Albspirit

Media/News/Publishing

Sekretarja e Jashtme britanike thirrje Rusisë: Pushtimi i Ukrainës do të ishte gabim i madh

Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, ka arritur në Moskë më 9 shkurt për një takim me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Vizita e Truss në Rusi vjen në kohën kur liderët evropianë po tentojnë që të ulin tensionet, pas grumbullimit të trupave ruse në afërsi të Ukrainës, në atë që Perëndimi dyshon se mund të jetë përgatitje për një pushtim të mundshëm.

“Në Moskë për t’u takuar me ministrin e Jashtëm, Lavrov dhe për ta bërë të qartë se Rusia duhet menjëherë të tërheqë trupat e saj dhe të respektojë sovranitetin e Ukrainës, ose do të përballet me pasoja të mëdha”, shkroi Truss në Twitter pasi arriti në kryeqytetin rus.

“Çdo pushtim do të ishte një gabim i madh. Diplomacia është rruga e vetme përpara dhe Rusia duhet ta ndjekë atë rrugë”, shtoi ajo.

Vizita e Truss vjen vetëm një ditë pasi presidenti i Francës, Emmanuel Macron, përfundoi një turne diplomatik, duke u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe atë ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.

Macron, më 9 shkurt u takua në Berlin me kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe me presidentin polak, Adrzej Duda. Presidenti francez bëri thirrje për dialog me Kremlinin dhe tha se kjo është rruga e vetme përpara.

Liderët evropianë janë zotuar se do të jenë të bashkuar në qëndrimin e tyre për të ulur tensionet.

Rusia ka thënë se nuk ka plane për ta pushtuar Ukrainën, por ka kërkuar garanci të sigurisë se NATO nuk do ta pranojë kurrë Ukrainën dhe që aleanca ushtarake të ndalojë zgjerimin drejt lindjes./REL

Please follow and like us: