Vdes kryemiku i shqiptarëve, megjithëse vendi i tij nuk njeh pavarësinë e Kosovës
Ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare Eduard Kukan, diplomat dhe politikan. Bëhet me dije se ndarja nga jeta ka ardhur pas një infarkti në zemër. Kukan ka qenë një nga mbështetësit e Shqipërisë në Parlamentin Europian, kryetari i Grupit punues të Komitetit të Punëve të Jashtme të PE-së për Ballkanin Perëndimor dhe shpesh pjesë e delegacioneve ndërkombëtare që ndërmjetësonin krizat e politikës shqiptare. Ai drejtoi diplomacinë e Sllovakisë nga viti 1998 deri në vitin 2006 dhe ishte deputet nga 2009 deri në 2019. Kukan u diplomua në Institutin Shtetëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Moskë në vitin 1968. Më pas përfundoi doktoraturën në drejtësi në Fakultetin Juridik të Universitetit Charles në Pragë dhe në vitin 1993 bëri doktoraturë në drejtësi në Kolegjin Upsala në SHBA. Shërbeu si ministër i Punëve të Jashtme në 1994, pastaj 1998-2006, pra gjatë të dy qeverive të udhëhequra nga Mikuláš Dzurinda në Sllovaki. Ai mori pjesë edhe në bisedimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO. Në vitin 2004, ai kandidoi pa sukses për president.