Pirro FOTIADHI: In memoriam, Llambro Ruci
Llambro RUCI, KRIJUESI I JASHTËZAKONSHËM MODEST. NJERIU MENDJENDRITUR ME VLERA RREZATUESE!
Portret i paautorizuar në përkujtimin e Përvjetorit të Ditëlindjes, të poetit, prozatorit, eseistit, krijuesit elitar, intelektualit modest, Llambro Ruci.
Në vend të prologut…
Nuk janë të pakta figurat dhe personalitetet, që në rrjedhën e rrugëtimit jetësor, mundën të krijonin histori dhe gjurmë admiruese, duke ofruar përpos të tjerash, vepra dhe një trashëgimi shpirtërore, artistike dhe njerëzore, të cilat sado vite të kalojnë, nuk do të harrohen kurrë. Kësaj plejade natyrisht që i përket edhe poeti, publicisti, mendimtari, përkthyesi, eseisti, intelektuali Llambro Ruci.
Sot në këtë ditë krejt të veçantë që lidhet me ditëlindjen e tij, të një njeriu dhe krijuesi për të cilin ndonëse spikati për një sërë vlerash, çuditërisht heshtet dhe flitet shumë pak. Ndaj, lipset në nderim të kujtimit të tij të shenjtë, për të reflektuar dhe sjellë këndvështrimin e jetës dhe personalitetit, potencialin mbresëlënës e krijuesit të dlirë dhe gjithë kontributdhënien e vyer në fushën e letrave shqipe.
Me bindjen natyrisht, se referenca dhe përkushtimi do të jetë i paarrirë dhe paksa jo i plotë, duke u përpjekur me objektivitet për të prekur e sendërtuar realitetin e rrugëtimit të tij jetësor.
Në flakërimin dhe zjarrminë e përditshme të cinizmit të kohëve, si edhe të një bote që të gjithë ne, me heshtjet tona po kontribuojmë që të shuhet, si do të mund të shprehemi me vlerësime për Llambro Rucin, njeriun shpirtëror, intelektualin, krijuesin, poetin, dijetarin, eseistin, përkthyesin, publicistin, gazetarin, historianin, studiuesin, enciklopedistin, bashkëbiseduesin dinjitoz, krijuesin emblematik që u shfaq dhe rrezatoi për disa dekada rradhazi.
Si një personalitet i shquar me një kontribut madhor, nderimi i tij përmes këtyre radhëve modeste, gjithësesi është një sfidë paksa e vështirë. Sepse mbresat dhe impresionet janë ende të gjalla prej komunikimeve kur ai ishte vital, energjik dhe dinamik në veprimtarinë e tij të përditshme. I mbisunduar prej ndjenja emocionale, kurrësesi nuk do të mund të perifrazoja apo shkruaja, nëse nuk do të ekzistone eleganca e një njeriu modest e fjalëpak siç ishte njeriu i pendës dhe i dijes, Llambro Ruci. Që si një misionar plot ambicie dhe zell, përmes talentit dhe mendjemprehtësisë së një krijuesi, mundi të depërtonte me meritë në shpirtrat e masës së gjerë të lexuesve. Duke mbetur dhe u lartësuar në Panteonin e Vlerave meritore të letërsisë, kulturës dhe të trashëgimisë kombëtare si një prej personaliteteve më të shquara të kohës sonë.
Aradha homazhi e përkushtimi, në kujtim të një gazetari dhe krijuesi dinjitoz e të shkëlqyer si një impakt të domosdoshëm dhe tepër minimal vlerësimi, dashurie dhe respekti. Për një personalitet model formimin e lartë letrar, për një ndër më të spikaturit krijues,me këndvështrime autentike dhe të larmishme në orientimin letrar të veprës së tij, një publicist dhe poet të plejadës së brezit të tij, në lëmin e letërsisë shqipe.
Llambro Ruci ishte simbioza e një jete dinamike, e një figure të mirëfilltë intelektuale vizionar, zëdhënës i një fryme ndërgjegjësuese dhe emancipuese, e një mendimtari shumëdimensional tepër modest, që u shqua si shkrimtar, eseist, filozof, poet, prozator, përkthyes, duke na lënë një trashëgimi të paçmuar e të jashtëzakonshme në fushën e dijes, atë të kulturës dhe të letrave shqipe.
Jeta aktive e një letrari krijues me temperament pasionant, e harmonizuar me vizionet e një protagonisti shpirtëror, konsistonte që hapësirat e opusit letrar të Llambro Rucit, të konfiguroheshin në përmasat e një krijimtarie universale, me një pjekuri të rrallë, falë performacës dhe erudicionit të lartë. Natyrisht e kombinuar me një përpjekje shumë unike intelektuale, të origjinalitetit të veçantë me stilin shprehës të autorit. Duke promovuar vlerat e talentit të mrekullueshëm artistik, të mishëruar me mendimin e mprehtë dhe mjeshtrinë, për të nxjerrë në pah një mozaik shumëngjyrësh dhe plot ngjyra të perfeksionit letrar, sa tërheqëse po aq edhe të spikatura.
Misionari i heshtur Llambro Ruci, në vetëdijen e bashkëkohësve dhe bashkëqytetarëve të tij, është memorizuar jo vetëm si një njeri i vërtetë por edhe si një krijues i rëndësishëm modest, me potenciale të fuqishme krijuese. Punëshumë e fjalëpak, paksa i brishtë, por me integritet dhe vizione, ashtu sikundër një krijues me vlera të jashtëzakonshme dimensionale mbresëlënëse
Rrugëtimi jetësor…
Personaliteti simpatik dhe i shqetësuar i letrave shqipe, Llambro Ruci, një krijues, publicist, poet, studiues dhe përkthyes, erdhi në jetë, një ditë të ftohti dimri të Shkurtit, teksa kalendari shënonte datën 2 Shkurt 1946, në familjen e Jorgo Rucit si edhe të ëmës Efrosina Dhrako.
Vitet e fëmijërisë së hershme i kalon në vendlindjen e tij, në Dhërmi pranë familjes, nën kujdesin e prindërve tepër të zellshëm dhe optimiste, të cilët u përpoqën e ofruan mundësitë respektive që ai të rritej sa më i shëndetshëm e të ndiqte rrugën e përzgjedhur prej tij në jetë. Ashtu sikundër edhe duke e edukuar dhe mirërritur në fokusimin dhe ngjizjen e virtyteve, të thelbësoreve vlera morale të jetës, ashtu sikundër edhe me dashurinë për traditat e vyera e të lavdishme të Himarës.
Pas fëmijërisë e tij të hershme, starton dhe vijon mësimet paraprake pranë shkollës 7-vjeçare të Dhërmiut, ku gjatë kësaj periudhe kohore, ai pavarësisht parapëlqimeve të lojërave fëmijërore zbavitëse në mjediset e hapura të fshatit, teksa vraponte këmbëzbathur si gjithë djemtë e vegjël të Dhërmiut, filloi të tregonte vlerësimin e tij për dijet dhe veçanërisht librat. Paralelisht dëshmonte një nxënës të përpjekur, sistematik e këmbëngulës në përvetësimin e dijeve. Kësisoj përfundon me rezultate të larta mësimet e shkollës 7-vjeçare «Gjika Bixhili», në vendlindjen e tij.
Me përfundimin e këtij cikli, për hir të rezultateve të arritura, Llambro Ruci përfiton të drejtën e studimit për të vijuar mësimet pranë Politeknikumit «7 Nëntori» në Tiranë, në specialitetin elektrik. Ndjek me seriozitet mësimet pranë kësaj shkolle, duke spikatur për zhdërvjelltësinë dhe këmbënguljen sistematike në përvetësimin e të fshehtave të profesionit të elektriçistit. Përfundon ciklin mësimor pranë kësaj shkolle me rezultate të larta në vitin 1964, ku edhe diplomohet si Elektriçist, duke përmbushur më së miri një prej ambicieve të tij.
Fillimisht emërohet si elektriçist në një ndër veprat më të rëndësishme të kohës, siç ishte Hidrocentrali i Bistricës në rrethin e Sarandës. E në vijimësi kalon pranë Nënstacionit elektrik të qytetit të Sarandës.
Në këtë periudhë kohore, starton studimet universitare në degën e gazetarisë të Universitetit të Tiranës. Vitet studentore, realisht ishin vitet e sfidave mbisunduese, në formimin e tij të gjithanshëm si gazetar dhe publicist. Pas përfundimit të studimeve dhe diplomimit si Gazetar, Llambro Ruci, fillimisht do të angazhohet si redaktor pranë revistës «Nëntori». Mandej do të vijojë karrierën e tij publicistike në gazeta dhe organe të tjera të shtypit të përditshëm, si Kryeredaktor në revistën «Ylli».
I angazhuar në fushën e publicistikës dhe gazetarisë, Llambro Ruci i shërbeu me devotshmëri dhe korrektesë, shenjtërisë së fjalës dhe lirisë të të shprehurit, si pasuri dhe thesare të vyera e të patjetërsueshme të personalitetit dhe backgraundit të tij individual.
Me frymëzim dhe mjeshtëri mahnitëse, Llambro Ruci si një personalitet emblematik, por njëherazi edhe simpatik, trajtoi motive njëri më aktual se tjetri, si edhe tematikat e njohura në fushën e publicistikës. Duke ravijëzuar portretin e një misionari të përkushtuar, korrekt dhe me vlera shumëdimensionale të jashtëzakonshme.
Llambro Ruci, në çdo hap të rrugëtimit të tij, vlerësuar nga një këndvështrim real, dëshmoi se ishte jo vetëm vizionar, por edhe një krijues me talent të veçantë, si poet, publicist, prozator, studiues, apo përkthyes me synime përherë ambicioze artistike.
Kolana e pasur e botimeve të tij, me mendimin e tij krijues, me stilin e tij individual impresionues, si thesare të heshtura magjepsëse të veprave letrare, do të përcjellin brez pas brezi një urtësi të lashtë dhe vlera unikale tepër të vyera.
Krijimtaria poetike…
Ndjeshmëria e instinktit gazetaresk të Llambro Rucit, dukshëm dëshmohet në stimulimin e shqisave poetike dhe në raportet e krijuesit, ai me një stil krejt të veçantë, dhe sugjestivitet, transformon estetikisht vërshimin realitetit të larmishëm, në një mënyrë të tërthortë e tepër vlerësuese.
Si një figurë modeste krijuese, Llambro Ruci,mund të nënvizojmë, se qysh në moshë të hershme, nisi të dallohej dhe ravijëzonte gradualisht profilin e një bote të pasur dhe shpërthyese, një performancë krijuese, me një etikë dhe forcë emocionale tepër admiruese. Në fushën e letrave starti i fillesave të tij, ravijëzohet në dekadën e viteve 60-të, duke u shfaqur në gazeta e revista të kohës me poezitë e tij të para. Përmes ngjyrave poetike emocionuese,e një ligjërimi mahnitës, vizioni poetik i tij, shpalos vargje tërheqëse, me qasje të dukshme mjaft lirike, sesa narrative, duke ndjekur bukurinë, koloritin dhe ravijëzuar tendencat e dukshme ambicioze të arritjes së përsosmërisë figurative.
Në vitin 1967, duke folur me zemër të hapur, por njëherazi edhe me thjeshtësi dhe qartësi, rishtari poet Llambro Ruci, boton vëllimin e parë me poezi, «Jam elektriçist». Një përsiatje teksa i nxitur dhe motivuar prej momenteve të mrekullueshme përjetuese të mbisunduara prej ndjeshmërive emocionale, tek lexuesit, ofrohet një tipologji poezie e perceptueshme. Një tip vargu, i cili dukshëm flirton me modestinë dhe përulësinë, duke nënvizuar faktin, se poezitë shquheshin për larmishmëri dhe detajet e gjetura funksionale.
Përmes një gjuhë rrjedhëse të strukturës narrative dhe gërshetim letrar, përshkrim kuptimplotë semantik dhe sensualitetit, ai e shndërron kozmosin e tij poetik, duke mishëruar dhe ravijëzuar frymëzime artistike shumëngjyrëshe dhe mbresëlënëse, plot freski në vëllimin poetik «Shpërthim Prilli”- vjersha dhe poema,botim i vitit 1976.
I ngjizur me një çiltërsi të skajshme për dashurinë e zjarrtë e jetën, në motivin e etjes për të jetuar intensivisht, në vullnetin dhe disponimin e tij, vërshojnë mesazhe shpresëdhënëse dhe optimizëm i pakufi, për të ngrohur zemrat njerëzore. Të tilla motive shpalosen artistikisht dhe gëlojnë fuqishëm në përmbledhjen «Mall», poezi të botuara në vitin 1986 nga ana e Shtëpisë Botuese N. Frashëri.
Çdo poezi, çdo ëndërrim, do përsiatje mbart diskursin e vet, posedon thelbin e saj, urtësinë ashtu sikundër edhe zërin e vet origjinal. Ky është lejtmotivi krijues që shpërfaqet gjerësisht në poezitë që mbajnë vulën e krijimtarisë së Llambro Rucit. E kjo dëshmohet më së miri në vëllimin poetik «Mes njerëzve», botim i Shtëpisë Botuese N. Frashëri në vitin 1982, si edhe me vëllimin «Motive të ditës», botim i vitit 1978. Ashtu sikundër edhe në antologjinë poetike «Në këmbë, vëllezër», me përmbledhje poezish të përzgjedhura prej poetëve zezakë të shekullit XX, në vitin 1982, nga ana e Shtëpisë Botuese «Naim Frashëri» në Tiranë.
Pasur parasysh faktin se vetë poezia është jetë, ajo lind komunikimin dhe çel përherë imazhe gëzimi, veprimi dhe madhështie, poeti sendërton me thjeshtësi, kuptueshëm, por hera-herës edhe me shpërthime lirike, rrugëtimin e tij, drejt të vërtetave jetësore, tek vëllimi poetik «Gërma dashurie» – Lirika, botim i vitit 1973, nga Shtëpia Botuese «Naim Frashëri.,
Llambro Ruci, thellësisht njerëzor, i vërtetë, solid, duke vlerësuar përmbajtjen e fjalëve, në lirikat e tij, depërton me mjeshtëri në sekretet e jetës, duke u përpjekur të interpretojë alternimet dhe kontradiktat, duke synuar jo vetëm prekjen e shpirtrave, por gjithësesi në zgjimin e tyre.
I ngjizur me frymën e kohës, përmes vargjeve që magnetizojnë shpirtin dhe dëshirat e lexuesit, çdo varg pa e tepruar shquhet, për ëmbëlsi muzikore,emocionalitet, ashtu sikundër edhe për idetë e tejshtrira, në një strukture dhe simetri, përmes të cilave shndërrohen në bartëse dhe përçuese mesazhesh unikale.
Në përmbajtjen dhe thelbin e vokacionit shumëdimensional krijues, me përmbledhjet e tij poetike, Llambro Ruci ka arritur të formësojë dhe kristalizojë disa karakteristika themelore, që u japin poezive të tij një karakter të veçantë dhe formatojnë personalitetin e tij poetik,«unin» e tij, «zërin» e tij krejt të veçantë dhe të dallueshëm.
Në performancën krijuese poetike, duhet thënë se spikat edhe vëllimi «Ndërtuesit e vegjël», poemë për fëmijë, e botuar në vitin 1978, teksa poeti Llambro Ruci, me mjeshtëri shpërfaq me sukses indiciet e tij me tematikat interesante të moshave fëminore dhe një lirizm tejet impresionues.
Si një idealist i rrallë, por njëherazi edhe si një figurë poliedrike, tiparet kryesore të personalitetit krijues të Llambro Rucit, ishin pasioni dhe modestia në pasqyrimin e realitetit, sensibiliteti dhe butësia e karakterit të tij. Si një interpretues i madh i zërit të kohës, por edhe kohëve të largëta, përmes fantazisë së tij krijuese shumëdimensionale, me artin e të shkruarit, ai u shndërrua në një penë misionare realiste e njëherazi vizionare plot dritë e së ardhmes. Me këmbënguljen e një misionari të përkorë, gjithë muzën e tij frymëzuese dhe dashurinë e flaktë për vendlindjen, ai e dëshmoi më së miri me botimin permanent, «Himara, Zërat e Akrokerauneve: rrëfime, përshkrime, dokumente dhe këngë». Duke ravijëzuar dhe shpërfaqur potencialin shpirtëror të një krijuesi enciklopedik, skrupulozitetin ekselent në rrëfimin e përshkrimin e ngjarjeve të rëndësishme e kulmore në historinë e ndritur të trevës së Himarës. Një këndvështrim me qasje serioze dhe pragmatike, që synon të thellojë gjithësesi perceptimet hulumtuese, një himn dashurie e përgjërimi i tejshtrirë në kontekstet historike, sociale, kulturore dhe antroplogjike.
Krijimtaria voluminoze, aradhat plot frymëzim e pasion, shumëpërmasorja trashëgimi letrare e tija e mbisunduar dhe e prirur prej dimensioneve dhe ideve reale, ndikojnë realisht që imazhi dhe kujtimi i personalitetit të Llambro Rucit të jetë i pavdekshëm në Përjetësi.
Llambro Ruci, një figurë e shndritshme emblematike mendjehapur dhe tepër rrezatuese njerëzore, modeli i intelektualit,me kontribute të çmuara si pakkush tjetër, me një krijimtari të gjerë nga ku mund të prmendim monografitë dhe esetë studimore si «Llambro Andoni», «Ali Pasha, tiran apo reformator», «Pëshpërima për të tjerë e për vete: esse, prozë e poezi dhe përkthime» etj.
Publicistika dhe gazetaria…
Ndër më të rëndësishme pasione jetësore të Llambro Rucit, mund të veçohet edhe gazetaria, si një tribun dhe kontributdhënës i suksesshëm i medias. Angazhimi i tij energjik dhe i vrullshëm ravijëzoi përmasat e një gazetari impulsive dhe koherent, tepër konsekuent dhe të talentuar, me interesa të gjera dhe vizione profesionale bashkëkohore. Në rrugëtimin e tij modest drejt gazetarisë, ai shquhej dhe ishte i gatshëm përherë në shërbimin madhor të misionit të tij të përndritur, si një reporter i momentit, i aktualitetit, i ngjarjeve dhe cilësdo konjukture artistike apo veprimtarive të shënuara kulturore.
Me talentin e tij, Llambro Ruci si një gazetar dhe vëzhgues i kujdesshëm, i cili duke u përballur me sakrifica të panumërta dhe sfida të jashtëzakonshme, me një gjuhë të qartë e të rrjedhshme, përmes stilit të tij personal të të shkruarit dhe përshkrimit, si edhe frazeologjisë së pasur mbresëlënëse, duke rendur pas realitetit dhe ngjarjeve, ofron kontributdhënien e tij në rubrika dhe shkrime tematike, si reportazhet, përshkrimet, mbresat apo intervistat.
Përmes entuziazmit e shpirtit të tij të shqetësuar dhe krijues, me penën e tij gazetareske dhe talentin e tij në gjuhën e shkruar, Llambro Ruci ofroi dhe la gjurmë admiruese në të gjitha zhanret e publicistikës shqiptare moderne.
Asnjëherë do ta harrojmë përkushtimin e tij ndaj shtypit periodik me kontributdhënien e tij sistematike e të palodhur fillimisht në revistën «Nëntori», si redaktor e mandej në revistën «Ylli» si Kryeredaktor apo në vijimësi në në gazetën «Drita», si edhe në revistat «Arbër», «Art», ashtu sikundër edhe si Kryeredaktor i Suplementit letrar «ABC-së». Integriteti i karakterit të tij, dashamirësia, skrupuloziteti dhe besimi në etikën gazetareske, do të mbeten përherë një shembull frymëzues për brezat e gazetarëve të rinj. Llambro Ruci nuk ishte vetëm gazetar i thjeshtë, as ndonjë publicist i privilegjuar, por një personalitet i përkushtuar me ide novatore, një qenie intelektuale me interesa të gjera për letërsinë, poezinë, prozën, historinë, kulturën duke u mbisunduar sistematikisht nga ambicie dhe dëshira të forta krijuese.
Në botën e përkthimit…
Përkthimi letrar përbën një fushë krejt të privilegjuar dhe tepr elitare të përkthimit. Thelbi i tij konsiston që me profesionalizm, me mjeshtëri dhe fantazi, përmes një stili dhe gjuhe të goditur, të mund të pasqyrosh e ofrosh një realitet krijues në gjuhën amtare.
Në çdo rast, synimi thelbsor, lidhet kryekput me rolin e përkthyesit, si një ndërmjetës ndërkulturor, i cili është formuar nga koha e tij, duke mundësuar në formatimin e nj vlere reale, një lloji krejt i veçantë interpretimi artistik, por me qasje aktuale dhe njëherazi një vështrim në të ardhmen.
Si një studiues dhe njohës i thellë i të gjithë letërsisë së lashtë greke, Llambro Ruci, me pasion e seriozitetin më të madh, iu përvesh punës ambicioze artistike, jo vetëm për të ravijëzuar një identitet të vetin krijues si përkthyes dhe shqipërues. Por njëherazi për të mundësuar dhe për të ofruar me besnikëri dhe skrupulozitet, nivelin e lartë artistik të këtyre veprave jashtëzakonisht rrezatuese emërnjohura.
Punimet e Llambro Rucit në përkthimin e veprave të rëndësishme të antikitetit, por paralelisht edhe të krijimtarisë poetike të krijuesve grek% me reputacion në shkallë ndërkombëtare, si nobelisti Odisea Elitis, të Konstandino Kavafit, të Janis Ricos, të Renos Apostolidis, të Nikos Engonopulos, por edhe të Safos dhe Homerit, realisht ofrojnë indicie dhe stimuj për reflektim dhe përsiatje.
Vlerësuar në një këndvështrim origjinal, si njohës dhe pasqyrues i jetës shpirtërore, duhet nënvizuar fakti se opusi i krijimtarisë gjithëpërfshirëse e të gjerë të Llambro Rucit, dëshmon një harmonizim të shkëlqyer të ideve dhe modeleve më të spikatura. Falë origjinalitetit të të shprehurit, por edhe muzës frymëzuese si edhe aspektit të shkathtësisë intelektuale të autorit.
Si njohës i thellë i artit të të shkruarit, por edhe përkthimit, shqipërimet e tij sqimatare përbëjnë një sukses të potencialit të tij letrar. Nëpërmjet fjalëve selektive e të gjetura, ai me frymëzim ofron himne shprese, përsiatje dehëse, emocionale, plot optimizëm, me një dimension të vrullshëm admirues shpirtëror dhe njerëzor.
Llambro Ruci, një personalitet i rrallë, shpresëmirë shumëdimensional, një poet me një sërë shqipërimesh të volumeve me përmbledhjesh poezish, një prej misionarëve më të përkushtuar, papritmas u nda nga jeta më 7 Korrik 2018, në moshën 72 vjeçare, një moshë relativisht të re dhe aktive.
Në vend të epilogut…
Shkrimtari i spikatur amerikan, Wayne Dyer nënvizon se « se qëllimet tona krijojnë realitetin, formojnë vullnetin tonë dhe krijojnë energjinë për të bërë gjëra të reja .Synimet tona krijojnë një shteg drejt energjisë krijuese universale për t’i bërë planet tona realitet».
Misionar i tillë ishte realisht Llambro Ruci, i zhytur dhe përkushtuar në energjitë krijuese universale, duke ofruar thesarin e pasurisë së tij shpirtërore, gjithë potencialin e dijeve të tij me me maturi, urtësi dhe gjykim, por edhe me plotësi dhe objektivitet.
Llambro Ruci, në çdo hap të jetës së tij intensive krijuese artistike, dëshmoi simbiozën e një individualiteti të lindur për të latur dhe i dhënë përmasa e hapësira pa kufi kumtit e fjalëve. Falë mjeshtërisë krijuese impresionuese, ai mundi të ofronte me bujari vlera admiruese të përjetshme artistike dhe njëherazi të pasuronte traditën e hershme poetike kombëtare.
Jeta aktive e një letrari krijues me temperament pasionant, e harmonizuar me vizionet e një protagonisti shpirtëror, konsistonte që hapësirat e opusit letrar të Llambro Rucit, të konfiguroheshin në përmasat e një krijimtarie universale, me një pjekuri të rrallë, falë performacës dhe erudicionit të lartë. Natyrisht e kombinuar me një përpjekje shumë unike intelektuale, të origjinalitetit të veçantë me stilin shprehës të autorit. Duke promovuar vlerat e talentit të mrekullueshëm artistik, të mishëruar me mendimin e mprehtë dhe mjeshtrinë, për të nxjerrë në pah një mozaik shumëngjyrësh dhe plot ngjyra të perfeksionit letrar, sa tërheqëse po aq edhe të spikatura.
Llambro Ruci, simbioza e një personaliteti shpirtëror të shquar të vendlindjes së tij Dhërmiut e Himarës, por edhe më tej, gjithë Shqipërisë, me angazhime dhe kontribute të shumta krijuese në letrat shqipe, në publicistikën dhe gazetarinë shqiptare, si edhe në jetën intelektuale dhe social-shkencore të vendit.
Shuarja e tij krejt e parakohshme, në momentet realisht kritike kur të gjithë ne, më shumë se kurrë, e ndiejmë të domosdoshme dhe imperative ndihmesën konkrete, sugjerimet dhe fjalët e urta të poetit-protagonist, të krijuesit dhe studiuesit mendjemprehtë, të intelektit krejt të veçantë dhe të bekuar të qenieve të përndritura, të cilët duke iu referuar traditave tona të hershme shpirtërore dhe historike, nuk na i ka privuar kurrë.
Mendjemprehti, skrupulozi, madhështori, Llambro Ruci, me krijimtarinë e tij voluminoze shumëdimensionale, padyshim që spikat si një personalitet me karakterin e tij plot integritet, duke u lartësuar si një figurë shumë e rëndësishme në historinë e afërt moderne të vendit ashtu sikundër edhe të Dhërmiut dhe Himarës. Ndonëse vdekja fatale e rrëmbeu befasisht duke i ndërprerë krijimtarinë brilante,frymëzimi, vepra e gjurmët e tij krijuese ofruan dhe do të ofrojnë lumturi dhe kureshtjen admiruese të gjithë dashamirësve lexues të sotëm por edhe atyre të ardhmërisë.
Ndaj sot, me mirënjohje falenderojmë me përzemërsi, njeriun e mrekullueshëm, ndriçuesin shpirtëror duke përkujtuar dhe nderuar bashkëkohësin tonë, krijuesin Llambro Ruci. I cili me objektivitetin dhe etikën e tij, me madhështinë shpirtërore dhe veprën e tij shumëdimensionale letrare, kapërceu kufijtë e vendit. Ashtu sikundër me përkushtimin dhe dinjitetin e individualitetit të tij krijues, të harmonizuar me talentin dhe aftësitë e të shkruarit, ka lënë një thesar të vyer dhe gjurmë krejt të veçanta për aktualitetin por edhe për brezat e ardhshëm.
Faleminderit bashkëkohësi ynë, brilanti Llambro Ruci për gjithçka që na ofrove dhe na mësove.
Mirënjohës përjetësisht, me përulje dhe dashuri!
Athinë, 02. 02. 2022.
Prof. Ymer Çiraku: In memoriam, poeti dhe përkthyesi, Llambro Ruci!