Sanksionet mund të jenë një thikë me dy presa
Nga Marco D’Eramo, “New Left Review”
“Një komb i bojkotuar nga të tjerët, është një komb në prag të kapitullimit. Përdoreni këtë “ilaç” të lirë, paqësor, të heshtur por vdekjeprurës dhe nuk do të keni nevojë të ushtroni forcë. Është një ilaç i tmerrshëm. Nuk kushton asnjë jetë njeriut jashtë kombit të bojkotuar, por ushtron ndaj tij një presion të tillë që sipas meje nuk mund t’i rezistojë asnjë komb modern”.
Askush nuk e ka përshkruar më mirë mizorinë dhe dhunën jo të përgjakshme të sanksioneve ekonomike sesa kjo deklaratë e presidentit amerikan Udrou Uillson në Indianapolis më 4 shtator 1919: sanksionet janë një “ilaç vdekjeprurës” që “nuk vret jashtë të bojkotuarve”.
Fjalët e tij na kujtojnë se pavarësisht nga disa precedentë të famshëm historikë, metoda e sanksioneve u vendos si një praktikë aktuale e politikës ndërkombëtare vetëm në shekullin XX dhe më pas u përhap shumë në dy dekadat e para të shekullit XXI-të.
Lidhja e Kombeve, e themeluar në vitin 1920 nga Traktati i Versajës me nxitjen e vetë Uillsonit, parashikoi në nenin 16 të statutit të saj mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj vendeve që nuk respektonin rregullat e saj.
Ajo urdhëronte shtetet anëtare që të“ndërpresin menjëherë të gjitha marrëdhëniet tregtare ose financiare, dhe të ndalojnë çdo marrëdhënie midis shtetasve të tyre dhe atyre të shtetit që është në shkelje të marrëveshjes”. Sanksionet e para Lidhja e Kombeve i vendosi kundër Italisë në vitin 1935, kur regjimi fashist pushtoi Etiopinë (2 vite më vonë Italia u largua nga Lidhja e Kombeve).
Sanksionet të ngjashme u vendosën edhe ndaj Japonisë në vitet 1940-1941. Në vitin 1950, Departamenti Amerikan i Thesarit krijoi Zyrën e Kontrollit të Pasurive të Huaja (OFAC). Në vitin 1956, Kriza e Suezit – kur Franca, Anglia dhe Izraeli donin të ndërhynin ushtarakisht për të penguar shtetëzimin e kanalit nga presidenti egjiptian Naser – u zgjidh nga Shtetet e Bashkuara nëpërmjet pengimit të Anglinë qëtë përdorte rezervat e depozituara në Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Embargoja e vitit 1962 kundër Kubës, ishte shembulli më klasik se si Shtetet e Bashkuara përdorën sanksionet e Luftës së Ftohtë kundër bllokut sovjetik. Por Uillson theksoi gjithashtu se sanksionet janë një akt lufte, edhe pse përdor si armë ekonominë dhe jo armët e zjarrit.
Kjo do të thotë se shumëfishimi i sanksioneve dhe shtimi i vendeve nën sanksione, nënkupton shumëfishimin e luftërave ekonomike. Dhe gjatë dekadave të fundit metoda e sanksioneve është zbatuar gjithnjë e më shpesh kundër gjithnjë e më shumë vendeve. Sigurisht, fuqia kryesore që vendos sanksione është SHBA-ja.
Sipas një raporti të Departamentit të Thesarit, sanksionet e vendosura nga Uashingtoni u rritën me 933 për qind nga viti 2000 deri në vitin 2021: pra nga 912 sanksione aktive në vitin 2000 në 9.421 të tilla deri vitin e kaluar. Me kalimin e kohës sanksionet janë rafinuar, diversifikuar deri në atë pikë sa të përbëjnë një arsenal armësh të ndryshme.
Kështu, përpara se të vendosen sanksione ndaj një vendit në tërësi, shënjestrohen më fillim individë ose kompani të caktuara. Sot OFAC administron dhe zbaton 37 programe të ndryshme sanksionesh mbi 12 mijë kompani ose njerëz.
Por sanksionet tregtare kanë qenë historikisht të paefektshme. Sanksioni i parë ekonomik që mbahet mend ishte bllokada tregtare e vendosur nga Athina e Perikliut ndaj qyteti ttë Megarës në vitin 432 Para Krishtit, e cila sipas Tukididit shkaktoi Luftën e Peloponezit, që përfundoi me humbjen e Athinës dhe fitoren e Spartës.
Do të kalonin më shumë se 22 shekuj përpara se të vendoseshin dy embargo të tjera tregtare, ku që të dyja prodhuan efektin e kundërt. E para ishte Bllokada Kontinentale, pra ndalimi i ankorimit në portet evropiane të çdo anijeje që mbante flamurin anglez, e shpallur nga Napoleon Bonaparti në vitin 1806.
Siç e dimë, kjo bllokadë përfundoi duke u shndërruar në një bllokadë angleze kundër tregtisë evropiane. Kjo pasi një vit më pas, presidenti i SHBA-së Tomas Xheferson miratoi Aktin e Embargos për të ndëshkuar si Britaninë po ashtu edhe Francën për shkak të sulmeve të tyre ndaj anijeve amerikane.
Edhe ajo embargo rezultoi të ishte një katastrofë, sepse në atë kohë Shtetet e Bashkuara kishin më shumë nevojë për tregjet evropiane sesa evropianët për tregun amerikan. Po ashtu vlen të kujtohet se embargoja e SHBA-së ndaj naftës dhe mallrave të tjera kundër Japonisë e përshpejtoi sulmin japonez në Pearl Harbor në vitin 1941.
As bllokada e naftës e vendosur nga vendet e OPEC-ut pas luftës së Jom Kipurit të vitit 1973, nuk ishte shumë e dobishme për kauzën palestineze. Në vitin 2014, për shkak të aneksimit të një pjese të Ukrainës, sanksionet tregtare kundër Moskës (të cilave Vladimir Putin iu kundërpërgjigj me embargon e importit të ushqimeve nga Evropa) i kushtuan vendit një rënie me disa përlind të PBB-së.
Por nga ana e tjetër ato patën efekte të dobishme, pasi e detyruan Rusinë të prodhonte vetë ato produkte që më parë i importonte, duke paguar për to me paratë e humbura nga mos-eksportimi i lëndëve të para (naftës bruto, gazit, lëndëve drusore dhe mineraleve), duke e shtyrë atë të industrializohej dhe të bëhej më e pavarur.
Sanksionet më të fundit tregtare, ishin barrierat doganore të vendosura nga Donald Trump mbi produktet kineze në vitin 2018. Edhe ato dështuan, duke dëmtuar sektorët bujqësor dhe
të teknologjisë së lartë në SHBA. Sipas Moody’s Investors Service, vetëm 8 përqind e kostove shtesë u përballuan nga Kina; ndërsa 92 për qind u paguan nga importuesit amerikanë dhe përfundimisht i kaluan konsumatorëve amerikanë në formën e rritjes së çmimeve, vëren Daniel Drezner në një ese të bukur në “Foreign Affairs” në shtatorin e vitit të kaluar.
Kjo nuk do të thotë se mania e sanksioneve nuk ka ndjekës të tjerë. Për shembull, Kina ka vendosur sanksione të ndryshme ndaj Australisë, Koresë së Jugut, Japonisë, Lituanisë, madje edhe ligës së basketbollit amerikan, NBA. Rusia ka vendosur sanksione ndaj disa ish-republikave sovjetike. Edhe Arabia Saudite është përpjekur të vendosë sanksione.
Megjithatë, në përgjithësi vetëm sanksionet financiare kanë rezultuar të jenë disi më efektive, pasi ato kanë edhe një avantazh shtesë. Ndërsa ato tregtare mund të anashkalohen dhe të shkaktojnë rritjen e tregut të zi, ato financiare vlejnë edhe për partnerët e huaj të individëve të sanksionuar që quhen “sanksione dytësore”.
Pra cilido që ka marrëdhënie financiare me shtetin e sanksionuar, sanksionohet pas të parit dhe për këtë arsye përjashtohet nga tregu. Kështu, në vitin 2014 banka franceze “Bnp-Paribas” u shpall fajtore për kryerjen e mijëra transaksioneve që përfshinin vendet në listën e zezë të SHBA-së.
Ajo u detyrua të paguante një gjobë prej 8.9 miliardë dollarësh dhe të pezullonte për një vit operacionet e saj në dollarë në Nju Jork. Por edhe në këtë rast, ndëshkimet kanë efektet e tyre anësore. I pari është dobësimi i sundimit të dollarit, dhe shtyrja e vendeve të tjera (përfshirë aleatët evropianë) të kërkojnë një alternativë tjetër ndaj sistemit SWIFT.
Bumi i kriptomonedhave, po ndodh edhe për shkak të përpjekjes për t’u çliruar nga zgjedha e dollarit. Por pengesa shumë më e dëmshme e shndërrimit të sanksioneve si një mjet kryesori presionit politik ndaj një vendit të huaj është se ato janë shumë të vështira për t’u shfuqizuar.
Drezner thekson:Presidentët janë gjithnjë të prirur të vendosin sanksione, por ngurojnë t’i heqin ato, gjë që i ekspozon ata ndaj akuzave se janë të dobët në politikën e jashtme. Dhe kjo e bën të vështirë që Shtetet e Bashkuara të jenë të besueshme kur zotohen të heqin sanksionet.
Për shembull, kur Bajden po mendonte të lehtësonte disa nga sanksione kundër Iranit, ligjvënësit republikanë e kritikuan atë si një pacifist naiv. Për më tepër, shumë sanksione të SHBA-ve – si ato kundër Kubës dhe Rusisë – vendosen me ligj, që do të thotë se ato mund t’i heqë vetëm Kongresi.
Një nga problemet me sanksionet e vendosura nga Uashingtoni gjatë dekadave të fundit, është se ato kërkojnë ndryshimin e regjimit, të cilin regjimi i shënjestruar e refuzon, dhe preferon që qytetarët e tij të durojnë vështirësitë, siç shpeshherë ka ndodhur nga Kuba në Iran, nga Rusia në Siri, Libi, Birmani, dhe Venezuelë.
Problemi i dytë është se politika e jashtme e SHBA-së tani përbëhet vetëm nga “shkopinjtë” dhe asnjëherë nga “karotat”. Lufta është vazhdimi i sanksioneve me mjete të tjera. Por ironia është se sanksione të tilla të gjera, dëmtojnë vetë strukturën e globalizimit, pikërisht sepse ato paraqesin pengesa të pakapërcyeshme për lëvizjen e lirë të mallrave, dhe mbi të gjitha të kapitalit. Prandaj me këtë ritëm Shtetet e Bashkuara përfundojnë duke sanksionuar vetveten.
Marrë me shkurtime