Ambra Hysa: Dashuria…
Dashuria
Jetoj në epokën e dashurisë, është boshti mbi të cilin kam mbështetur të gjithë jetën, duke i besuar verbërisht vetëm fuqisë së saj… Asaj, që me sy mbyllur e gjej çdo herë mes vargjeve, e gjej duke më pritur kur ulem dhe zbraz barrën e rëndë të mendimeve, e gjej tek miku im më i mirë në këtë botë, shkrimi.
I kam besuar të gjithë jetën time asaj, ia kam vënë në duar, pa m’u dridhur syri, duke qenë e bindur se ajo është rruga ime dhe se vetëm nga dashuria mund të lindin filiza të rinj jete, burime ëndrrash, shprese…
Dashuria është e vetmja kohë që unë dua të jetoj, dua të krijoj nën petkun e dashurisë. Duke pasur dashurinë në epiqendër, ndriçuar fuqishëm nga prozhektorët më të besueshëm, ato të Shpirtit.
Ne themi se e dashurojmë dikë plotësisht, kur heshtja mes nesh është komode… ajo zë vend, është e paqtë dhe i ngjan zhurmës së dallgëve të detit, që shkumëzohen embël në breg.
Orhan Pamuk, një ndër autorët e mi të preferuar ka shkruar se “Dashuria është malli i njeriut për të gjetur një strehë të sigurt për shpirtin e tij”… dhe mendoj, se nuk mund të përshkruhej kjo ndjenjë universale, më bukur se kaq.
Sot në ditën ndërkombëtare të dashurisë ndjej se dashuria gjithnjë dhe më shumë po materializohet. Ka mbetur shumë pak nga ajo e vërteta, spiritualja, esenca që deh edhe shpirtrat më të fortë, ata që do të ishin betuar se dashuria është për budallenjtë dhe se nuk do ta linin veten të binin asnjëherë ‘pre’ e saj.
Shija e dashurisë është e hidhur, po aq sa e dëshiruar për ata që e provojnë. Edhe dhimbja e saj thonë, se të shijon deri në humbjen e vetvetes.
Për mua dashuria është çmenduri ose nuk ekziston.
Nuk mund të dashurohesh pak, dashuria nuk e njeh sensin e masës. Dashuron ose çmendurisht ose aspak.
Të bën të marrë, deri në dehje nga kënaqësia, ose të helmon. Është thjeshtësisht kështu dhe pse ne përpiqemi ta ndërlikojmë, në vend që ta pimë me fund dhe ta shijojmë, OPIUMIN E JETËS.
Por njerëzit, nuk po e pëlqejnë më dashurinë. Ata gjithmonë dhe më shumë e ngatërrojnë atë, me ndjesinë e flirtit. Por, dashuria është shumë më e thellë se kaq, është takim i dy shpirtrave, është sakrifikuese, emotive.
Kultura jonë, nuk e dashuron dashurinë, por idenë e dashurisë. Dëshiron emocionin, pa marrë asgjë në këmbim dhe kjo është e dhimbshme.
Dashuria është një ndjenjë që nuk mund të shpjegohet! Nuk është dhuratë dhe as trëndafila të kuq, nuk ka ngjyrë, trajtë… por ka aromë, aromën e njeriut që ti do.
Në dashuri, fjalët janë të varfra sepse vetëm dashuria është e pasur.
Ndjesi, që nuk del asnjëherë nga moda, kura e çdo kohe, ilaçi i rinisë së përjetshme.
Mund të thuash vërtet se kam jetuar jetën nëse je i dashuruar thellësisht pas saj. Dashuria është ekzistencë.
Është këndvështrim, krijesë…
Një përbindësh i bukur që e lëmë të na vrasë pak nga pak, si e vetmja mënyrë për të qënë gjallë.
Please follow and like us: