Fëmijët që rezultojnë pronarë korporatash në regjistrat e Luksemburgut
Një bebe mongoleze vetëm një vjeçe zotëron një pjesë të një kompanie të madhe qymyri në shkretëtirën Gobi. Një azerbajxhanas njëmbëdhjetëvjeçar përfiton nga kontratat shtetërore me Turkmenistanin dhe Kinën. Një adoleshente ruse ka investuar në sistemet e pensioneve kanadeze dhe kaliforniane dhe zotëron pasuri miliarda dollarësh.
Këta janë vetëm një pjesë e vogël e afro 300 të miturve që zotëronin ose kontrollonin aksione të rëndësishme në kompanitë e Luksemburgut që nga viti 2020. Të dhënat kanë dalë nga një investigim si pjesë e projektit OpenLux.
Në Luksemburg, ligji nuk i ndalon fëmijët të zotërojnë kompani, megjithatë disa nga emrat e identifikuar kanë ngritur shqetësim. Ata janë kryesisht të mitur, prindërit e të cilëve janë oligarkë, kriminelë dhe njerëz me lidhje të ngushta me figura me ndikim politik. Një e katërta e tyre kanë moshë më të vogël se subjektet që zotërojnë.
Në vitin 2019, Luksemburgu publikoi për herë të parë një regjistër të “përfituesve fundorë” – pronarët e vërtetë të kompanive, në krahasim me përfaqësuesit ose të emëruarit – për herë të parë, çka jep një pamje të qartë se kush ka përfituar nga sekreti financiar i vendit.
Pse fëmijët zotërojnë kompani, përfshirë disa të tilla me asete shumë miliona dollarëshe? Në bizneset familjare, prindërit mund të zgjedhin t’u japin fëmijëve aksione si pjesë e një plani afatgjatë të trashëgimisë.
Por fakti që shumë prej tyre nuk kishin lindur ende në kohën kur u themeluan kompanitë – dhe prindërit ndonjëherë nuk rezultojnë fare në dokumentet e kompanisë – lë të kuptohet një arsye tjetër e mundshme: Shtimi i një doze sekreti përpara se në Luksemburg të hyjë në fuqi afatit deklarimi publik i pasurive.
Megjithëse rregullatorët bankarë në Luksemburg janë skrupulozë, shumë kompani vendase ekzistojnë vetëm për të mbajtur aktive jashtë vendit – që do të thotë se ato nuk janë subjekt i mbikëqyrjes nga rregullatorët.
“Mund të ketë pasuri në pronësi të fëmijëve gjashtëmuajsh, ose të kriminelëve më të kërkuar të FBI-së. Por askush nuk kontrollon për sa kohë që ato janë aktive dhe jo para. Gjithçka tjetër thjesht skanohet”, thotë Roman Borisovich, aktivist i transparencës.
Luksemburgu i denoncoi investigimet e OpenLux kur ato u publikuan në shkurt 2021, duke hedhur poshtë pretendimet për mangësi në marrëveshjet e tij të pastrimit të parave. Por në gusht, Ministria e Drejtësisë tha se kishte gati një projekt-ligj që synonte sanksionimin e atyre që abuzojnë me regjistrimin me qëllim pastrimin e parave dhe evazionin fiskal.
Pas publikimit të gjetjeve, Ministria e Drejtësisë e Luksemburgut tha se do të bëjë një auditim të të miturve që janë të listuar si pronarë kompanish në regjistër, ndërsa rezultatet do të publikohen më vonë këtë vit.
Në Luksemburg nuk janë pak ata që kundërshtojnë reformat në funksion të transparencës, duke argumentuar se ato mund të shkelin të drejtën e privatësisë. Por vetëm një pjesë e vogël e informacionit të raportuar në regjistër bëhet publike, dhe kjo nuk përfshin kurrë të dhëna personale si adresat e shtëpisë.
Azerbajxhani
Familja e Ilgar Mammadov është ndër më të pasurat në vend. Ai drejton Partinë Republikane Alternative dhe është përshkruar nga mediat e vendit si biznesmen i suksesshëm, megjithatë nuk i është përmendur kurrë një biznes.
Megjithatë, OpenLux zbuloi si gruaja dhe fëmijët e Mammadov janë pronarë të një kompanie të regjistruar në Luksemburg të quajtur Canley Finance SA, e cila ka grumbulluar investime dhe kontrata shtetërore në mbarë botën që kur u krijua në 2008. Kompania është në pronësi të gruas së Mammadov dhe tre fëmijëve të tij, të cilët kanë qenë përkatësisht 17 vjeç, 9 vjeç dhe 3 muajsh në kohën e themelimit.
Meksika
Miguel Zaragoza Fuentes, themeluesi i konglomeratit kryesor të gazit në Meksikë, Zeta, njihet si njeri i rezervuar. Por jeta e tij familjare u shndërrua në një telenovelë kombëtare në vitin 2014 kur gruaja e tij 60-vjeçare dhe nëna e 11 fëmijëve të tij, Evangelina López Guzmán, bëri kërkesë për divorc.
López kishte zbuluar se burri i saj miliarder ishte në një lidhje me një punëtore shtëpie, e cila ishte punësuar si shërbëtore. Carrillo kishte lindur fëmijën e dymbëdhjetë të Zaragozës në 2004 dhe Zaragoza më pas u kishte transferuar asete me vlerë miliona dollarë – duke përfshirë para, pasuri të paluajtshme, vepra art dhe një aeroplan, anëtarëve të familjes së saj dhe vajzës së tyre sekrete.
Gjykata mbajti anën e López dhe urdhëroi të shoqin t’i dorëzonte asaj një pjesë të rëndësishme të perandorisë së tij të biznesit. Por pas një sërë apelimesh dhe betejash ligjore që arritën deri në gjykatën supreme të Meksikës, Zaragoza nuk i është bindur ende urdhrit.
OCCRP zbulon se një nga kompanitë nga e cila Zaragoza duhej të hiqte dorë, Texas Gas & Oil (TGO) Ltd. me bazë në Bahamas, është në pronësi të vajzës tashmë adoleshente të Zaragoza dhe Carrillo. Sipas dosjeve gjyqësore, TGO – një furnizues i Zeta Gas del Pacifico – kishte transferuar miliona dollarë te Zaragoza dhe familja e tij të dytë për përdorim personal, duke përfshirë pagesën e tarifave të kolegjit për një fëmijë tjetër të Carrillo-s. Vitin e kaluar, ai humbi një betejë gjyqësore dyvjeçare në Bahamas për të mbajtur sekret të dhënat e saj tatimore pasi autoritetet meksikane kërkuan dokumente në lidhje me shitjet e tij te Grupo Zeta.
Rusia
Për vite me radhë, identiteti i pronarëve të kompanisë me qendër në Luksemburg, Felicity International S.A. ishte sekret. Në vitin 2014, gjatë një hetimi për një skemë mashtrimi shumë milionëshe, hetuesit kërkuan informacion në Ishujt Virgin mbi aksionerët themelues.
Felicity ishte inkorporuar në dy kompani guaska offshore, njëra me bazë në Ishujt Virgin dhe tjetra në Panama, por ato ishin shpërbërë në vitin 2011. Këtu gjurmët humbën.
Por në vitin 2019, kur Luksemburgu i detyroi kompanitë të listonin pronarët përfitues, Felicity deklaroi se ishte në pronësi të tre vëllezërve e motrave me nënshtetësi bullgare. Në atë kohë, më i riu ishte 15 vjeç.
Që atëherë, OCCRP i ka identifikuar ata si fëmijët e oligarkut rus të telekomunikacionit Sergei Adoniev, i cili mori nënshtetësinë bullgare sipas skemës së pasaportës së artë në vitin 2008, më pas iu revokua në maj 2018 pasi autoritetet atje zbuluan dosjen e tij kriminale. Në vitin 1998, Adoniev u dënua në Shtetet e Bashkuara për mashtrim të qeverisë kazake me 4 milionë dollarë nëpërmjet shitjeve false të sheqerit kuban.
Italia
Producenti italian, Daniele Lorenzano, është përballur prej kohësh me kritika për shkak të lidhjes së tij me biznesmenin dhe ish-kryeministrin Silvio Berlusconi. Ai menaxhoi blerjen e të drejtave të transmetimit në SHBA për perandorinë mediatike të kavalierit.
Prokurorët e Milanos më vonë do të vërtetonin se Lorenzano kishte menaxhuar gjithashtu një skemë evazioni fiskal në mbarë botën, të orkestruar nga Berlusconi. Në vitin 2012, ai u dënua me tre vjet e tetë muaj burg – vetëm katër muaj para dënimit të dhënë vetë Berlusconit – për rolin e tij në mashtrim. Në fund, asnjëri nuk e vuajti dënimin, pasi ato u konvertuan në shërbim në komunitet.
Në vitin 1994, në të njëjtin vit që Berlusconi filloi karrierën e tij politike, një kompani e pasurive të paluajtshme e quajtur Najis Real Estate S.A. u inkorporua në Ishujt Virgin. Ajo u zhvendos në Luksemburg në vitin 2003, duke sjellë me vete pasuri të paluajtshme marokene me vlerë 3.6 milionë dollarë.
Stefano Martinazzo, kontabilist mjeko-ligjor që u konsultua për rastin, i tha OCCRP se i kujtohej CEO i një firme të Berlusconit që dëshmonte se “madje edhe drejtuesit e lartë të grupit ishin ‘të shqetësuar’ nga tarifat e mëdha të paguara Lorenzanos”, që arrinin në 20 milionë dollarë mes 1994 dhe 2003.
Nuk është e qartë se kush e zotëronte kompaninë në këtë kohë, por në vitin 2019 ajo deklaroi si pronar një trust familjar të krijuar nga Lorenzano për dy vajzat e tij. Në atë kohë, vajzat ishin në adoleshencë, por në kohën kur Najis u zhvendos për herë të parë në Luksemburg, njëra nuk kishte lindur ende dhe tjetra ishte vetëm dy vjeç e gjysmë.
Trustet janë një mënyrë e zakonshme që prindërit t’u dorëzojnë asetet fëmijëve të tyre duke shmangur taksat dhe vonesat që lidhen me trashëgiminë. Ato menaxhohen nga palë të treta në emër të përfituesve.