Albspirit

Media/News/Publishing

Gjergji Mihallari: Aromë mimoze…

Tregim
Qëlloi i ashpër dimri këtë vit. I ftohtë dhe cinik, më keq se një grua e përdalë, që nuk i bën më përshypje as turpi dhe as nderi. Ftohu më shumë njeriun nga brenda shpirtit. Sikur të ishte në aleancë me pandeminë, që torturonte njerëzimin më keq se një luftë botërore. Mbase ishte një luftë botërore. E para dhe e dyta, ishin harruar fare, sikur të mos ishin bërë. Kishin të drejtë! Kishte kaluar një mal me vite nga përfundimi i luftës së fundit. Njeriu e ka kujtesën e dobët, thonë, ndaj kjo flamë pandemie erdhi si për t’ua rifreskuar kujtesën. Njerëzia u struk si miu, skutave më të thella të shtëpisë. Fare pak dilnin rrugëve. E në këto raste me sebepin e punëve që nuk prisnin. Për të bërë psonisje, për ilaçe në farmaci, për të tërhequr lekët e pensionit në postë. Edhe kur këmbeheshe në rrugë me ndonjë të njohur, hapat ngadalësoheshin por nuk ndalnin. Një përshëndetje e thatë, kur vështrimet e shoqi-shoqit, këryenin mirë dhe imtësisht fytyrën dhe sytë e njëri-tjetrit. Nëse shenjat ishin të mbara, larg qoftë flama, afroheshin aq sa mund të përshëndeteshin me prekjen e pëllëmbëve të duarve, mbledhur grusht. E më pas dy fjalë të thata, mbledhur tek pyetja:
-Si jeni?
Në përgjigje shtohej edhe një fjalë:
-Mirë! Po juve?
Dhe përgjigja e dy palëve në të njëjtën kohë:
-Gjallë!
Duket që çmenduria është kthyer kolektive. Edhe ata më nopranët dhe kokëfortë ndaj kësaj flame, kanë pësuar një stepje. Një goditje traumatike për pjesën më të madhe të banorëve normal. Nga kjo marritje, kanë marrë udhët e paditur të qoftëlargut edhe fjalët. Si mur mbrojtës për të mos e tepruar me ato të uruara fjalë, janë maskat mbërthyer mbi gojë. Të këmbyerit e këmbësorëve nëpër udhë ndodh kur shiu rresht së pushuari. Dhe të vëresh pastaj shtrojën e kalldrëmit të gurtë të rrugëve. Ajo shkëlqen si një faqe pasqyre. Mbi faqet e lëmuara të gurit nuk ka shenja të hapave apo të ndonjë cope balte ngjitur këpucëve. Shkëlqen e rrëzëllen. Në atë sipërfaqe mund të kundrosh fytyrën, të krehësh flokët, të përdorësh edhe briskun për të hequr mushkun e trëshë të leshit mbi fytyrat e paruara. Nga kjo arratisje prej të përditshmes, strukur në qoshe e skuta shtëpish, burrat harruan se duhej të shkurtonin leshtë në kokë dhe faqe.
Qyteti, varur shpatit të malit, është zhytur në heshtje. Heshtje si njeriu që nuk dëgjon dhe as flet. Memec! Ditën edhe mund të copëtohet kjo heshtje, ndërsa nata është më vrastare. Perden e gric rrallë timbri i stërgjatur i një kolle të thatë, si angullima e qenit endacak. Kishte dëgjuar shumë dendur se qyteti ishte mplakur shumë, aq shumë sa ishte tendosur pranë një varri gjysëm të hapur. Kur varri të hapej plotësisht, qyteti do të ishte shtrirë brenda këtij varri. U shqiptuan këto fjalë disa vite më parë. Dikush buzëqeshi me ironi dhe tundur dorën në mënyrë të tillë sikur donte të pyeste pëshpëritësit e frazës, a jeni në terezi nga trutë? Si mund të vdesë një qytet i gurtë? Atë mot filloi gurgulesja e të rinjve, të krisnin e largoheshin një sahat e më parë, pa pyetur për askënd dhe asgjë. Edhe më skeptikët që kundërshtonin vdekjen e qytetit, disa vite më pas, u dorëzuan. Kur filloi periudha e flamës pandemike dhe në rrugët e qytetit e shtëpitë e zbrazura, nuk u kthyen të larguarit për pushime, thirrja u bë e brendshme për të gjithë banorët e ngelur. Kishin frikë ta shqiptonin me zë. Frika se ndillnin më shpejt vdekjen e qytetit, e kishin mbi kryet e tyre si një pezaulkë peshkimi. Qyteti ishte më bosh, më i heshtur, më pranë vdekjes. Masat e qeveriut, oraret e ndalim-qarkullimit si në kohën e luftës me gjermanin, strukja nëpër skutat e shtëpive, mbyllja e kufijve, shpalli proklamimim e vdekjes së qytetit, si një shpallje të shkruar mbi rretë e zeza në qiellin mbi qytet. Kuja e parë për të filluar vajtimin e vdekjes, ishte mungesa e emigrantëve, mosardhja e tyre verën e vitit të shkuar. Ata ngelën përtej kufirit, pas atij kloni me gjemba të hequr në fillim të viteve ’90 dhe të rivendosur përsëri vitin e kaluar. Jo se u thur përsëri një gardh me tel me gjemba, u vendos me fjalë e ligj, mos qarkullimi.
Verën e shkuar, kur u vendos kloni, ajo në buzëmbrëmjen e mbushur me shkëlqimin e hënës portokalle të varur në qiell, mes shkëlqimit djegës të yjeve, lëshoi piskamen e zërit me sa fuqi kishte në kokë: Qyteti vdiq! Ejani o njerëz ta shtijmë në një qivur të hapur! Klithma e saj ishte çpuese edhe për kupën e qiellit. E kishte nxjerrë nga thellësia e shpirtit, trupi i saj, gjunjëzuar në oborrin e shtëpisë. Më shumë ndjeu turpin i shoqi, teksa hulumtoi përeth me një vështrim të trembur. Nuk dukej frymë njeriu. As ndonjë qen endacak nuk endej nëpër rrugë. I vetmi dëgjues i atyre fjalëve, ishte vetëm ai. Ai nuk u çudit aspak me këtë shpërthim nga ana e të shoqes. Ajo nuk merrte zjarr pa shkak. Mbase shkaku gjendej thellë në shpirt. Ai e njihte prej një jete, i njihte rrënjë e dhëmballë. Kur vajzat kishin thënë në telefon se nuk mund të vinin dot nga pandemia dhe rrugët e mbyllura, ai kishte sharë nëpër dhëmbë. Ajo, e shoqja, kishte tundur kokën në shënjë aprovimi për zgjedhjen e vajzave. Në sy kishte veshur një perde të errët, pasi kishte lotuar gjatë pas mbylljes së kompiuterit, ku bisedonin me skypin e famshëm.
* *
Ishte gati muzg i plotë, kur, AJO, bëri deklamacionin se qyteti vdiq. Pastaj drejtoi vështrimin nga i shoqi. Ai tundi kokën disa herë, shenjë pohuese që ajo kishte plotësisht të drejtë. Vështrimi i tij ndalej gjatë, pas gjestit të proklamacionit, mbi fytyrën e saj. Ajo ende ishte një femër tërheqëse. Ishte e bukur, e admirueshme, tepër simpatike dhe joshëse. Vitet e jetës kishin fryrë si një puhizë e lehtë ere, pa mundur t’i shpupurisnin flokët e ondëzuar kaçurelë. Mbi to shquhej nuanca e kuqremtë anuar në atë të gështenjtë. Ndërsa tek flokët e tij kishte kohë që dëbora e thinjtë kishte shtruar çarçafët. Qetësia mortore, heshtja e frikshme mbi qytet, u copëtua vetëm një çast të shkurtër nga timbri i fuqishëm i zërit të gruas. Nga oxhaqet e shtëpive, vjellja e tymit shtonte zymtësinë e qiellit të rënduar me një masë të trashë resh. Shtëpitë gati të binin mbi njëra-tjetrën, qorolliseshin nga dritat e pakta, ndezur teketuk.
Zëri i të shoqit e ftonte të hynin brenda në shtëpi. Me tundjen e pëllëmbës së dorës i dha të kuptojë se do ta ndiqte nga pas. Ajri ishte tepër i ftohtë. Në ajër vërtitej aroma e dëborës. Duke vështruar edhe njëherë nga qyteti, dalloi që rrjeta e dritareve të ndriçuara po bëhej më e plotë, por nuk e mposhte dot njollën e stërmadhe të errësirës. Nëse shtohej harta e ndriçimit, më e plotë bëhej heshtja. Më mbizotëruese, më e egër, më e frikshme. Përballë fuqisë së heshtjes u tulat si qen i rrahur, edhe ajo erë maroke që pati jehuar dhe furfuritur si shkundje e fustanit të një gruaje, nëpër rrugicat e ngushta. Në trup të saj ajo ndjeu jo vetëm të ftohtën, por edhe heshtjen e thellë. Teksa dalloi dritën ndezur vetëm në dhomës e ndenjes, nëpër mend iu rreshtuan vargjet e një poeti të njohur: Veç në një dhomë e ndezim dritën. Për herë të parë e pati thënë nën zë, kur ishte larguar djali në dhe të huaj. Më pas kishte përcjellë vajzën për shkollë, po në dhe të huaj, pranë djalit. E kishte përcjellë herët në mëngjes, dhe në mbrëmjen e vonë kishte fikur dritën e harruar në mëngjes. Tani në shtëpinë e tyre, ndizej vetëm një dritë.
Nga gjumi, ose më mirë dremitja e saj e përnatshme, e zgjoi zëri i të shoqit. Me habinë e nderur tej më tej në gjithë qënien e tij, po përsëriste si fëmijë i lumturuar, po bie dëborë, po bie dëborë! Mbi pragun e dritares, ishte shtresëzuar një masë e trëshë bardhësie, duke krijuar kristale të vogla nga mbështjetja mbi sipërfaqen e xhamit. Ajo i dha trupit përpjetë, por pa lëvizur nga divani ku flinte. U mbështet mbi gjynjët e mbledhur përlart, poshtë mbulesës së trashë dimërore. Që me largimin e vajzës, të dy, burrë e grua, braktisën dhomën e gjumit, shtratin martesor. Në fillim, si një padëshirë për t’u larguar nga ngrohtësia e dhomës në ditët e acarta të dimrit dhe vetmia e krijuar nga mungesa e fëmijëve, dhe më pas, u mësuan me përtesën që të ngjisnin shkallët e pjerta brenda shtëpisë që të çonin tek dhoma e tyre e gjumit. Ranë në paqësi me zgjedhjen dhe dy divanët në dhomën e zjarrit ishin për t’a më komodë se shtrati martesor, për gjumin e tyre copa-copa. Gati me sy të përgjumur dalloi atë bardhësi në dritare. Trupin e zbuluar nga mbulesa e trashë ia gudulisi lehtë nxehtësia e ajrit të ngrohur të dhomës nga djegia e druve plot kërcitje në sobë.
-Një dëshirë e madhe ka qënë për mua, të shëtis kur bie borë,-foli ai, duke drejtuar vështrimin drejt saj. Sytë i rrëzëllenin një lumturi gati fëminore.-Duhet të jetë bukur, argëtuese kjo ecje… Mijëra grimca që të qerthullojnë, sikur shëtit mes yjeve në qiellin e madh… Përse mos e bëjmë një shëtitje!
Ajo as mohoi, por as edhe pohoi.
-Hë si thua? -vazhdoi të folurën me ton shumë të butë. -Mbase kjo dëborë largon ndjesinë e keqe, të ëndërrojmë pak. Pastaj, seç më shtynte të mendoja, diçka si një fiksim, se do të vdisja pa shëtitur njëherë kur bie dëborë. Sot kam dëshirë të shëtis, ta largoj nga truri fiksimin. Dhe nëse është e shkruar le të vdes pastaj…
-Përse mendon dhe ndjell vdekjen o njeri? -kërceu gjithë zemërim nga divani ajo. -Nuk po të mjafton kjo ndarje për së gjalli me njerëzit?
-Në një mënyrë edhe kjo gjendje, është një vdekje, -vazhdoi qetë ai, sikur në bisedë diskutohej për gjërat e përditshme, si në kohën kur shtëpia gëlonte nga zërat e fëmijëve. -Nuk e shikon? Të vetmuar, pa njerëz, si në shtëpi edhe në rrugë. Ndonjëherë më duket se rrugët e qytetit, janë më të zymta se rrugicat e qimitirit. Si thua ti, qyteti vdiq! Ke të drejtë! Është në buzë të një varri të hapur, por jo ta groposin me hije. Do t’i japin shqelmin si një qeni të ngordhur në gropë…
-Boll fole si teveqel! -ia preu ashpër ajo, duke mos larguar vështrimin nga dritarja.
-Hë si thua? Do të vish? -ngulmoi ai përsëri, duke veshur pallton e trashë dhe hapur derën.
Mes mëdyshjes dhe përtesës, veshi një xhakavento treçerekshe prej mushamaje. I zgjati një shall të trashë të shoqit, duke mbuluar edhe gushën e vet me një të tillë. Kur masa e ciknosur e ajrit, u përplas me fytyrën e saj tek pragu i derës së hapur, mëdyshja e mëparshme u shndërua në një vendim. Ideja për të shëtitur në këtë të ftohtë iu duk marëzi. Mohoi të shoqit veprimin që mund ta shoqëronte, duke e urdhëruar që të mos vonohej. Zhurmimi i hapave të tij mbi shtresën e borës, me atë “krap-krup”, vetëm i përcolli dridhje në trup. U friksua mos ajo zhurmë, shkaktonte thërmimin e kockave të trupit të saj. Një vështrim rrëshqanthi, përmblodhi brenda syve qytetin që fshihej pas jorganit të trashë dhe bardhosh të borës. Kristalet që piruetonin në ajër, shkaktuan një maramendje të lehtë. Shtëpitë varur shpateve të malit, zunë e po rrëshkisnin. Me pëllëmbë qartësoi vështrimin nga njollzat e kristaleve që ndalnin kudo mbi fytyrë.
-Është shumë ftohtë, mos shko! -foli ajo, ai tundi kokën.
Ishte i vendosur. Zhurma kërcitëse e hapave të tij në borë, u ngatërua me zërin e të shoqes. Ai ndali në vend. Ktheu vështrimin drejt saj. Atëhere ajo shtoi:
-Mos u vono!
Vetëm kaq, buzëqeshi ai nën hundë. Priste fjalë të tjera. Ato fjalët që ajo ia përsëriste sikur të ishin rregjistruar në një shirit magnetofoni, në çdo 14 shkurt. I kujtonte se ajo ditë, ishte festa e të dashuruarve. Ai buzëqeshte, mbase ndihej edhe fajtor për harresën e kësaj dite. Në fund, me një naivitet të ëmbël koteleje, ajo shqiptonte: -E fundja-fundit, edhe ne jemi të dashuruar! Apo e kam gabim?
Dhe ai, porosiste një buqetë me lule të freskëta qysh një ditë më parë tek dyqani i luleve. Bënte pagesën (një shënjë kujtese i thonte shitësit, kush paguan bluan), në mënyrë që lulet e freskëta të mbrinin tek shtëpia në mëngjes të ditës së festës. Filloi ky avaz në vitet e para pas Përmbysjes së madhe. Ishte kthyer në shtëpi atë mbasdite të ftohtë dimri, me një barë hallesh mbi sup. Lodhja shtirqej edhe tek gishti i vogël i dorës. Ndërmarrja e tij do të privatizohej. Një fat i panjohur e priste. U plas rëndë mbi kanape. Dy vajzat e vogla gati ia zunë frymën me shtrëngimin e krahëve të tyre të holla rreth qafës. E puthin sa njëra, sa tjetra në faqe, sikur të bënin një garë që çdo njëra prej tyre përpiqej ta fitonte. Hodhi vështrimin nga e shoqja. Ajo buzëqeshte. Kishte një buzëqeshje ndryshe. Edhe sytë sikur kishin marrë një butësi dhe dashamirësi gllabëruese. Në vetminë e tyre, kur vajzat u tërhoqën në dhomën tjetër, ai e pyeti për shkakun e asaj drite të ngrohtë që buronte nga sytë e saj.
-Është Shën Valentin sot, -kumtoi ajo.
-E ç’na qënka ky shenjt që po rrezaton gati të verbosh sytë dhe mendjen time të lodhur?
-Shenjti i dashurisë! Sot festojnë të gjithë të dashuruarit në botë…
-Uaaa, nuk e dija se duhet një ditë e vetme, si kjo e këtij Valentinit, që të rrëfesh dashurinë që ke ndaj partnerit…
-Është simbolike i dashur, -ishte mbështetur në gjoksin e tij ajo. Me gishtërinjtë e hollë të një pianisteje, po i lëmonte flokët.
-Ka ndonjë avaz për t’u bërë këtë ditë?
-Epo sa dëgjova sot në punë nga ato vajzat e reja, duhet të dalim, të hamë ndonjë darkë dhe të bëjmë dhurata njëri-tjetrit…
-Vetëm kaq pak? -e ndërpreu ai, me shqiptim zëri sa ironik, po edhe naiv. Nuk mund të dallohej tendenca. -Ne nuk kemi pritur ditën e këtij shenjtori për të bërë këto gjëra!
-Është atmosfera mbase! Nëse ti nuk dëshiron, e lëmë më mirë…
Ai dalloi tek sytë e saj, një hije trishtimi. U mundua ta fshehë ajo, duke iu shmangur syve të tjetrit. Njëkohësisht buzëqeshi, një buzëqeshje e sforcuar. Ngelur trishtimi si një njollë vrejtësire në qiellin e verës. Ai i pohoi se do të shkonin të darkonin tek një restorant i ri, hapur disa ditë më parë në lagjen poshtë qytetit, nga një i njohur. Ajo u përpoq të kundërshtonte, por shkoi huq. E njihte aq mirë të shoqin sa në mbrëmje, nuk u vonua aspak me veshjen dhe trukimin. Me të dalë nga shtëpia, i shkoi krahun, pas krahut të tij. Dëshira që të ecte e puthitur pas trupit të tij, u bë e papërmbajtshme. Ashtu sikundër ia puthiste krahun pas trupit, kur ktheheshin në konvikt, në vitet e jetës studentore në Tiranë.
Teksa u ulën në tavolinën e rezervuar në restorant, vunë re një mal me klientë. Kishte edhe fëmijë kërthinjakë, edhe pleq në mykë. Rrallë shihje vetëm femër e mashkull në një tavolinë. Kur filloi orkestra me valle, dhe familje të tëra,me pleq e plaka,burra e gra dhe fëmijë qarkulluan në mes të sallës, ai rrudhi vetulla e buzë. Ajo disi më e qetë në sipërfaqe, por nga brenda zjente. Ishte një rrëmujë më keq se ato dasmat e fshatit, ku mblidheshin me kuç e maç. Pak më vonë filloi edhe ndonjë kuisje foshnje, apo zerat si pizga të fëmijëve që filluan grindjen mes tyre.
-Ky qënka Shën Valentini?-qesëndisi ai, me ironi të plotë në tonin e të folurit.
Ajo shkundi supet. Nuk dinte si të përgjigjej. Nuk po kuptonte asgjë. Vajzat e reja në punë, i kishin shpjeguar për natyrën intime të kësaj feste dhe si festohej ajo gjetiu, në vendet përreth. E ndiente veten si një çiban në trupin e kësaj atmosfere të krijuar në restorant. Edhe i shoqi, nuk ndiente rehat. Lëvizte mbi mbështetësen e karriges, sikur të qëndronte mbi gjemba. Në një çast, pranë tavolinës së tyre, erdhi një djalë i ri. Burri bëri pagesën dhe pa pritur largimin e tjetrit, u çua në këmbë. Ajo e kishte kuptuar të shoqin. Mes rrëmujës së krijuar nga rrethrrotullimet e njerëzve në valle, gjetën derën dhe u larguan. Nata ishte e ftohtë. Ai harkoi krahun në supet e gruas, duke e tërhequr pranë vehtes. Ajo u ngjesh më shumë, duke shtërnguar krahun në belin e tij. Në heshtjen e natës, kërcitja e këpucëve të tyre, të jepte përshtypjen sikur dikush po ngulte gozhdë në paretet e murit të dhomës. Nën dritën e dobët të një neoni, dalluan lulet e bardha të një kumbulle të egër. Ai u shkëput prej saj. E hutuar, ajo ndoqi me sy veprimet e të shoqit, teksa këputi disa degë të lulëzuar nga trupi i pemës.
-Gëzuar o shenjtorja ime! -foli duke i lëshuar në duar, degët plot lule të bardha. E pastaj ngjeshi buzët mbi ato të saj. -Nuk kemi shumë nevojë që të festojmë një ditë, për të treguar se dashurojmë. Gjithë jeta jonë është një dashuri!
Dhe ditën e nesërme, bashkë me një tufë lulesh mimoza, ai la një pako të mbështjellë mbi shtratin martesor, në dhomën e tyre të gjumit. Por mbi shtrat, ai dalloi edhe një pako tjetër të mbështjellë me një letër plot ornacione floreale dhe shenja zemre në ngjyrë të kuqe.
-Hape! -foli ai.
-Më parë hape ti dhuratën time! -ia ktheu ajo.
-Po i hapim njëherazi! -vendosi ai.
Në ato dy pako, ishin dy shalla. Ajo ia mbështolli rreth qafës duke shqiptuar se e donte shumë. Të njëjtën gjë bëri edhe ai. Disa minuta më vonë, në heshtjen e dhomës, ndihej dihatja e dy trupave të tyre, që luanin me zjarrin e pashuar të Erosit, poshtë kuvertave të ngohta, në shtratin e tyre mëkator…
* *
Ende, edhe kur doli nga oborri i shtëpisë dhe u fut në rrugicën gjarpërueshe, nuk mund të besonte se ajo, kishte harruar datën e sotme. Vjet, kur filloi kjo pandemi, kur mendja zallahisej tek flama e panjohur, u kujtua për Shën Valentinin. “Mbase u kujtua moti për këtë ditë, duke na sjellë dëborë dhe bardhësi. Edhe vetë dashuria është e bardhë”, këto fjalë bloi, duke dëgjuar zhurmën e hapave të tij në trashësinë e borës. Nëse vitin e kaluar, kishte mundur të porosiste lulet, këtë vit edhe ai ishte gati si në një gjendje somnambuli. I përfjetur, i pafuqitë, me dëshira të mekura si thëngjijtë e prushit në një vatër zjarri. Kur u kujtua për tufën me lule të munguar, i dha të drejtë të shoqes. Kishte harruar edhe ai, mëngjezi e ftilloi. Kishte ndryshuar moti dhe koha, por nuk besonte se mund të kishin ndryshuar edhe ata.
Po ecte mbi dëborën e pashkelur në rrugën e pjerët, duke u munduar të rruajë ekuilibrin trupor. Gati-gati kjo mënyrë ecje, po i ngjallte dëshirën që të ulej me bythë dhe të rrëshqiste, njëlloj si tek skena e filmit “Dimri i fundit”. E kush do ta shihte? Rruga ishte e shkretë, me shtresën e virgjërt të dëborës mbi të. Fundja, njeriu ka në jetën e tij çaste marëzie. Edhe nëse do t’a përflisnin si të marë, as i bëhej vonë. Vetë qyteti ishte mbushur me të marë. Kishte patur të marë si në të shkuarën, por edhe në kohën e sotme. Marëzia është pjesë e jetës. U ul një herë, por kur ndjeu ftohmën ti ngjitej deri në palcë të kockave, kërceu përpjetë si një ketër. Deri tek lagja e poshtme, rrugët e rrugicat pothuajse ishin të mbushura plot me borë. Të rralla ishin gjurmët e hapave të kalimtarëve. U drejtua nga pjesa e marketit, ku në oborrin e përparëm të tij, ishin disa pemë mimoze. Dy ditë më parë kishte vënë re lulëzimin e disa luleve në degët e tyre. Një frikë se mos dëbora e rënë natën dhe që po binte, kishte prishur lulet, iu bë si mankth. Kjo shkaktoi që hapat e tij të ishin tepër të shpejta
Pemët ishin tulatur nga pesha e ngarkesës. Degët kishin ulur kryet dhe bohçet e luleve të çelura në majë të tyre, gati të preknin fytyrën e tij. Me kujdes të tepruar, këputi disa degë, ku bardhësia përpiqej të mbulonte verdhësinë e luleve. Pati frikë t’i shkundë, mund të prishte lulet. Kaloi pëllëmbën e dorës, sikur të përkëdhelte faqen e të shoqes. I stehoi lulet poshtë palltos së gjatë dhe të trashë, duke e mbajtur pakëz të hapur atë. Dëbora vazhdonte të binte shtruar. Një erë e fortë filloi të fryjë, duke vrundullosur flokët e borës në ajër. Gati kjo ia bënte të vështirë të shihte qartë. Hera-herës puliste qerpikët dhe rrotullonte vështrimin në krah të kundërt. Duke gulçuar dhe plot vështirësi kishte ngjitur rrugën e pjerët drejt shtëpisë. Mes ngulçimit, kishte ndierë therje në trup. Gati për t’u shembur në tokë. Ishte mbështetur pas mureve të avllive, duke vazhduar rrugën. Edhe frymëmarja ishte rënduar. Trokiti fort në derën e shtëpisë. Gjunjët po i priteshin.
-Gëzuar Shën Valentinin! -mundi të shqiptojë. Dalloi prishjen e fytyrës të shoqes, buzëqeshjen e ngrirë në cepat e buzëve të saj. Si në ëndërr dëgjonte një zë të dëshpëruar, tek kërkonte ndihmë.
-Alo spitali! Ju lutem dërgoni një ambulancë! Im shoq nuk ndihet mirë…
Ndërsa në veshë i shuhej zëri i saj, aroma e mimozave po i fiksohej nëpër flegrat e hundës. Nrohtësia e dhomës kishte larguar veladonin e mbulesës prej dëbore mbi lule, ndaj aroma kishte shpërthyer fort. Forcat po e linin, gati po kalonte një dritë të bardhë verbuese, më e bardhë se dëbora e kësaj dite shkurti…
Shkurt-mars 2021.
Please follow and like us: