Albspirit

Media/News/Publishing

Biblioteka e Stalinit sipas ‘Financial Times’

Burimet fragmentare mbi jetën e Joseph Stalinit, dekada pas vdekjes së tij në vitin 1953, e kanë kthyer personalitetin e tij në enigmë. Nisur nga kjo, e përditshmja “Financial Times” nuk i lë pa i bërë disa pyetje. A ishte ai tirani monstruoz i përshkruar nga Nikita Khrushchev në fjalimin sekret në kongresin e XX-të të Partisë Komuniste Sovjetike në vitin 1956? A ishte ai mediokriteti intelektual i portretizuar në biografinë e Leon Trotskyt të botuar pas vdekjes pasi diktatori sovjetik organizoi vrasjen e rivalit të tij në Meksikë në vitin 1940? Nga fundi i viteve 1981 e tutje është shfaqur mundësia për të pasur një pamje më të plotë të Stalinit. Asokohe u hapën arkivat e vulosura më parë si rezultat i reformave të Mikhail Gorbachevit dhe kolapsit të Bashkimit Sovjetik. Mes zbulimeve doli edhe se Stalini kishte në pronësi një bibliotekë të madhe prej 25 mijë librash, periodikësh dhe broshurash.

Koleksioni është subjekt i “Bibliotekës së Stalinit” me autor Geoffrey Roberts. Libri konsiderohet një studim vërtet magjepsës që nuk lë asnjë dyshim se Stalini i mori idetë aq seriozisht sa vetë pushteti. Stalini ishte “një marksist tejet dogmatik” dhe “një fanatik që nuk kishte dyshime të fshehta”, ka shkruar Roberts, profesor i historisë në Kolegjin Universitar Cork dhe specialist i politikës së jashtme sovjetike. Por ai kishte edhe një “përkushtim fanatik, të përjetshëm për të lexuar dhe për t’u përmirësuar”. Siç ka shkruar edhe Donald Rayfield në librin e tij të vitit 2005, “Stalini dhe xhelatët e tij”, se gabimi më i zakonshëm i bërë nga kundërshtarët e diktatorit ishte nënvlerësimi se sa i lexuar ishte. “FT” tregon se karakteristika qendrore e shtëpisë së tij, të ndërtuar jashtë Moskës në vitet 1933-1934, ishte biblioteka prej 30 metrash katrorë me katër rafte të mëdhenj librash. Madje, secili nga raftet ishte me rafte aq të thellë sa për të mbajtur dy rreshta librash.

Aq i madh ishte koleksioni i tij, saqë shumë libra u ruajtën në një ndërtesë të veçantë dhe dërgoheshin te Stalini sipas nevojës. Në vitin 1925, ai urdhëroi stafin që të klasifikonte librat, duke renditur më shumë se 40 kategori nga filozofia dhe psikologjia te sindikatat, kritika e artit dhe vepra të socialistëve antibolshevikë si Karl Kautsky dhe Rosa Luxemburg. Paçka se ai nuk pati aq kohë s të lexonte gjithçka që zotëronte, ja doli më së miri. Çka ka tërhequr interes të jashtëzakonshëm janë shenjat, shënimet ose vijëzimet, në librat që ai lexoi më nga afër. Duke përdorur lapsa të kuq, blu dhe jeshil, ai shkarraviti shprehje përbuzjeje ose mosmarrëveshjeje si “marrëzi”, “budalla”, “gënjeshtar” apo thjesht “haha”. Te librat e Vladimir Leninit, i cili ishte autori që ka lexuar më së shumti, nuk është gjendur asnjë shenjë apo kritikë. Prej kësaj, del se Stalini nuk ishte një mendimtar skeptik që peshonte të gjitha anët e një pyetjeje. Ai u nis nga premisa se marksizëm-leninizmi i kishte përgjigjet. Referuar “FT”-së, të punoje për të si bibliotekar mund të ishte me rrezik. Kjo u bë e qartë në vitin 1935 kur stafi i ndryshëm mbështetës i Kremlin-it u implikua në një komplot imagjinar për të vrarë diktatorin dhe udhëheqës të tjerë sovjetikë.

Në një mbledhje partie ai ka thënë se…

“Një person i vetëm që ka qasje në apartamentet e udhëheqësve, një pastruese që pastron dhomat ose një bibliotekare që viziton një apartament me pretekstin e rregullimit të librave. Kush janë ata? Shpesh, nuk e dimë këtë. Ekziston një larmi shumë e madhe helmesh që mund të merren lehtë. Helmi mund të futet në një libër. Ose mund të vihet në jastëk. Dhe një muaj më vonë gjithçka merr fund”. Për Roberts, ai ishte “thjeshtues, sqarues dhe popullarizues i shkëlqyer… ishte fillimisht bolshevik dhe pastaj intelektual”. Por mund të nxirret ndoshta një mësim më i kthjellët mbi këtë. Në epokën e tij të diktaturave, Stalini ishte më i përkushtuari ndaj librave se gjithë të tjerët. Ama të qenit i lexuar nuk mund të jetë garanci për të pasur një qasje humane ndaj politikës dhe jetës.

Please follow and like us: