Sadik Bejko: VARREZA E BRAKTISUR
Një lepur atje kutullaç në vesë mëngjesi brofi
E më ka trembur për vdekje. Zemra si me lesh
mbështjellë egër më dhimbte e brofte vendit.
A thua e vërviti gjumi drejt nga një e thelluar varri?
Po atje vetëm lisa me gunga, as emra, as gurë
As murishte… atje vetëm paqe, brufonte bari.
Kur e kur ndonjë gropëz e lugët si te brinja
e kafshës së uritur, a si faqe e ftikur lypsari,
As gropëz, po një kupëz dore dheu
Firuar nën të blertë. Kur e kur ndonjë dru a gur
epur si gongallë nën lëkurë gjedhi të tukequr
Ështër gërdallë brejtur nën dimër a xhur.
Vetëm korija xhumbë me lisa, kapele bregu,
mbase ishte krifa e tyre e rëndë gjer në qiell
Dhe myshku në gunga, dhe gjethet, herë lart
në çataj, herë poshtë sheshit si e remtë sini
Dhe zogjtë nëpër foletë e ngrohta prej vezëve
A dheut mbi krimba, sqepgjatë sa fijet shi.
Delet me thundra e mbullonin dalë-ngadalë,
siç tërhiqet velënxa mbi trup të mbërdhirë në mbrëmje
Dhe hija e gjatë e perëndimit në verë u endte
me këmbët manushaq-të –djellta, kjo vizitore e vjetër
Ngeshëm, butë-butë, varr më varr, dru më dru,
prej kreut i mbulonte gjer në anën tjetër,
Një heshtje hojesh platitej, thua je në kopsht blete.
Vetëm stuhija me qarje të rëndë, të rreptë reje,
ngutur në një shami shportë shtrydhte zemrën
e saj të egër, të vetmuar gjer në zbrazje:
Ajo ishte një varrezë e braktisur njerëzish
qyshkur të larguar, një jetime flakur nën xhade.
Bora mbi atë ishte krejt më e pastra,
si të ishte eshtërdjersitja e gjatë e vitit
Fryma e të vdekurve poshtë bulëzuar në akull
si një rrasë në lëmim anonim të padepërtuar.
Atje një lepur aq keq më ka trembur, tek flinte
për qejf të vet mbi varr të firuar.
Tiranë, 2001.