Albspirit

Media/News/Publishing

Lindita Komani: Pronë dhe lot…

Ndoqa një kronikë televizive të përqendruar tek një vajzë e vogël, shtëpia e së cilës u rrafshua në mënyrë brutale nga qeveria në sytë e banorëve dhe të gjithë teleshikuesve që ndiqnin nga ekranet televizive dhe atyre të kompjuterëve apo celularëve. Ishte e dhimbshme te shihje vajzen sesi qante me gjithe zemer, me lot te nxehte, të pashtirur dhe me fjalë autentike fëmije përpiqej të përshkruante dhimbjen që po përjetonte. Ishte një gjetje gazetareske, nëse mund të cilësohet kështu, që këtë ngjarje të rëndë për kryeqytetin tonë ta përcillte tek publiku në këndvështrimin e femijes. Në komente që lexova online kronika cilësohej deri edhe si abuzive ndaj fëmijës dhe manipulative ndaj publikut. Me fjalë shatra-patra, gjysmë shqip, gjysmë pa kuptim, përmendej që banorët e 5 Majit ishin zaptues. Familja tek e cila fokusohej kronika ndodhej në atë truall që në vitin 1989 dhe shtëpia që ata kishin ndërtuar mbi truallin, ende nuk ishte legalizuar. Ata nuk kishin nënshkruar aktmarrëveshjen me qeverinë dhe kanë ndjekur rrugën gjyqësore për të mbërritur tek e drejta e tyre. Por cila është e drejta? Në rastet e shqyrtuara deri më sot, sidomos ato të zonës së Astirit dhe të 5 Majit që u shoqëruan edhe me protesta të rëndësishme të banorëve, vëmendja ka qenë vetëm në gjysmën e të drejtës, në marrëdhënien e banorëve të shtëpive të ngritura në këto zona pas 1990-s me qeverinë që ka planifikuar rrafshimin e banesave. Mbetet ende një enigmë si për mua që po shkruaj, por besoj edhe për shumë të tjerë që ndajnë të njëjtin mendim, sesi është adresuar pse jo edhe zgjidhur gjysma tjetër e së drejtës, ajo e pronarëve të këtyre trojeve që i kanë trashëguar ato me tapi nga paraardhësit e tyre, por të cilët nuk i kanë gëzuar as edhe një ditë të vetme, për shkak se ato janë zaptuar nga migrantë që kanë ardhur nga zona të tjera të vendit. Pamundësia për t’i gëzuar trojet në vite është shprehur deri edhe në mungesën e të drejtës që pronarët deri edhe ta shkonin nëpër mend që t’i afroheshin truallit, se po ta bënin mund të hanin plumb kokës. Teksa shihja vajzën e vogël dhe u përlota bashkë me të, vrisja mendjen se pse në gjithë këtë diskutim publik që është bërë për temën e shembjes së shtëpive, apo më gjerë shndërrimit të lagjes “5 Maji” në Tirana Riverside (shih artikullin e Citizens Channel: https://citizens-channel.com/…/shnderrimi-i-lagjes-5…/) nuk permenden fare pronarët e hershëm të trojeve. Janë kompensuar ata në kuadër të procesit të legalizimit? Po për rastet e shtëpive që nuk janë legalizuar, pronësia në dorë të kujt ka qenë? Do të jenë të përfshirë ata në sipërfaqet e banimit që do të shpërndahen në ndërtesat e reja që do të ngrihen në “Tirana Riverside”?Më bën përshtypje heshtja e pronarëve si në këtë rast ashtu edhe tek Astiri. Njoh të tillë që kanë pasur jo me mijëra, por me dhjetëra mijëra metra katrorë dhe banojnë në shtëpi shumë modeste edhe sot e kësaj dite se nuk kanë marrë asgjë nga ajo që iu takonte, jo të gjithë tokat gjë për të cilën as që bëhet fjalë, por qoftë edhe sipërfaqe modeste mbi të cilën të ndërtojnë diçka për të rimëkëmbur ekonominë familjare. Si është e mundur që mediat nuk i japin fare vëmendje pronarëve të deri 1944-ës? Edhe ata kanë fëmijë të vegjël që ndoshta nuk dalin me lot në sy para mediave, por lotët i kanë po aty, bashkë me prindërit e tyre, të cilëve brenda në shpirt mund t’u rritet vetëm mëri dhe urrejtje për padrejtësinë që iu bë në 1944 dhe vazhdon t’u bëhet edhe sot, 30 vjet pas rrëzimit të diktaturës komuniste, e gati 80 vjet që prej se kur i shpronësuan me dhunë, i dëbuan nga tokat e tyre e shumë të tillë madje edhe i përndoqën se kishin qenë të pasur.
Kush ia do të mirën njerëzve më të pasur? Jo thjesht atyre që janë disi më të pasur por më të pasurve mes të pasurve. Pse duhet t’i duhet e mira njerëzve më të pasur? Dhe a është kjo mirëdashje një nevojë për ekzistencën e shoqërisë? Pasuria e përqendruar në duar të caktuara është zhvendosur me hir a me pahir në duar të tjera në kohë pushtimesh apo ndryshimi regjimi me dhunë. Historia e shkruar dhe e pashkruar është dëshmitare për të. Dhuna mund të jetë ushtruar individ mbi individ, grup shoqëror mbi grup tjetër shoqëror, pushtet shtetëror mbi një grup të caktuar shoqëror, pushtues mbi një shtet të tërë apo grup të caktuar shoqëror brenda tij. Si reagon individi ndaj kësaj lloj dhune ushtruar për shkak të pronës dhe pasurisë? Si reagon shoqëria? Si reagon shteti? Le të kujtojmë të shkuarën tonë të afërt që është ende e fiksuar fort në kujtesën e bashkëkohësve. Në vitin 1944 pronarët, si ata të mëdhenjtë me prona marramendëse, ashtu edhe ata të vegjlit dhe sidomos ata që ishin shpallur armiq të pushtetit që sapo ishte vendosur e mund të kishin sa për të mbajtur familjen e tyre, u shpronësuan me akte të rënda që kanë mbetur thellë të ngulura në kujtesën e njerëzve. Ata përjetuan dëbimin nga shtëpitë, ose mbylljen në një apo dy dhoma brenda shtëpisë së tyre që do të mbushej me të huaj, trajtimin si kriminelë, me përbuzje dhe deri me tortura, marrjen e sendeve të luajtshme me vlerë, sidomos florinjve dhe bizhuterive dhe nevojën për të fshehur ç’të mundnin. Me shitjen e sendeve me vlerë që kishin arritur të fshihnin, një pjesë kanë arritur të mbijetojnë në vite të tëra ose momente të rëndësishme të jetës. Nuk mjaftoi zhveshja nga pasuria, vrasja, burgosja dhe internimi për një pjesë të mirë të tyre, por me emrin e goditur, si të pasur të kohës së shkuar, u përndoqën edhe fëmijët dhe nipërit e mbesat e pronarëve. Ndërkohë pasuria e tyre zyrtarisht u shtetëzua, por jozyrtarisht ajo u akumulua në duart e pronarëve të rinj, drejtuesve të sistemit diktatorial, të cilët pronësi mbi toka nuk kishin dot në Shqipëri, sepse sistemi që vendosën vetë nuk ua lejonte, por krijuan një realitet brenda këtij shteti që njihej me emrin Bllok. Ende sot mbetet e paqartë se ç’lloj pasurie vunë ata në vitet e regjimit komunist, pasuri në para dhe sende të luajtshme me vlerë. Përflitet se kanë pasur llogari bankare dhe shtëpi jashtë vendit, ku e jetonin pasurinë dhe luksin që nuk u lejohej në Shqipëri, por këto mbeten vetëm në nivelin e legjendave urbane. Ata i mbuluan mirë gjurmët dhe vijuan një jetë në pasuri edhe pas ndryshimit të sistemit, ndonëse jo më drejtpërdrejt e në dukje në krye të tij. Cila ishte baza e kapitalit që mundësoi fillimin e ekonomisë private në 1991? Thuhet se kanë qenë paratë që Partia e Punës në orët e fundit të jetës së saj hodhi në qarkullim tek njerëzit e vet të besuar, për të nisur biznese e për të siguruar përmes tyre mbarëvajtjen e pasurisë së nëndheshme të krerëve të saj. Nuk ua mori njeri pasurinë këtyre krerëve, nuk i zhveshi njeri nga pronat, nuk ua pengoi njeri fëmijët, nipërit dhe mbesat që të jetonin krejt normalisht në shoqërinë postkomuniste. Por sigurisht që asnjë njeri nuk mund ta zhveshësh nga një pasuri për të cilën nuk ka dijeni në dispozicion. Ky është edhe kuptimi i sekretit të madh të krerëve të pushtetit komunist. Ngjashëm me atë që ndodh me heshtjen brenda grupeve mafioze, heshtja e krerëve të regjimit komunist lidhur me ç’pasuri u grabit nga të pasurit e para 1944 dhe ç’pasuri u vu nga krerët e regjimit në periudhën 1944 – 1990, bëri që shqiptarët e varfëruar në ekstrem nga ky regjim e që nisën një jetë të re pas rënies së tij u gjendën para asgjësë, pa as edhe një lloj prone përveçse orendive të shtëpive në të cilat banonin dhe i përkisnin shtetit. Tri masa me rëndësi parësore u morën për të nisur regjimin e tranzicionit në Shqipëri, të cilin tashmë vlen ta konsiderojmë si të tillë, jo thjesht tranzicion por regjim tranzicioni. Përmes tyre qytetarëve të Shqipërisë iu dha një bazë për të mundur të nisnin ekzistencën në kapitalizëm. Kush jetonte në banesa shtetërore do të mundej t’i blinte ato me çmime modeste edhe për kohën. Kush jetonte në fshat përmes ligjit 7501 u bë me tokë. Të dyja këto masa u morën në kurriz të atyre që kishin titujt e pronësisë mbi tokën para 1944-ës. Askush prej tyre nuk e kishte fuqinë që ta ndalonte këtë zhvillim. Përsëri me masa ligjore shtetërore u ligjërua shtypja e së drejtës së tyre për pronën që kishin trashëguar. Sikur të mos mjaftonin këto dy masa të para, ndodhi edhe migrimi masiv i popullsisë nga fshatrat në qytete dhe nga qyteti në qytet e sidomos në kryeqytet, proces i cili u shoqërua me zaptimin, i cili u legalizua përmes procesesve të legalizimit. Janë dashur 30 vjet që një pjesë e pronarëve të arrijë që me mundim, me gjyqe pas gjyqesh e me qëndrim në dyert e institucioneve të administrates shtetërore, të marrë pjesërisht kompensim për pronën tokë që ka pasur dhe që është e vetmja që ka mbërritur në ditët e sotme. Gjatë këtij kalvari një pjesë e mire kanë qenë të detyruar të bëjnë lëshime e kompromise, për të mbërritur të paktën tek një pjesë e pronës. Pushtetarët e rinj përmes procesit të lejeve të ndërtimit si dhe kthimit e kompensimit të pronave, por edhe proceseve gjyqësore në gjykata, kanë gjetur mënyrën sesi të hyjnë në trashëgiminë e këtyre njerëzve.Do të ishte me interes që të dihej:Sa pronarë e trashëgimtarë të pronarëve të 1944 me prona kudo në Shqipëri ekzistojnë sot? Kjo pyetje është e rëndësishme, sepse përmes saj mund të kuptohet forca negociuese që mund të ketë ky grup shoqëror sot. Sa prej tyre kanë arritur të marrin pronën e tyre, plotësisht apo pjesërisht? Në ç’mënyrë e kanë marrë pronën? Dhe ç’pjesë të saj u është dashur të sakrifikojnë për të fituar tjetrën? Për këtë hulumtimi duhet bërë pa emra e mbiemra që të mund të shprehen lirisht dhe kështu të kuptohet qartë madhësia e korruptimit të regjimit të tranzicionit. Kështu do të mund të fitohej edhe një përfytyrim i skemave të plota e të sakta që janë përdorur për të rifituar pronën përmes zhvillimit të saj në lartësi. Kur e kanë marrë pronën? Akumulimi i parasë në ekonomi duket se e ka përshpejtuar procesin e zgjidhjes së çështjes së pronave në zona të rëndësishme të kryeqytetit ose në zona bregdetare, sepse ky akumulim ka bërë të mundur që interesi për zhvillim të ishte aq i madh sa një mori grupesh interesi të angazhohej që prona të jetësohej duke ngritur kulla ose zona rezidenciale. Dhe kjo duket se do të vazhdojë edhe më tej.

Please follow and like us: