Albspirit

Media/News/Publishing

Pse Evropës nuk i dëgjohet zëri mbi krizën Rusi-Ukrainë?

Nga Jeremy Shapiro, “European Council on Foreign Relations”

Sikurse është ankuar zëshëm Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, Evropa është e përjashtuar nga tryeza ku po zhvillohen negociatat mbi zgjidhjen e krizës Rusi-Ukrainë. Por, duke pasur parasysh nevojën e Evropës për ta parandaluar më të keqen, si është e mundur që evropianët të kenë kaq peshë në këtë çështje?

Në mendje më sillen disa shpjegime të mundshme. Nuk ka asnjëherë një kohë të mirë për luftën, por kriza Rusi-Ukrainë vjen në një moment veçanërisht të papërshtatshëm për qeveritë kryesore në Evropë. Kryeministri britanik është zhytur në një skandal politik të brendshëm, që po kërcënon seriozisht qëndrimin e tij në pushtet.

Qeveria franceze është në fillimin e fushatës presidenciale, ndërsa ajo gjermane është e re dhe e përçarë, veçanërisht në çështjen e Rusisë. Pra, ata ua kanë dhënë efektivisht amerikanëve diplomacinë mbi Rusinë dhe Ukrainën.

Sigurisht, gjithçka ka rëndësinë e vet. Por është e rëndësishme të kuptohet se përgjegjës për këtë situatë janë shumë faktorë. Që nga kriza financiare e vitit 2008, SHBA-ja është bërë gjithnjë e më e fuqishme në krahasim me aleatët e saj evropianë.

Marrëdhënia transatlantike nuk është bërë më e ekuilibruar, siç dukej se ishte tendenca në fillim të viteve 2000, por më shumë e dominuar nga SHBA. Në nivelin bazë, mungesa e zërit të Evropës në krizën Rusi-Ukrainë buron nga ky çekuilibër në rritje i fuqisë në aleancën perëndimore.

Dhe diferencat mund të shihen gati në çdo fushë. Në aspektin e PBB-së, SHBA e ka tejkaluar ndjeshëm Bashkimin Evropian dhe Britaninë e Madhe që nga viti 2008. Në vitin 2008 ekonomia e BE-së ishte pak më e madhe se ajo e Amerikës:16.2 trilion dollarë përkundrejt 14.7 trilion dollarëve.

Deri në vitin 2020, ekonomia e SHBA-së ishte rritur në 20.9 trilion dollarë, ndërsa ajo e BE-së kishte rënë në 15.7 trilion dollarë. Nga barazia e përafërt në vitin 2008, ekonomia e Amerikës është tani 1/3 më e madhe se sa ajo e BE-së dhe Britanisë të marra së bashku.

Sigurisht, kur flitet për fuqinë e një shteti, madhësia nuk është gjithçka. Por kjo diferencë e rritjes ekonomike, ka përkuar me një rritje të përdorimit global të dollarit në raport me euron. Sipas anketës më të fundit të Bankës Qendrore Amerikane, dollari u ble ose u shit në rreth 88 për qind të transaksioneve globale të këmbimit valutor në prillin e vitit 2019. Kjo përqindje ka mbetur e qëndrueshme gjatë 20 viteve të fundit.

Ndërkohë, euro u ble ose u shit në 32 për qind të transaksioneve, një rënie që nga kulmi i saj prej 39 për qind në vitin 2010. Po ashtu, dollari ka ruajtur pozicionin e tij si monedha rezervë kryesore në botë, duke zënë afërsisht 60 për qind të totalit zyrtar të rezervave valutore, ndërsa euro zë vetëm 21 për qind të totalit.

Ndërkohë është rritur edhe dominimi teknologjik i SHBA-së mbi Evropën. Kompanitë e mëdha amerikane të teknologjisë – Google, Amazon, Apple, Meta (Facebook) dhe Microsoft -janë afër dominimit të peizazhit të teknologjisë në Evropë, ashtu siç bëjnë në SHBA. Evropianët po përpiqen të përdorin politikën e konkurrencës për t’iu kundërvënë këtij dominimi, por në dallim nga kinezët, ata nuk kanë qenë në gjendje të zhvillojnë alternativa lokale. Prandaj këto përpjekje duken të destinuara të dështojnë.

Nga ana tjetër, që nga viti 2008, evropianët kanë pësuar gjithashtu edhe një rënie dramatike të fuqisë ushtarake në krahasim me SHBA-në. Rritja e shpenzimeve ushtarake evropiane pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2014,duket sikur e lë në hije këtë prirje. Por edhe pse shpenzimet ushtarake të Evropës janë rritur ndjeshëm, ato kanë mbetur sërish mbrapa atyre të SHBA-së.

Gjatë viteve 2008-2020, shpenzimet ushtarake të SHBA-së u rritën nga 656 miliardë dollarë në 778 miliardë dollarë. Në të njëjtën periudhë, shpenzimet ushtarake të 27 vendeve të BE-së dhe Britanisë ranë nga 303 miliardë dollarë në 292 miliardë dollarë. Ndërkaq, shpenzimet e SHBA-së për teknologjitë e reja të mbrojtjes, janë më shumë se 7 herë më të larta sesa të gjitha shtetet anëtare të BE-së të marra së bashku.

Së fundmi, dhe ndoshta më e rëndësishmja, përçarjet kronike në Evropë, e kanë dobësuar BE-në dhe Britanisë përtej asaj që sugjerojnë këto parametra. Kur hyri në fuqi Traktati i Lisbonës në vitin 2009, u duk se ai do të ishte një mekanizëm i ri që evropianët të krijojnë një politikë të jashtme të përbashkët, duke shfrytëzuar forcën e fshehtë të asaj që ishte atëherë ekonomia më e madhe në botë.

Por në vend të kësaj, kriza financiare e ndau veriun dhe jugun, ndërsa krizat e migracionit dhe Ukrainës e ndanë lindjen dhe perëndimin, dhe Brexit ndau Britaninë e Madhe dhe praktikisht të gjithë të tjerët. Institucionet e Traktatit të Lisbonës, veçanërisht Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm dhe zyra që drejton Borrell, nuk kanë arritur që t’i kapërcejnë këto dallime në politikën e jashtme.

Në përgjithësi, BE-ja është bërë gjithnjë e më e përçarë dhe më pak e aftë për të folur me një zë të përbashkët. Mungesa e përfaqësimit të Evropës në negociatat mbi krizën Rusi-Ukrainë është kulmi i disa tendencave afatgjata. Ndërsa është rritur konkurrenca gjeopolitike, evropianët janë bërë më të varur ndaj SHBA-së më shumëse në çdo kohë tjetër, që nga fazat e hershme të Luftës së Ftohtë.

Sigurisht, evropianët janë të ndërgjegjshëm se ata kanë pak shanse të rikthehen në një aleancë perëndimore të stilit të Luftës së Ftohtë. Ata e dinë se politika e brendshme e polarizuar krijon lëkundje të papritura në politikën e jashtme të SHBA-së.

Dhe e kuptojnë se nevoja e Shteteve të Bashkuara për t’u përballur me ngritjen meteorike të Kinës,nënkupton se Uashingtoni është shumë më pak i gatshëm të mbajë i vetëm të gjithë barrën e sigurisë ndërkombëtare – siç reflektohet në tërheqjen nga Afganistani – apo të fokusohet tek Evropa siç bëri gjatë Luftës së Ftohtë.

Në përgjithësi, ka një shqetësim të madh me udhëheqjen e SHBA-së në të gjithë Evropën. Lëvizja e sapolindur për sovranitetin evropian shpreh një pjesë të këtij shqetësimi. Kjo lëvizje ka bërë disa përparime të rëndësishme, për shembull, në krijimin e një instrumenti kundër shtrëngimit për t`u mbrojtur kundër luftës ekonomike. Por të gjithë e pranojnë se ka një rrugë të gjatë për të bërë.

Pra, shqetësimet e Evropës për SHBA-në nuk kanë shumë rëndësi. Humbja e pushtetit nga evropianët, mungesa e unitetit dhe paaftësia për të ndryshuar tendencat e përshkruara më sipër, do të thotë se ata janë pothuajse kalimtarë në një krizë që mund të rezultojë në një pushtim rus në shkallë të gjerë të Ukrainës, ose në një ndarje të re në Evropë. Më shumë se kaq, jashtë Parisit dhe Brukselit, pothuajse të gjithë në Evropë janë të dëshpëruar për udhëheqjen e SHBA-së – edhe nëse kanë pikëpamje të ndryshme për atë që Uashingtoni duhet të bëjë.

Në përgjithësi, situata duket se konfirmon pikëpamjen ruse, se nuk ka nevojë të angazhohemi me evropianët, dhe se duhet biseduar vetëm me amerikanët. Nga perspektiva ruse dhe amerikane, Evropa nuk ka gjasa që të diktojë sado pak qoftë rezultatin e bisedimeve mbi Ukrainën.

Çdo zgjidhje apo përshkallëzim i krizës, do të vijë përmes negociatave SHBA-Rusi. Por në terma afatgjatë, ky çekuilibër në rritje i fuqisë në marrëdhëniet transatlantike, do të jetë një problem i madh për SHBA-në. Në një botë të konkurrencës gjeopolitike në rritje, Amerika ka nevojë për partnerë.

Një nga arsyet pse evropianët mbeten të varur nga SHBA është se shpesh qeveria amerikane e inkurajon këtë varësi, madje duke i dënuar disa përpjekje evropiane për mbrojtjen ushtarake si proteksioniste apo si një dublim të NATO-s.

Që SHBA-ja të përqendrohet – siç mendojnë shumica e politikë-bërësve amerikanë- në sfidën e Kinës në rajonin e Indo-Paqësorit, ajo do të ketë nevojë për aleatë evropianë që duhet të dinë të menaxhojnë çështjet e sigurisë evropiane me më pak ndihmë nga Uashingtoni. Pra, ajo do të ketë nevojë për një Evropë më sovrane dhe më të fuqishme.

Please follow and like us: