MILIARDERI AUSTRALIAN, ÇËSHTJE PENALE KUNDËR FACEBOOK
Një miliarder australian ka nisur një çështje penale kundër Facebook, duke pretenduar se kompania dështoi të parandalonte reklamat e mashtrimit që përdornin imazhin e tij.
Andrew Forrest argumenton se Facebook ka shkelur ligjet australiane kundër pastrimit të parave në lidhje me përhapjen e dëmeve të kriptomonedhave. Ai tha se ishte hera e parë që Facebook po përballej me një çështje penale globalisht.
Kompania Meta që kontrollon rrjetin social Facebook, nuk e komentoi rastin e zotit Forrest, por tha se ishte “e përkushtuar për t’i mbajtur ata njerëz jashtë platformës sonë”. Andrew Forrest, i cili është drejtuesi i kompanisë Fortescue Metals, pretendoi se Facebook kishte qenë “kriminalisht i pamatur” duke mos bërë më shumë për të ndalur reklamat, të cilat u shfaqën për herë të parë në fillim të vitit 2019. Mashtruesit përdorën imazhin e tij dhe të personazheve të tjerë të famshëm, për të promovuar investime false që premtonin pasuri. Edhe pse Facebook ndalon reklama të tilla, shumë ende shfaqen në platformë.
Ai tha se i kishte shkruar gjithashtu një letër të hapur shefit të Facebook, Mark Zuckerberg në nëntor 2019, duke i kërkuar atij të merrte më shumë veprime. “Jam i shqetësuar për australianë të pafajshëm që mashtrohen përmes reklamave të klikimeve në mediat sociale,” tha manjati i minierave në një deklaratë të enjten. “Unë jam duke vepruar këtu për australianët, por kjo po ndodh në të gjithë botën”.
Çështja do të shqyrtohet në Gjykatën e Magjistraturës së Australisë Perëndimore nga 28 marsi raporton “BBC”. Nëse është i suksesshëm, Facebook mund të përballet me gjoba ose të detyrohet të ndryshojë reklamat e tij. Andrew Forrest ka ngritur gjithashtu një padi civile në shtetin amerikan të Kalifornisë, ku është selia e Facebook.
Në atë padi ai pretendon se Facebook “përfiton me vetëdije nga ky cikël reklamash ilegale”, raportoi gazeta “Australiani”. Një viktimë në Australi kishte humbur 670,000 dollarë për shkak të një miratimi të rremë që shfaqte zotin Forrest, tha gazeta, duke cituar dokumentet e gjykatës.
Në një deklaratë për mediat, kompania e mediave sociale tha se reklamat e mashtrimit shkelnin politikat e saj. “Ne kemi një qasje të shumëanshme për të ndaluar këto reklama, ne punojmë jo vetëm për të zbuluar dhe refuzuar vetë reklamat, por gjithashtu bllokojmë reklamuesit nga shërbimet tona dhe në disa raste marrim masa gjyqësore për të zbatuar politikat tona,” tha një përfaqësues i kompanisë Meta. / abcnews.al