Albspirit

Media/News/Publishing

Xhafer Rama, i riu nga Kosova që krijoi platformën e suksesshme në NASA për ushtrinë amerikane

Qeveria amerikane, më saktësisht Departamenti i Punëve të Brendshme ia besoi krijimin e një programi që i shërben ushtrisë amerikane, shqiptarit Xhafer Rama.

Në mesin e qindra aplikantëve, në maj të vitit 2017, në moshën 24-vjeçare ai arriti që me punën e tij t’i bashkohet Agjencisë Kombëtare Hapësinore Amerikane, që njihet me akronimin NASA.

I kishte kaluar të gjitha testet, e kur erdhi deri të procedura për të marrë “çelësin” që i hapte dyert e zyrave në NASA, në sistem nuk figuronte Kosova.

“Ka qenë interesant, sepse kur unë shkova me marr atë bexhin, ose me u aksesu në zyrat e NASA-s ishte e nevojshme me pas atë bexh, por unë isha personi i parë prej Kosovës, edhe nuk e kanë pasur Kosovën të listuar në njërën prej opsioneve me u pajis me bexh”, rrëfen Rama.

Inxhinieri softuerik, Xhafer Rama nga Turuqica e Podujevës është i pari shtetas nga Kosova që në sistemin e NASA-s bëri të mundur të njihej edhe Republika e Kosovës si shtet.

“Është dasht me prit gjithë ditën, për me u vendos Kosova në listë edhe me marrë unë bexhin. Për fat të mirë edhe emrin e Kosovës e kanë vendos si njërën prej opsioneve të shteteve për më hy në NASA”, tregon Rama.

Ai ka rrëfyer gjithë përvojën e tij në këtë institucion prestigjioz dhe punën që bëri në shërbim të Departamentit amerikan për Punë të Brendshme.

“Na kemi lansuar një platformë që i shërben Ministrisë së Brendshme të Amerikës. Kjo platformë e ka pasur për synim t’i marrim të gjitha të dhënat e sëmundjes që quhet ‘Chikungunya’. Tash çdoherë kur të zbarkojnë trupat amerikane, njëra prej gjërave që i kontrollojnë është edhe a është ajo njëra prej zonave të prekura nga kjo sëmundje, e që e kanë përdorë këtë platformë”, shpjegon ai, duke shtuar se pas një viti punë u lansua platforma.

Në shkopin e një astronauti në bazën e NASA-s është shkruar emri i Xhafer Ramës për nder të suksesit që pati platforma e krijuar nga ai.

“Kjo platformë e ka marrë vendin e parë prej platformave më të përdorura e më të suksesshme në bazën e NASA-s në vitin 2018. Si shpërblim emri im është shkru në shkopin e një astronauti dhe është në ndërtesën e 33-të të NASA-s”, thekson ai.

Deri në NASA, Rama arriti pas bursës që kishte fituar dhe shumë projekteve që kishte krijuar gjatë studimeve.

Synimi i tij është të fuqizojë edhe gjeneratat e reja në Kosovë në fushën e teknologjisë, ndërkaq ka në plan edhe projekte të mëdha në lidhje me këtë përkrahje që do tu jap të rinjve në Kosovë.

Please follow and like us: