Albspirit

Media/News/Publishing

Ndoshta dhe Romeo ishte një “Pinokio”!

Ndoshta dhe Romeo ishte një “Pinokio”! (Humoreskë)

 

Pikturat:
– (Nxënës i) Paul Emil Jacobs – Favoritja e Pashait (Ali Pashai dhe Kira Vassiliki), 1844
– Paul Emil Jacobs – Bukuroshe e haremit gjatë tualetit…

Senad Guraziu, 2010 – Humoreskë (nga “Asnjë premtim sonte!”)

(…mos i beso askujt e dashur, askujt që vjen e sorollatet gjoja si vjershëtor, gjoja si bilbil a harabel nën ballkonin tënd – Ali Pashai mund ta ketë përzënë Bajronin, jo sepse ky tinëz ia hante hurmat e bakllavatë, por sepse mund t’i jetë përzier në “punët e brendshme” të haremit…)

| – – –

Mos iu beso serenadave të gjithkujt, e dashur. Ose thënë më mirë, mos i beso “askujt” që vjen e sorollatet gjoja si bilbil a harabel nën ballkonin tënd. Poetët shpesh ekzagjerojnë, pandalë idealizojnë me ato artistikat e me poetikat e tyre.
Padyshim të kujtohet ai Bajroni. Thuase s’kishte vajza mjaftueshëm atje në vendin e vet, na shtirej si një poet-turist, bridhte Evropës, sa në Itali, në Greqi a në Shqipëri. Poet-turist, hm… për t’i magjepsur bukuroshet e Mesdheut me vjershat e veta. Vërtet e beson ti këtë?

Edhe sot e kësaj dite grekët pandehin që Bajroni iu bashkua kauzës së tyre për Pavarësinë. Pa, pa, pa… gjoja ai Bajroni aristorkrat, me atë fytyrën e butë si prapanicë bebesh, t’na “luftonte” kundër Perandorisë Osmane! Jo pra, s’pi ujë ky truk i historisë. Qoftë me penë a me shpatë (pasi që, kuptohet njësoj është) ta them që kjo “kauzë” e Bajronit ishte fals. Sado që grekët e vlerësojnë, madje e konsiderojnë dhe hero kombëtar, në fakt e vërteta është e thjeshtë si një amebë: ai bridhte e sorollatej andej-këndej sepse i pëlqente “vardisja”.

Fakte s’ka as vetë historia, ama them që Ali Pashai, ai babaxhani i përkëdhelur i Sulltanit, mund ta ketë përzënë. Paçka se historia insiston të kundërtën. Dyshimi bazohet në faktin që Bajronin e ndiqnin skandalet gjithandej. Si ato të Italisë… edhe bukuroshet e Ballkanit ishin “thembra” e tij akiliane. Ai thjesht s’rrinte rehat. Dmth. pashai mund ta ketë përzënë… jo sepse ky tinëz ia hante hurmat e bakllavatë, por sepse do i jetë përzier në “punët e brendshme” të haremit.

Ndërsa dihet, haremi i Pashait ishte i njohur gjithandej. Bukuria e hanumeve të tij përflitej deri dhe skutave më të skajshme të Anadollit. Pa le pastaj qarqeve aristokratike të Evropës, ëndrrat s’kishin të ndalur. Jeta mjaft e trazuar dhe romantike e Pashait e pati frymëzuar madje dhe të madhin Viktor Hugo, pastaj mustakologun Aleksandre Dumas e madje dhe madhorin e “shkarravinave” romaneske franceze, të paarritshmin Balzak.

Hanumet e pashait secila më e bukur se tjetra, vështirë t’i bëje ballë tundimit. Jo vetëm poetët por dhe piktorët se ç’i nxiste diç, s’mund të rezistonin pa iu qasur bukurisë së tyre me brushat e me lapsat. Shumë piktorë e ilustratorë filogrekë psh. e preferonin historinë mes Vasilikes dhe Pashait.

Okidoki, pse jo, ishte kryetema, ishte simbolika e vetë temës, ajo ishte e “përzgjedhura”. Vasilika nuk ishte “favoritja e Sulltanit” (siç jemi mësuar aq shpesh me pikturat e piktorëve “orientalistë”) ama ishte favoritja e Pashait. Historianët dhe njohësit e rrethanave të atëhershme insistojnë se ndikimi i saj mbi sovranin ua shpëtoi jetën shumë të krishterëve grekë. E ngrata ishte vetëm dymbëdhjetë vjeç kur e pati lutur Pashain që ta kursente jetën e babait të saj. Pashai e pati mëshiruar babain, dhe Vasilika i qe bashkuar haremit të tij.

Ta them pra se Bajroni ishte thjesht një ekzagjerues aristokratik. Ekzagjeronte me gjithçka, jo vetëm me delirin poetik, me artin e fjalës. Përherë i zhytur në borxhe të mëdha, përherë me skandale e me afera të panumërta dashurie. Madje sa afera me femrat, po ashtu dhe me meshkujt. Fotot e ilustrimet nuk e fshehin bukurinë e tij. Pse do ta fshihnin, ishte i bukur që ç’ke me të. Shpesh dhe vetë meshkujt kujtonin se ai mund t’ishte gjysmë-gjysmë, edhe-edhe, as-as, as femër as mashkull. Tutje historia s’na e fsheh as famën e tij, por ama njësoj historia nuk i fsheh as skandalet e panumërta.

Se mos vetëm ai ekzagjeronte me romancat e me romantikat. Meqë ra fjala, ta them se gjithë poetët e romanticizmit ishin ekzagjerues të pandreqshëm. S’desha të zgjatem shumë rreth “ekzagjerimeve” poetike-artistike, desha të fokusohem tek “kujdesi”… Por ja që gjërat të lidhura, fjala ma nxirte fjalën.

Shkurt, e dimë që Sirano (de Berzherak) fshihej i ndrojtur nën ballkon – hunda tepër e madhe ia pamundësonte të dilte haptas në “mejdan”. Por ama si ta dimë, ndoshta dhe Romeo ishte një “pinokio” hundgjatë. Një gënjeshtar, një mashtrues i madh, aspak më ndryshe, por si Don Zhuanët… e të ngjashëm?!
Ja pse duhet kujdes, mos i beso askujt e dashur, askujt që vjen e sorollatet gjoja si vjershëtor, gjoja si bilbil a harabel nën ballkonin tënd.
| – – –

Please follow and like us: