Albspirit

Media/News/Publishing

Mehmetali Rexhepi: KUÇEDRA

 

 

U  zgjua kuçedra qindra mijëra krerësh e

etni-ngrënësja, prore e pangopur

nuk i shuhet e tmerrshmja etje

as në Baltik as në Detin e Zi

as në Adriatik as në Dardanele

as në Ujdhesat Kurile

as në Gjirin e Derrave

 

*

logjikën dhe zorrët përplot gaz

jashtëqitjet nga lart

ndotin dhe djegin të llamarintin pullaz

 

*

(vi)rusët mëtojnë diellin dhe akujt  siberian

t’i shtrijnë në çdo skutë në çdo anë

dhe nuk kanë të ngopur

uri e (vi)rusëve drithëron Europën

ankthe me tyta përtej gjumë-ethesh Ukraina

turbullohet truri kapësen barqet rrudhet shpina

 

*

nuk avullohet  truri

porse Ukrainës i tymon mllefi

kallinjve njerëzorë u zhvishen

miliarda kokrrash gruri

 

*

me flakë tytash e predha

dëfton zgjimin kuçedra

 

*

u zgjua kuçedra ruse

me përmasa kontinentale gllabëruese

u zgjua ariu polar një akullthyes grabitqar

paraleleve meridianëve globale helmuese

 

*

këlysh tigrash të sojit të vet

ushqen dhe rritë në një qytet

injeksione tërbimi  Qytetit të Bardhë

ndërsen kafshime kanibalësh mbi shqip-farë

 

*

u zgjua kuçedra mbi lumenj e puse

dridhu Europë e plakura nuse

paqen e bëje gjithandej Ilirikut

mbi të mbjellat e lashta të shqip “arkaikut”

 

*

u zgjua kuçedra një dite të nxirë

veçse kur t’i shtangen nofullat

gjokset e kokat

metali do t’ua  ketë shkrirë

 

*

u zgjua kuçedra

që të thyej eshtra

 

*

le t’i merret çekani

t’i lihet vetëm drapri

që  në vatra

të korrë disfata

 

*

por gllabërimet e lakmuara

kufijtë i kanë deri te krupa

dialektika solli ligje të ndërsjella

gjithçka e patretur kthehet me të vjella

 

*

ja ku doli doli-doli kuçedra

e  mendje-shpellave të zeza.

 

Gjilan, 14 shkurt 2022

 

 

 

 

Please follow and like us: