Albspirit

Media/News/Publishing

Përndjekja e Tuk Jakovës nga Sigurimi i Shtetit, emrat e përfshirë (2)

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË

MINISTRA E PUNËVE TË BRENDSHME

DREJTORIA E PUNËVE TË BRENDSHME

Nr. Extra                                                                                     Në Berat më 19/7/1955

                                                     FLETË KONTROLLI

KARTOTEKËS I-rë dhe të II-të

Lutemi kontrolloni dhe na njoftoni, nëse figuron regjistruar i quajturi Tuk Jakova, i biri i Markut dhe i Çiles, i datëlindjes 1914 nga Shkodra, me banim në Berat me profesion zdrukthëtar.

Punëtori Operativ                                                                 DREJTORI P. BRENDSHME

(            )                                                                                      N/Kolonel Zylfi Saliu

Njoftojmë se nuk figuron i regjistruar dhe materiali i tij gjendet në___________.

                         Përgjegjësi i Kartotekës

                              Misto Sterjo

Dokumenti sekret i hartuar nga oficeri i Sigurimit të Shtetit pranë Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Beratit, kapiten Vasil Shiko, me ekstraktin e nxjerrë nga vendimi i Plenumit të Komitetit Qendror të PPSh-së të qershorit të vitit 1955, “Mbi veprimtarinë anti-parti të Tuk Jakovës dhe Bedri Spahiut”!

NXJERRË NGA VENDIMI I PLENUMIT TË KOMITETIT QENDROR TË P.P.SH. 15 deri 17 QERSHOR 1955, MBI VEPRIMTARINË ANTI PARTI DHE ARMIQËSORE TË TUK JAKOVËS DHE BEDRI SPAHIUT.

Qysh nga formimi i Partisë dhe deri sot, kanë qenë në thelb e në opozicion me Partinë.

Veprimtaria e tyre në Parti karakterizohet nga oportunizmi i theksuara e konsekuent Social-Demokrat.

Qëllimi i fundit i tyre, ka qenë revizionimi i udhëheqjes ekzekutues të Partisë dhe zëvendësimi i kësaj udhëheqje Marksiste – Leniniste, me një tjetër anti – marksiste, që do të kryesohej për të goditur nga Partia si anti – parti, si: Bedri Spahiu, Kristo Themelko, Ramadan Çitaku etj.

Lidhur me situatën ndërkombëtare, Tuk Jakova ka pasë formuar bindje se duhej të përmbysej vija e drejtë e Partisë marksiste-leniniste dhe të zëvendësohej, me një vijë të përgjithshme Trockistë, nacionaliste, borgjeze dhe kapitullonjëse, që do të ndërtohej nga një udhëheqje anti – marksiste, me Tuk Jakovën në krye.

Në plenumin e Prillit 1955, Tuk Jakova, në mënyrë demonstroje, arrogante dhe agresive, sulmoi haptazi, udhëheqjen dhe vijën marksiste të Partisë, duke shtruar tezat e tija anti-parti, anti-marksiste, trockiste dhe revizioniste, për të cilat ka biseduar më parë me Bedri Spahiun. Ky bashkëpunim në mes të tyre, u mbajt i fshehtë nga Partia, deri sa u bë e pa mundur të mbahej më tej.

Në plenumin e prillit, Tuk Jakova, me ngutësi të madhe në mënyrë diversioni, me arrogancë dhe me këmbëngulje, ngriti tezat e tija të më poshtme:

  1. Të revizionoheshin vendimet e Partisë dhe të Kongresit të I-rë të saj, në lidhje me vlerësimin e punës të grupeve komuniste, para formimit të Partisë, që si mbas tij, theksimi në këtë mënyrë i anëve negative të tyre, është i gabuar dhe kërkonte të zbuten. Qëllimi i tij ishte që të lante dhe të nxirrte në dukje grupin e Shkodrës, në të cilin për një kohë, ai ka qenë udhëheqës. Kjo vërteton atë që ai ka qenë opozicion me Partinë, qysh me formimin e sajë.
  2. Të revizionohej gjithë vija politike dhe organizative e Partisë, pse sipas tij kjo nuk ishte përcaktuar drejtë dhe kishte shtrembërime të mëdha. Si mbas Tuk Jakovës, Partia ishte formuar nga disa njerëz të huaj, se shoku Enver Hoxha nuk ka qenë themeluesi i Partisë tonë, se vija e drejtë e Partisë, gjatë luftës u dedikohej të huajve dhe jo Komitetit Qendror të Partisë.
  3. Si mbas Tuk Jakovës, të ndërrohej Byroja Politike e Komitetit Qendror, sepse sipas tij, asnjë nga anëtarët e Byrosë Politike ekzistuese, nuk ka qenë konsekuent në udhëheqjen e Partisë.
  4. Të revizionohej vija e Partisë në lidhje me vendimet historike të spastrimit të radhëve të Partisë, në lidhje me vendimet historike të spastrimit të radhëve të Partisë, nga elementët trockistë, anti-parti dhe armiq, sepse si mbas tij, karshi elementëve të dënuar nga Partia, për fajet e tyre të rënda, anti-parti, duhet të rehabilitohen dhe fotografitë e tyre, të ekspozohen në të gjithë vendet e dukshme të muzeve, ekspozitave etj.

Me këtë, Tuk Jakova tregon se lufta e ashpër e Partisë, kundër elementëve devijatorë, fraksionistë anti-marksistë, anti-parti dhe trockiste etj., ka qenë një gabim i rëndë dhe me këtë ai është për shuarjen e luftës së ashpër, kundër ideologjive armike në Partinë tonë dhe përfundimisht, për shndërrimin e Partisë s’onë, në një Parti borgjeze dhe Social-Demokrate. Të revizionohej vija e Partisë, sipas Tuk Jakovës, në lidhje me luftën e klasave, mbasi gjoja janë duke u bërë gabime të rënda ekstreme, si p.sh., përjashtimi nga puna e një mbese të Patër Anton Arapit, kushërira e Tuk Jakovës.

5. Siç e ka pohuar vetë ai (Tuku), është i krimbur në një dozë të madhe lokalizmi të rrezikshme, duke         u përpjekur për të ngjallur përçarjen në unitetin e popullit tonë. Kjo frymë e ka çuar atë, që të gjitha        çështjet t’i shohë nën prizmin e parullës reaksionarë (gegë e toskë). Kjo u pohua prej tij duke folur për      çështjen e gjuhës Shqipe dhe për tekstin e abetares, që përdoret në Veri, ku thotë se Dukagjinasi,              dukagjinas do të mbetet.

Me këto teza armiqësore, trockiste dhe likuidatorë të Tuk Jakovës, ka qenë plotësisht dakord dhe Bedri Spahiu. Nga analiza e bërë nga Byroja Politike dhe Komitetit Qendror, u arrit në konkluzionin se Tuk Jakovës, i është lëkundur plotësisht besimi tek Partia dhe tek vija e saj e drejtë politike dhe organizative.

Të dy herët, Tuk Jakova, gaboi në të njëjtat drejtime dhe gabimet e tij kanë shkuar, duke u rritur e duke u thelluar shumë. Ka qenë i pa sinqertë dhe hipokrit në autokritikën e tij, ka jetuar vazhdimisht në kundërshtim të heshtur me Partinë.

Qëndrimi i tij para Byrosë Politike, ka qenë negative dhe u përpoq që gjërat dhe fajet e tij, t’i minimizonte (zvogëlonte) duke i fshehur kështu Partisë, qëllimet e tij të vërteta kundër Partisë.

Ai pohoi para Plenumit të Komitetit Qendror të qershorit, se ka patur pakënaqësira të mëdha kundrejt udhëheqjes të Partisë, që nga themelimi i saj dhe deri më sot dhe se këto pakënaqësi, ja ka fshehur Partisë automatikisht. Pohohet se të gjitha autokritikat e tija deri më sot, kanë qenë hipokrite për të fshehur qëllimet e tija anti-parti. E ka quajtur të pa drejtë vendimin e Plenumit të 9-të të Komitetit Qendror, për të hequr atë nga anëtari i Byrosë Politike.

Se pakënaqësitë e tij dhe urrejtja e tij, kanë qenë përqendruar sidomos kundër themeluesit dhe udhëheqësit të Partisë s’onë, shokut Enver Hoxha. Ai pohoi se zhvillimin e ngjarjeve ndërkombëtare, vitet e fundit e ka quajtur si anti-marksiste, se tash një vit ka filluar që po e revizionon praktikisht vijën e Partisë, fshehtas nga Partia, duke afruar dhe mbështetur elementët e goditur nga Partia, për punën e tyre anti-marksiste dhe anti parti, si: Krisot Themelko, Ramadan Çitaku dhe të tjerë.

Berat më 30.VI.1955                                                         Kapiten

                                                                                         Vasil Shiko

               Vërtetohet se është njëjtë me shënimet origjinale

                                         Toger

                                   (Nimet Meçani)

Dokumenti “Tepër sekret” i vitit 1955 i hartuar me Drejtori i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Qarkut të Beratit, nënkolonel Zylfi Saliu, me propozimin për ndjekjen e survejimin e Tuk Jakovës (në përpunim aktiv 2/A) dhe miratimi nga ana e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, gjeneral-major, Mihallaq Ziçishti

 “APROVOHET”                                                                            Tepër sekret

ZËV/MINISTËR I P. BRENDSHME

(GJENERAL – MAJOR)

MIHALLAQ ZIÇISHTI                                                              Tiranë me 13/VIII/1955

                

                                                         RAPORT – PROPOZIMI

Për marrjen në përpunim II-A të Tuk Jakovës      

Për aktivitet anti-Parti dhe armiqësor, Tuk Jakova, duke qenë në udhëheqje të Partisë dhe të Shtetit, u hoq nga të gjitha postet që mbante, u përjashtua nga Partia dhe ditët e fundit u dërgua në Berat, me punë pran N.I.L. Prodhimeve të Ndryshme. Përsa sipër, propozoj që i përmenduri të merret në përpunim aktiv II/A, nga ana e jonë.

Tuk Jakova, i biri Markut dhe i Çiles, lindur në Shkodër më 20/II/1914, banues sot në Berat, me profesion kryesor, zdrukthëtar, sot përgjegjës i repartit prodhimit pranë zdrukthëtarisë të N.I.L. Prodhimeve Berat.

Veprimtaria e tij anti-Parti dhe armiqësore karakterizohet nga një oportunizëm i theksuar e konsekuent social-demokrat. Tuk Jakova, u vërtetua plotësisht se qysh me formimin e Partisë, ka qenë në thelb n’opozicion me të dhe qëllimi kryesor i tij ka qenë rrëzimi i udhëheqjes ekzistuese të Partisë dhe zëvendësimin e kësaj të fundit, me një tjetër anti – marksiste, që të kryesohej prej tij dhe të përbëhej nga të gjithë elementët kryesor, të goditur nga Partia, si anti-Parti.

Në Plenumin e Prillit 1955 të K.Q. të PPSH-së Tuk Jakova, duke qenë anëtar i tij, duke qenë i parapërgatiture, në marrëveshje të plotë me Bedri Spahiun, që më parë me këmbë ngulje të vendosur, ngriti tezat e tij anti – marksiste:

  1. Të revizionoheshin vendimet e Partisë, në lidhje me vlerësimin e punës së grupeve të para Komuniste, në vendin t’onë dhe të zbutesh theksimi i anëve negative të tyre. Synimi i tij ishte të lante dhe të nxirrte në dukje, ‘Grupin e Shkodrës’, në të cilin ai për një kohë, ka qenë udhëheqës; qysh këtu del qëndrimi i tij n’opozicion me Partinë, që nga formimi i saj.
  2. Të revizionohej e gjithë vija politike dhe organizative e Partisë, se sipas tij kishte shtrembërime të mëdha. Lidhur me këtë, ai thoshte se Partisë tonë gjatë Luftës, u dedikohej të huajve dhe jo Komitetit Qendror të Partisë tonë.
  3. Sipas Tuk Jakovës, asnjë nga anëtarët e Byrosë Politike ekzistuese, nuk ka qenë konsekuent në udhëheqjen e Partisë.
  4. Tuk Jakova kërkonte të revizionohej vija e Partisë në lidhje me vendimet e spastrimit të radhëve të saj nga elementët trockistë, anti-Parti dhe armiq, sepse sipas tij, këto vendime ishin të pa drejta dhe se të gjithë këta element, anti marksiste dhe anti-Parti, të rehabilitohen. Me këtë ai ishte për shuarjen e luftës së ashpër, kundër ideologjive borgjeze e armike, në Partinë t’onë.
  5. Tuk Jakova kërkoi të revizionohej vija e Partisë, lidhur me luftën e klasave, mbasi gjoja janë duke u bërë gabime të rënda.
  6. Tuk Jakova paraqitej me një dozë të madhe lokalizmi të rrezikshëm, duke u përpjekur për të ngjallur përçarje në unitetin e popullit t’onë dhe nën këtë prizëm, të gjithë çështjet ai i shihte me parullën reaksionare, “Gegë e Toskë”.

Tuk Jakova ka qenë i pa sinqertë dhe hipokrit para Partisë dhe vazhdimisht ka jetuar në kundërshtim të heshtur me Partinë. Nga vet pohimet e tij, dolli se të gjithë autokritikat e tij deri sot, kanë qenë hipokrite për t’i fshehur Partisë, veprimtarinë e tij anti-Parti dhe armiqësore. Zhvillimin e ngjarjeve ndërkombëtare, vjetët e fundit si i gjykonte, si anti-marksistë, se tash një vjet, si kish filluar dhe reviziononte vijën e Partisë, fshehurazi sajë, duke afruar dhe mbështetur elementët e goditur nga Partia, për punën e tyre anti-Marksiste dhe anti Parti, si: Kristo Themelko, Ramadan Çitaku e tjerë.

Për veprimtarinë e tij anti-Parti, anti-Marksistë dhe armiqësore, që përshkruhet më sipër, propozoi që i sipër përmenduri, të merret në përpunim aktiv, në kategorinë II/A, nga ana e jonë. Memorie.al

      Berat 20/VII/1955                                                         PROPOZUESI

                                                                                                 N/Kolonel

                                                                                                 Zylfi Saliu

       “PËLQEHET”

KRYETAR I DEGËS SË III-të

N/KOLONEL (HALIM XHELO)

Tiranë me 12/VIII/1955

Please follow and like us: