DOLLENBERG: PANDEMIA NË KOSOVË ZGJATË NËSE NUK VAKSINOHEN QYTETARËT
Kryetarja e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, Aurora Dollenberg thotë se pandemia në Kosovë mund të zgjasë me vjet, nëse qytetarët vazhdojnë të refuzojnë aktivisht vaksinën.
“Rritja e rasteve të vdekjes është e pritshme, kur shohim që përqindja e atyre qytetarëve me dy doza të vaksinës vazhdon që të mbetet më pak se 40 për qind (800 mijë banorë të Republikës së Kosovës), ndërkohë që pjesa më e madhe e Evropës e ka kaluar 75 për qind të popullatës së vaksinuar”, thotë ajo në intervistë për Albanian Post.
Sipas Dollenberg, shifrat në rritje të rasteve të reja me Omicron në Kosovë nuk duhet të nënvlerësohen.
“Të mos harrojmë që një përqindje shumë e lartë me shume se 60 për qind e qytetareve janë të pavaksinuar. Rreziku i te pavaksinuareve qe ta kalojnë COVID-19 me ecuri të rënda deri në vdekjeprurës është shumë i lartë”.
Megjithatë, vlerëson se marrja e dozës së tretë edhe në Kosovë, mund të parandalojë rastet e rënda.
“Doza e tretë është bërë domosdoshmëri për të parandaluar rastet e rënda te pacientet që edhe pse të vaksinuar infektohet sërish. Më shumë se 50 për qind e evropianeve e kanë marrë dozën e tretë, prandaj edhe Kosova duhet të orientohet tek protokollet e OBSH-së për një rifreskim të vaksinës, nëse doza është marrë para 6 muajve”.
Ajo shton se, “menaxhimi efektiv i kësaj krize të katër për Kosovën, do të ishte i rekomandueshëm më tepër modeli gjerman që masat kufizuese të vazhdojnë”.
Zyrtari për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, i pyetur nga Albanian Post për vendosjen e masave të reja në Kosovë ka sqaruar se masat duhet të merrën bazuar në situatën epidemiologjike të vendeve.
“Secili shtet ndërmerr masa kundër COVID-19, bazuar në situatën e vet epidemiologjike indikatorët që e masin shkallën e përhapjes së infeksionit, projeksionet për ditët apo javët në vijim dhe karakteristikat e tjera ndërlidhur me situatën”, ka thënë Hoti për AP.
Ai bën të ditur tutje se, “në Kosove ekziston Zyra e OBSh-së dhe institucionet e Kosovës, kanë zbatuar që nga fillimi rekomandimet e kësaj organizate dhe të ECDC dhe konsultohen në vazhdimësi me to”.
Sipas tij, rekomandimet e OBSH-së janë vetëm orientim i vendimeve të shteteve.
“Rekomandimet e OBSH-së janë të orientuara për t’iu dhënë udhë –orientim vendimeve të shteteve, por shtetet i marrin vet vendimet bazuar në karakteristikat që i kanë dhe situatën epidemiologjike që e kanë”, pohon Hoti.
https://albanianpost.com/dollenberg-per-kosoven-pandemia-mund-te-zgjas-me-vite/