Albspirit

Media/News/Publishing

Si e përshkruante veten në intervistë noteja Rezarta Koçi?

I shpëtoi tritolit, por jo prangave. Me një histori të gjatë akuzash për mashtrim dhe kërcënime, më në fund policia i dha fund sherreve të noteres Rezarta Koçi me klientët e saj. Ajo do të përballet me akuzat për vjedhje dhe shpërdorim detyre, pasi prokurorët janë bindur se 40 vjeçarja i merrte para qytetarëve duke i mashtruar.

Rezarta Koçi nuk është një emër i padëgjuar për publikun. Vetëm pak muaj më parë, noteres iu vendos tritol në makinën e saj, por për fat të mirë, ngjarja shënoi vetëm dëme materiale. Ndër vite, për Rezartën ka patur një sërë denoncimesh, që kanë çuar deri tek heqja e licensës së saj. Por si për paradox, Rezarta vijonte të dilte në media duke folur për misionin e saj si notere, duke e krahasuar veten

 

Tritol makinës pas kërcënimeve në rrjetet sociale

Ishte nëntori i vitit të shkuar, kur ish-noteres Rezarta Koçi i vendosën tritol në mjetin e saj tip “Range Rover”, të parkuar poshtë apartamentit të saj, ku fatmirësisht ajo vetë nuk u lëndua, por pati vetëm dëme materiale. Hetimet po vijojnë për të identifikuar dhe kapur autorët, ndërkohë në media u publikua një mesazh kërcënues që Koçit i kishte mbërritur në Instagram. Në mesazhin dërguar Rezarta Koçit në 31 tetor, ditë që përkon edhe me ditëlindjen e saj, ish-noterja kërcënohet dhe ofendohet. “Pershendetje, edhe ditelindjen e ke per halloëeen sic ke fytyren, te gjitha pislleqet qe ke bere me ate te ndjerin do i lash ne kete dynja. Shkofsh ne ferr kurve e ndyre”, shkruhet ne mesazhin e derguar nga profili me emer “bbb31_”.Policia e mori këtë mesazh si provë, por pa mundur të arrestojë autorin.

 

Nga puna si asistente e Eduart Halimit, tek heqja e licensës, kush është Rezarta Koçi

40-vjeçarja është e njohur në rrethin e noterëve, pasi dikur ka punuar në stafin e ministrit të Drejtësisë Eduard Halimi, duke qenë asistente e tij. Rezarta Koçi punonte dhe si pedagoge e jashtme në një nga Universitetet private në Tiranë. Prej muajit maj të vitit 2021, Koçi ka humbur dhe licensën e noteres. Një ankesë në Ministrinë e Drejtësisë bëri që me urdhër të Etilda Gjonajt të nisnin hetimet dhe më pas procedimi disiplinor për Koçin. Në përfundim, Dhoma e Noterisë i hoqi licensën përgjithmonë. Rezarta Koçi ka lindur më 31.10.1981 në Tiranë. Ajo është diplomuar nga Fakulteti i Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës në degën “Punë sociale”. Më pas ka përfunduar Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti Justiniani I me rezultate të shkëlqyera. Krahas studimeve, znj. Koçi ka marrë pjesë në trajnime dhe aktivitete të shumta me fokus legjislacionin civil, të pronësisë, trashëgimisë, kontratave etj. Nga viti 2005 deri në vitin 2008 ka punuar si asistente e Zv.Ministrit të Drejtësisë Eduard Halimi. Më pas pranë Avokatutës së Përgjithshme të Shtetit në periudhën 2008 – 2009, si dhe inspektore e profesioneve të lira në Drejtorinë e Inspektimit pranë Ministrisë së Drejtësisë në periudhën 2011 – 2013. Prej vitit 2013 ushtron profesionin e noteres në zyrën e saj duke ofruar shërbime ligjore për korporatat më të mëdha shqiptare. Prej Janarit 2020, znj. Koçi është pedagoge e jashtme pranë Fakultetit Juridik, Universiteti Europian i Tiranës. Me një eksperiencë 15 vjeçare në fushën e drejtësisë, znj. Koçi është vlerësuar nga institucione vendase dhe të huaja si një ndër ekspertet më të mira në fushën e noterisë në Shqipëri.

 

Si iu hoq licensa në vitin 2021?

Një ankesë e mbërritur me email në Ministrinë e Drejtësisë, bëri që ky institucion të fillonte të hetonte Rezarta Koçin në vitin 2020. Ministria e Drejtësisë, me urdhër të ish-Ministres Etilda Gjonaj vendosi të niste procedim penal dhe të hiqte licensën e Rezarta Koçit. Një qytetar me inicialet K.G., u ankua se noterja nuk kishte përdorur në mënyrë të rregullt llogaritë bankare, dhe pas hetimit të Ministrisë së Drejtësisë u propozua të pezullohej përgjithmonë noterja Rezarta Koçi dhe të fillonte procedimi penal ndaj saj. Gjetjet e Ministrisë së Drejtësisë i mori në shqyrtim Bordi Disiplinor i Dhomës Kombëtare të Noterisë, i cili vendosi të pranojë kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë në datë 6 maj 2021.

Denoncimi për vjedhjen e lekëve tek “Stop”

Në emisionin Stop në Tv Klan ka ardhur një denoncim për noteren Rezarta Koçi, pak kohë më parë. Bëhet me dije se noterjaa marrë paratë që ishin kaluar në llogari për shitjen e një shtëpie. Qytetarja Drita Sula tregon se në Shkurt 2021 ia shiti shtëpinë e saj në Yzberisht shtetasit Ervin Qiriaqi. Kontrata e shit-blerjes u bë tek noterja Rezarta Koçi. Shuma prej 72 milionë Lekësh që u shit shtëpia kaloi tek llogaria e noteres, sipas ligjit, dhe më pas paratë duhet të kalonin në llogarinë bankare të shitësi brenda 24 orësh. Por kjo nuk ndodhi. Fillimisht noterja i tha, se nuk kishin kaluar paratë, por pas disa muajsh Drita informohet se blerësi i kishte derdhur paratë, por noterja nuk ia kishte kaluar. Në këtë moment bën denoncim në polici dhe në prokurori, ku çështja po ndiqet nga prokurori Albi Lulja.

Drita Sula: “Kisha një shtëpi në Yzberisht dhe e kam shitur vjet në 2 Shkurt 2021 tek notere Rezarta Koçi e cila na bëri gjithë praktikat dhe ia shiti Ervin Qirjaqit për 72 milionë Lekë. Ne e shitëm shtëpinë, dhamë hipotekën, dhe ajo bëri ndërrimin e emrit dhe do e çonte në Kadastër ku bëhen këto dokumente. Blerësi kaloi 72 milionë Lekë në llogarinë e noteres e cila duhet t’i kalonte brenda 24 orëve në llogarinë time. Me blerësin nuk patëm asnjë problem, na shkoi shumë mirë se lekët i hodhi të gjitha në llogarinë e noteres, por konflikti fillon me noteren që na mori 72 milionë Lekë duke shpërfillur ligjin. Mirë noterja që e bëri këtë muhabet, po bankat? Më duket absurde që si e lejojnë të marrin lekët nga llogaria jonë kur janë për shit-blerje të shtëpisë, së pasurisë time. Pasi kaloi 24-orëshi i hedhjes së lekëve në llogarinë tonë, pamë që nuk po kalonin, u shqetësuam edhe u lidhëm me telefona me noteren. Tha që blerësit nuk kanë kaluar lekët akoma në llogarinë e noteres. Pastaj kaluan ditët, javët, muajt, jo jam e bllokuar, kam probleme me gjyqin, më kanë hequr licencën, jam me corona. Mbylli telefonatat dhe nuk kemi asnjë lidhje. Nga Shkurti i 2021 që unë shita shtëpinë, vetëm justifikime, gënjeshtra, mashtrime, mbyll telefonat, edhe asnjë gjë.

Nga rrethanat që u bënë në këtë mënyrë, u detyrova të marr avokat që të më ndihmojë se bankat nuk na jepnin përgjigje në mënyrë personale. Nuk pranojnë që është faj i tyre. Faji ngelet mes noteres dhe bankave. Bankat lejuan që noterja lekët që ishin destinuar për ne i ka kaluar në llogarinë e njerëzve të tjerë. Dhe noterja dhe bankat janë fajtore. Duke qenë se banka lejoi noteren që të ketë akses në llogarinë bankare, këto lekë le të m’i japi banka se për këtë e kemi paguar shërbimin e bankës që të na ruajë lekët që t’i kemi të sigurta, se nuk jemi më në kohën që i mbanim lekët poshtë dyshekut apo poshtë jastëkut. Bashkë me avokatin, në Qershor kemi bërë denoncim në polici për këtë çështje. Policia e kaloi procedurën në Prokurori, dhe prokurori i kësaj çështje është Albi Lulja. Akoma nuk kemi asnjë lloj përgjigje. Do shohim dhe do hapim dhe gjyq pastaj se nuk kemi zgjidhje tjetër. Ironia e këtij problemi është që noterja nuk është se neve s’na i njeh lekët, na ka lëshuar dhe deklaratë noteriale që ajo ka bërë tek një notere tjetër që e njeh 72 milionëshin tonë që na ka marrë. Jemi as në qiell as në tokë”, shprehte qytetarja në denoncimin e saj.

 

Intervista

Për opinionin publik, Rezarta nuk është një emër i panjohur. Shpesh në media ajo ka folur për angazhimin e saj për gruan, por edhe për sfidat si notere. Më poshtë një prej intervistave të saj, ku flet për këtë angazhim të sajin dhe përgjegjësinë me të cilën pretendonte se e bënte këtë punë.

Pjesë nga intervista

Si është rutina e një notereje? Si fillon dhe mbaron një ditë e zakonshme për ju?

Të qenurit notere në mënyrë të pashmangshme të krijon një rutinë se si nis dhe mbaron dita. Fillon herët në mëngjes me kafenë që e kemi gjithmonë nga ekspresi i zyrës, takimet e panumërta , bisedat dhe konsulencat me klientët që shoqërohen në sfond nga zilja e celularit që nuk ndalon së rëni, oraret e gjata të punës, shtoji këtu kënaqësinë që merr kur ke zgjidhur një çështje apo ke bërë dy palë më në fund të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe nxitimi në fund të ditës për t’i shërbyer me devotshmëri edhe klientit të fundit që ka harruar që të nesërmen ka afatin e fundit.

A ka qenë 2020 një vit sfidues për noterët dhe nëse po, cilat kane qene problematikat me te mëdha?

Ashtu si për secilin prej jush, 2020 deri në momentin që flasim, në fakt ka qenë një vit i vështirë edhe për noterët duke marrë parasysh situatën e krijuar nga Covid-19. Gjithsesi fillimi i 2020-ës ka nisur mbarë pasi më në fund tashmë noterët kanë sistemin online të përpilimit të akteve/ veprimeve noteriale, sistemin NISA, i cili është një platformë që bën të mundur punën, raportimin online të veprimeve financiare , lidhjen në kohe reale me Agjensinë Shtetërore të Kadastrës , drejtorisë së pastrimit  të parave dhe regjistrit të barreve siguruese , duke e bëre punën e noterit më transparente dhe më të lehtë përsa i përket komunikimit me institucionet e lidhura me procedurat noteriale. Gjithashtu 2020 shënon edhe fillimin e marrjes  online  me vulë elektronike të dokumentave të lëshuara nga Agjensia Shtetërore e Kadastrës, çka i kursen noterit kohën e harxhuar në sportele dhe transparencë në ofrimin e këtij shërbimi. Pra le te themi që ky vit është sa i vështirë aq edhe inovativ.

Ju përballeni çdo ditë me njerëz te ndryshëm dhe çështje te ndryshme dhe një nga detyrat bazike të një noteri është të jetë krijuesi i ‘’provës shkresore’’. Cilat janë disa nga problemet kryesore për të cilat shqiptarët kërkojnë sot ndihmën e ndërmjetësimin e noterit?

Sigurisht që problemet kryesore për të cilën shqiptarët kërkojnë ndihmën e noterit janë çështjet e pronësisë. Veçanërisht do theksoja problematika të ligjit “7051” për Tokën Bujqësore. Ka një seri  problematikash, procedurash, formalitetesh qe i bëjnë qytetarët të enden çdo ditë dyerve të administratës pa marrë zgjidhje prej vitesh.

Ne kohen e Mesjetës kur u zhvilluan qytetet shqiptare e bashkë me to e drejta civile duket se u zhvillua për herë të parë noteria si një shërbim publik me peshë në rregullimin e marrëdhënieve të trashëgimisë e të detyrimeve dhe në formalizimin e këtyre marrëdhënieve. A është noteria një profesion që ka evoluar, që evoulon? Si?

Noteria në Shqipëri ka njohur ndër vite shumë ulje dhe ngritje. Siç e thate dhe ju, një profesion që daton shumë herët në Shqipëri, por me një traditë shumë të zbehtë. Traditë, kjo e lënë në hije nga shekuj të pushtimit osman, për të njohur pak dritë në kohën e sundimit të mbretit Zog, lidhur kjo edhe me risitë  që solli ai në hartimin e një legjislacioni , veçanërisht me Kodin Civil dhe të drejtën e pronësisë. Pastaj përsëri noteria do të njohë një rënie drastike, për të mos thënë mos ekzistencë të këtij shërbimi gjatë periudhës Komuniste, lidhur kjo edhe me mungesën e pronës private. Në këto rrethana historike, noteria në Shqipëri do të njohë zhvillim vetëm pas viteve 90’’ me miratimin e legjislacionit përkatës, deri në ligjin e fundit nr. 110/2018 date 20.12.2018 i cili më në fund i dha  kornizën e duhur të një profesioni të lirë , aq të rëndësishëm, duke filluar që nga niveli i organizimit, kontrolli dhe llogaridhënia, kompetencat dhe  detyrimet.Duke bërë këtë përmbledhje kaq të shkurtër pa u futur në detaje, kupton që NOTERIA në Shqipëri është një profesion që ka evoluar dhe në përpjekje të vazhdueshme për të krijuar atë traditën aq të munguar, vazhdon të evolojë dhe të përmirësohet çdo ditë.Ajo që është e rëndësishme në këtë evolim është ruajtja e disa parimeve dhe vlerave të rëndësishme që lidhen ngushtësisht me realitetin dhe përditshmërinë tonë, sigurisht duke u orientuar drejt përqasjeve europiane dhe botërore të këtij profesioni.

Noteri në një kuptim simbolizon “syrin dhe veshin” e te vërtetës se shkruar. Cilat janë cilësitë qe duhet të ketë një noter? Cila është këshilla juaj për te rinjtë në ketë fushe?

Në fakt do thosha përveç se “syri dhe veshi” i të vërtetës së shkruar noteri është “zëri i vullnetit të palëve”. Kjo sepse aktet e hartuara nga ai përveç se duhet të shërbejnë si dëshmi e shkruar dhe e përjetshme, duhet në radhë të parë që kjo dëshmi të jenë e vërteta e shkruar e vullnetit dhe dëshirës së lirë të palëve. Kjo do ta bënte aktin e noterit, ashtu siç edhe duhet të jetë në fakt, të pakundërshtueshëm dhe të pacenueshëm.

Ka një perceptim sikur noteria është pune burrash. Si është jesh një grua e suksesshme në ketë fushe?

Ne fakt mendoj tërësisht të kundërtën. Noteria është pikërisht një nder ato fusha ku fakti i të qenurit grua e bën më të lehtë komunikimin   mes palëve dhe zbut tonet. Kjo qasje e lidhur me faktin që përballë kanë një grua në shumicën e rasteve është çelësi i suksesit drejt zgjidhjes së konflikteve apo përmbylljes me sukses të marrëveshjeve. Nëse lind pyetja a paragjykon një qytetar faktin që zgjidhja e çështjes së tij është në dorë të një gruaje dhe jo një burri, mendoj nisur edhe nga eksperienca ime që është tashmë një koncept i tejkaluar në shoqërinë shqiptare. Ashtu si në shumë profesione të tjera tashmë, dikur territor vetëm i gjinisë mashkullore, noteria në Shqipëri çdo ditë po pasqyron se të qenurit grua nuk është vetëm një sfidë, por njëkohësisht një vlerë e shtuar në këtë sektor. Të qenurit një grua e suksesshme në këtë fushe do të thotë të kesh punuar fort dhe t’i jesh përkushtuar zbatimit me përpikmëri të një parimi të rëndësishëm që është ai i pasqyrimit të vullnetit të lirë të palëve, duke mos harruar gjithmonë që ky vullnet të jetë brenda kornizave të ligjit./gsh.al

“Një grua e suksesshme që ka punuar fort”/ Si e përshkruante veten në intervistë noteja Rezarta Koçi, e arrestuar në Tiranë

Please follow and like us: