Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Nikolla: In memoriam, Kadrie Kadare!

Kadrie Kadare, një intelektuale që arriti gjithçka duke refuzuar ndihmën e mbiemrit

 Ajo që të gjithë në mjediset e inteligjencies së Tiranës e njihnin si “motra e Ismail Kadaresë” shkoi të flejë në amëshim

Një femër e përkorë si ajo, la gjurmë të thella në mësimdhënie, në gazetari, në gjuhësi e mbi të gjitha si një rojtare e paepur e publikes, e shpirtit evropian të shoqërisë tonë.

Kadrie Kadarenë e njoha në 2002-in, kur nisa puna për herë të parë në gazetën 55 dhe prej atij momenti ajo m’u kthye në një institucion, njësoj siç ishte për gazetarë para meje, e siç bindem se do të jetë për të gjithë…e përgjithmonë.

Për ne ajo ishte Kakuja, etaloni i rusishtfolëses, e dashuruar përjetësisht me librin, i çfarëdolloj fare ish, një gardiane e pastërisë së gjuhës shqipe, që as ndër fumetti-t modernë s’do ta gjenim, një rojtare e etikës dhe një kundërshtare e rreptë e sheqerit, i cili i kish shpallur një luftë prej dekadash.

Kakunë e gjejmë si luftëtare kundër mediokritetit në qerthullin e botimeve në vitet 70-80, si një partizane të hapjes ndaj çfarëdolloj dijeje dhe si një qëndrestare ndaj çfarëdolloj klisheje diktatoriale që rrekej ta ndryshonte.

Pas viteve ’90, Kakuja vijoi shkëlqimin e saj si “Kaku pa mbiemër” në gazetat më të rëndësishme të kohës, si korrektore letrare, por ata që e njohën, i njohin asaj edhe kontributin, si këshilltare, kritike e kundërshtare e flaktë ndaj çfarëdolloj bizantinizme e anakronizme që mund të rrezikonte ta na kthente prapa.

Gazetarët e “55”-s e kanë përmendur përherë me admirim bashkëpunimin e tyre shumëvjeçar me Kadrie Kadarenë. S’ka pse të mos përmend përkujdesjen që botuesi i 55 Fahri Balliu pati përherë për Kaku-në, si një bashkëbiseduese origjinale, e cila në çdo tavolinë ishte e tillë, e jo si motra e Ismailit.

E krejt në fund… edhe unë duhet ta deklaroj: Kadrie Kadareja ishte një bashkëpunëtore.

Po, ishte një bashkëpunëtore e imja shumëvjeçare, që s’reshti së më paralajmëruari, se demokracia nuk është një gjë që e kemi të garantuar njëherë e përgjithmonë, e se në Evropë duhet të shkojmë vetë, por siç e kemi nisur e siç thonë vargjet, po sosim në Azi…

Ajo iku, po në ditën e sotme lexoj se la një konsensus unanim si intelektuale e si kontributore në demokratizimin e shoqërisë tonë.

E di se kemi deficite të mëdha kujtese, e di se rekordet tona si shtet nuk janë të konsultueshme, por me largimin e Kakusë m’u kujtua konsensusi botëror kur na la Karol Vojtila dhe pankarta italiane “santo subito”.

Kakuja ishte edhe një bashkëpunëtore e imja, por lutem, që ne si shoqëri ta nderojmë sa të mundemi më parë… mundësisht tani.

Please follow and like us: