Sadik Bejko: Fiku i zi
Më kujton atë fshatin, tashmë vdekur,
në strehë shpellash të përrenjve. A thua,
e kam harruar atë fikun e zi, të shkruar,
me bulëz të vishnjët ëmbëlsie në buzët
çarë dhe me gjarpërin poshtë nën gjethe?
Ende më fishkëllin veshit, i nëmuri, në yrte
me gurë të ëmbël, me fiq vjeshte.
Kokë e vogël e zeshkët, sy ftohtësisht
të zinj si ujë mali në grykë lumi me
mjegulla nga dalin nuse, vajza, gra e
plaka që më puthnin, më merrnin në
krahë, më jepnin mjaltë dhe petulla
gra me gjinj, kofshë, pëqinj, supe të valë,
tashmë shumica (krejt?) të vdekura.
I purtektë trupi yt, lëkurë me lëng të
fortë si thana. Kur shoh atë lëvizje të
shpejtë sysh, atë hedhje pas të flokut, më
përhiret nëna. Flokët mëndafsh nate me yje,
këtij qyteti syzbardhur të ndjek si gjaksi
me sëpatën gati pas çdo druri në pyje.
Fik, mizëri me kokrrat pjekur – vrima të
zeza, picak – m’i thëthije uritë në gjak.
Herët, egër më ke-dhe-të-kam-ndjekur:
vjedhtas t’i këpusja kokrrat me qumësht.
Dhe mbi grykë pusi fluturoja. I ikja pusit.
po me mend veten të mbytur atje e pashë,
më dilnin ahet dhe shkumët.
Shtëpi, puse, oborr me hardhi, me bagëti
mbi plloça. Shtëpi guri këputur nga mali.
Gruaja aty e zotëron krejt natën e burrit.
Si hëna del e rëndon mbi gryka, rëndon
Me aq shumë dritë, zotëron pyje dhe ëndrra.
Në ag firon, bie përmbys ndaj mëmës
së jetës, te fëmijët, humbon te rrënja.
Mësova aty të lëviz si rruazat e vesës,
bardhë edhe nën trung të tharë dimri, të
ec nën lëkurë druri: nga dheu nisur gjer
lart te një lastar me gjethe e sy fruti.
Fik ëmbël i çarë, gojë gjarpëri e gjethesh,
fik i zi picak, dhe sot me pak helm ëmbël
po m’i çmend mungesat yje-yje në gjak.
Nga libri “Fytyrë e panjohur”, 2005.
Please follow and like us: