Albspirit

Media/News/Publishing

Irma Kurti sjell në shqip poeten italiane, fituese të çmimit Nobel, Grazia Deledda

 

 

 

 

Libri botohet nën patronazhin kulturor të Enciklopedisë Poetike, Wikipoesia dhe mban logon e Shtëpisë Botuese “Lena Graphic” në Prishtinë

 

 

 

Poetja, shkrimtarja dhe përkthyesja Irma Kurti sjell nën logon e  Shtëpisë Botuese “Lena Graphic” në Prishtinë librin e titulluar “Rrëzohet një gjethe” të poetes – fituese të çmimit Nobel, Grazia Deledda. Libri përmban poezi, prozë poetike dhe aforizma dhe botohet nën patronazhin kulturor të Enciklopedisë Poetike, Wikipoesia.

Irma Kurti është pjesë përbërëse e Komitetit të krijuar në Itali brenda Enciklopedisë Poetike në nderim të poetes së madhe italiane me rastin e 150-vjetorit të lindjes së saj. Ai ka për qëllim të përkujtojë Grazia Deledda-n, në veçanti guximin dhe idealin e saj, faktin që ajo, një grua, poete, nënë, arriti emancipimin personal përmes aftësive dhe kompetencave të saj.

Komiteti Kombëtar i kryesuar nga Renato Ongania (presidenti i mëparshëm i Enciklopedisë Poetike) bashkon shoqata dhe individë që dëshirojnë të nderojnë figurën e  poetes së vetme italiane që u nderua me çmimin Nobel për Letërsinë më 10 dhjetor 1926 me motivacionin: “Për forcën e saj si shkrimtare, frymëzuar nga një ideal i lartë, që e portretizon jetën me një lloj plasticiteti, ashtu siç është në ishullin e izoluar ku ajo lindi, dhe që trajton me thellësi dhe ngrohtësi problemet me interes të përgjithshëm njerëzor”.

Irma Kurti ka botuar njëzet e tre libra në gjuhën shqipe, shtatëmbëdhjetë në italisht dhe gjashtë në anglisht. Po ashtu, ajo është përkthyese e 8 librave të autorëve të ndryshëm, si dhe e të gjitha veprave të saj të përkthyera në italisht dhe anglisht.

Kopje të këtij libri do të jenë pjesë e Bibliotekës Kombëtare të Prishtinës, Bibliotekës Nacionale të Tiranës si dhe e disa bibliotekave në Itali.

 

 

Please follow and like us: