SHBA-BE dhe Gjermania përshëndesin votimin e Kuvendit për zgjatjen e vetingut
Ambasadat e vendeve më të rëndësishme në Shqipëri, kanë përshëndetur votimin në Kuvend, për zgjatjen e afateve të vettingut. Ambasada amerikane, e BE-së dhe ambasadori gjerman, menjëherë pas votimit, kanë përshëndetur deputetët që votuan pro, si dhe kanë theksuar mbështetjen e vendeve të tyre për Shqipërinë.
Ambasada e SHBA ishte e para që përshëndeti miratimin e zgjatjes së afateve të vettingut. Me një postim në Facebook, Ambasada e SHBA e konsideron zgjatjen e afateve të vettingut një hap të rëndësishëm përpara për të gjithë shqiptarët, drejt një sistemi drejtësie më të fortë dhe drejt integrimit evropian.
“Shtetet e Bashkuara përshëndesin miratimin e zgjatjes së mandatit të vettingut në Parlament. Ky është një hap i rëndësishëm përpara për të gjithë shqiptarët, drejt një sistemi drejtësie më të fortë, më të besueshëm dhe drejt integrimit evropian. Do ju mbështesim gjithmonë në këtë rrugë të rëndësishme”, thuhet në postim.
Edhe ambasada e Gjermanisë në Shqipëri, ka reaguar për miratimin e afateve të vettingut nga Kuvendi.
“Parlamenti shqiptar ka shprehur sot në mënyrë të qartë vullnetin e tij për të ecur përpara drejt anëtarësimit në BE. Përgëzoj të gjithë deputetët, që votuan për vijimin dhe përmbylljen e procesit të verifikimit të të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve, e kësisoj për reformën në drejtësi dhe shtetin ligjor. Përshëndes faktin që pjesë të opozitës parlamentare mundësuan këtë vendim me shumicë të cilësuar, duke e mbështetur atë në mënyrë konstruktive. Kjo është një votë për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian“, shkruan ambasada gjermane në Tiranë.
Në një postim në Twitter, edhe ambasadori i BE,Soreca e konsideroi votimin sot në Kuvend si një ‘moment historik’ dhe një ‘votë për të ardhme ne Shqipërisë në BE’. Ai thekson se është e rëndësishme që organet e vettingut të vazhdojnë punën e tyre, për të finalizuar me sukses procesin. Po ashtu Soreca shkruan se mirëpret edhe propozimet e PD për komisionin e posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore.
“Sot Parlamenti tregoi vendosmëri të fortë ndërpartiake për të ecur përpara drejt anëtarësimit! Urime deputetëve të forcave politike që votuan sot për zgjatjen e vettingut, një moment historik vendimtar drejt përfundimit të reformës në drejtësi. Kjo ishte një votë për të ardhme ne Shqipërisë në BE. E rëndësishme që organet e vettingut të vazhdojnë punën e tyre, me profesionalizëm dhe integritet më të lartë, për të siguruar një finalizim të suksesshëm dhe të shpejtë të procesit. Mirëpres vendimin e rëndësishëm të marrë nga Kuvendi për propozimet e PD për komisionin e posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore , në përputhje me rekomandimet e OSBE, si dhe për reformën territoriale, duke ruajtur arritjet e arritura deri më tani”, shkruan Soreca.
Edhe ambasada britanike në vendin tonë, ka përshëndetur zgjatjen e afateve të vettingut.
“Mirëpresim vendimin e Kuvendit të Shqipërisë për të mbështetur në zgjatjen e mandatit të institucioneve të vettingut. Votimi i sotëm është një angazhim i fortë drejt zbatimit të procesit të reformës në drejtësi dhe një gjyqësori efikas dhe të pavarur”, shkruan ambasada.