurre, plot me mall,
të thërrisja nëpër zall…
Medford, 9 prill 2005.
NEONËT NË HARVARD
Harvard- Kembrixh,
një tren ndalon, tjetri u nis.
Me qindra vijnë, me qindra shkojnë
në radhë, të shpejtë nëpër neonë.
Një burrë i zbardhur, vrik, ndali portën,
për një zonjushë hirëplote,
studente e shkathët si vetë rinia,
e pastër, e ardhur posi selvia.
E mori si shpërblim
një “thenk ju!”
E mori si kujtim
një buzëqeshje.
E mori si dhuratë
një dorë të ngritur lart.
Ndaj zemra i rrahu si dikur.
U lumturua, një mall e zu…
Djaloshi i urës mos u rizgjua?
Befas u shkund, u dridhërua
tymnajë harresash
u nda, u përça, u shpërnda…
tej larg, teksa po ngrysej,
dhe Osumi po terratisej,
një djalë ëndrrash në urë, mbi shtjellë,
e la folenë e ngrohtë nën kështjellë,
Tomor, Shpirag, valë e va,
tymra e re, skaj më skaj.
*
Një tren ndalon e tjetri shkoi,
studente e hijëshme fluturoi.
Shikimi i ëmbël nuk di se ç’la,
e dorë e bardhë nuk di seç dha
buzëqeshje e çiltër, nuk di seç tha,
veç la një emër, Ana Sofi,
Ana Sofi, Ana Sofi…
NË MJEGULL TRAGJEDISH
Shekspiri mendueshëm ecën në muzg,
Pelerinë e flokë supeve, era ia trazon.
Ngjitet e ngjitet nëpër shkallët e gurta.
Shfaqet lart nën hije resh të murme,
në kulla, bedena këshjellash tragjike.
Në pallatet e ngrysur hyn,
shkel në gjurmë,
mbretërish e mbretëresash,
princash e princesash,
kalorësish hijerëndë.
Heton me radhë intrigantë,
hapa besnikësh e rojesh,
Qorton vetvrasës, fli mashtrimesh;
qan të dashuruarët e pafaj;
ndëshkon vrasës të pabesë.
Në kulla, bedena e shkallë të gurta,
veç terr, pluhur, frymë shkretëtire.
Ndër sallat mister, hijet sillen qark,
pa shenjë, pa fjalë, veç heshtja flet,
nga thellësi e mjegullt e kohrave.
Kupolat kumbojnë,
nga zëri titanik i perandorit:
Dhe ti o Brut, kamën vrastare ngre?!
Atëhere bjer o Qesar!
Në sallat e hollet e zymta,
ushton thirrja tragjike
e princit Hamlet:
Të rrosh a të mos rrosh,
kjo është çështja!
O prapësi o dreq,
që unë paskam lindur të të ndreq!
Makbeth! Makbeth!
Më kot! Më kot! lan duart e krimit;
Zonja Makbeth, Pylli i Brinjës lëvizi!
Bujar Makdafi, vjen për ndëshkim!
Shekspiri kundron trishtueshëm,
sallat spërkatur me gjak hakmarrjesh.
U qetëson plagët trimave të drejtësisë,
përcjell me dhimbje të ndershmit e pafat;
gjurmë gjaku fshin në shtegun e jetës;
kumte të ndritur, lë për njerëzimin.
FËMIJËRI
Ah! më s’ka, fëmijëri,
me një fyell pranveror,
as mendime përmbi urë,
llampa më s’ndriçon në shtyllë.
Nga të prapë e të pabesë
shëmbur kulla e Sahatit,
prerë ujët e burimit.
Më s’gjëmon sovaku i bardhë,
rrema nuk rrjedh më tatëpjetë,
pranë shelgjesh e kavakësh.
Kazma bishë e spatë e egër,
rrafsh shtëpia plot dritare.
S’ka më lodra, s’ka më ëndrra,
një shkreti bahçe e blertë,
asnjë hije, pa freski,
më s’ka man e s’ka më shegë,
degët fiku më s’ngre mbi mur…
O moj dallgë e bardhë e detit,
tek shkon tutje a kthen në breg,
më kujton me atë zhurmë,
vitet që nuk kthehen kurrë.
ZGJIM NË BERAT
Berat, Berat, bahçe, ulli
me gaz e dhimbje, brengë e lule,
me derë bujare dhe me dolli,
ballin krenar mos e përule?
Sipër çatish -kala, kullë, bedena,
tregomë për gjak në ujë, nën urë,
për pleq të zbardhur vajton dhe hëna,
për nusen, qajnë drurë e gurë.
Berat i lashtë, muret e rëndë,
me myezinë e kambanore.
Berat fisnik e plot me mend,
me ballin lart një përmendore.
Përzë nga supet akull e mjegull Tomori,
heshti stoçeni mbi rrjedhë të Osumit,
dritë mbi Shpirag, kreshta flakë mori,
dritaret hapen, çojnë shpirtrat nga gjumi…
JONI BLU
Joni jonë nën breg, bruz e blu,
hapet magjishëm me valë e zhurmë,
qilim smeraldësh shtron në fund,
në guva lahet me rreze e shkulmë.
Në gjoks shkëmbejsh suvalat varg,
thyhen, rrëzohen me shfryrje të thella,
hiqen mbrapsht, humbasin larg,
tundin, anojnë lundra e vela.
Avuj, stërkala, stoli të dritës.
Nga algat çohet ylberi hark
mbi drurë e ajër, në maj’ të Çikës,
shkëlqim e ngjyra shpërndan përqark.
Rrëshkasin retë nga Llogaraja
ndehen e shtillen në fluturime,
ndërrojnë ngjyrat si në përralla,
skuqen e digjen në flakërime.
Thirrje të lashta, jehona, vozitje,
larg brigjesh joshje, mirazh, habi.
Gjëmim i mbytur, një çast fashitje,
por diç në zemër, më sjell trazi.
Liri e fllad, freski gjithkund,
tisi i purpurt mbi gulfe e shkumë,
n’ horizont diell e muzg, bruz e blu,
ulen mendueshëm, brofin me zhurmë…