Proza e Otilia Teposu vjen në shqip nga Oana Glasu
Në librin e saj “Njerëzit, Dashuria dhe Tregimet”, Otilia Teposu kujton ngjarjet e vjetra që kishte përjetuar ose dëgjuar nga gjyshja, siç ishin. Sikur nxjerr nga sënduku gjëra të paçmuara, që ruajnë aromën e tyre, edhe pse kanë kaluar shumë vite mbi ta, por kujtimi ka mbetur. Dhe morali i historive të dashurisë është se ajo është e vetmja ndjenjë e vërtetë, e madhe dhe unike për këdo që ka shijuar nektarin e saj një herë në jetë. Dhe si çdo histori, po të mos ekzistonte, nuk do të tregohej as sot e as nesër, sepse dashuria nuk vdes kurrë. Sidomos kur bëhet histori!
SAVETA
Ndër tezet e mia, Saveta ishte padyshim më e dashura për të gjithë nipërit dhe mbesat, sepse, ndonëse nuk kishte fëmijë, ajo dinte gjithmonë të sillej sipas mendjes sonë të papjekur, por gjithnjë e sprovuar nga pyetje të pazakonta. Tezja Saveta nuk u martua kurrë, mbeti siç i thonë, lëneshë, por aq sa u ndodha pranë saj në fëmijërinë time, asnjëherë nuk e pashe të mërzitur për këtë. Ajo ishte shumë e tërhequr dhe delikate dhe nuk do të rrëfente kurrë asgjë për atë që kishte në zemrën e vetë. Asnjëherë nuk i kam bërë pyetje për jetën e saj dhe kurrë nuk u interesova tek prindërit e mi për këtë. Atëherë më dukej se pyetjet e mia, jo vetëm se do të kishin qenë të papërshtatshme, por do të kishin lënduar zemrën e gjerë të tezes sime, e cila kërkonte dhe sajonte çdo mundësi për të na mbledhur rreth saj.
Tezja ishte një kuzhiniere e shkëlqyer, ëmbëlsirat e saj ishin përrallore, ishte e palodhur në shpikjen e lloj-lloj recetash dhe të gjitha ëmbëlsirat e saj quheshin “Saveta”. I bënte aty për aty, pavarësisht saktësisë së recetave. Pra, nëse donim të na bënte një ëmbëlsirë, gjithmonë duhej t’i jepnim disa detaje të tjera. Për shembull, ëmbëlsira “Saveta” në ditën kur kali i Iozhit u hodh mbi gardhin e oborrit tonë, ose një tjetër ëmbëlsirë “Saveta” kur postieri Petrea filloi të fliste me shtyllat e gardhit, pasi kishte pirë dy gota raki në shtëpinë e Loacit. Të gjitha ishin “Saveta” dhe tezja kërkonte gjithnjë e më shumë imtësi për “Savetën” e radhës, duke na vënë në provë mendjen dhe duke u argëtuar shumë me detajet që i jepnim dhe mendonim se duheshin në atë rast. Ishte shumë e vështirë që tezja t’ua jepte recetat e saj amvisave të tjera, ngaqë çdo recetë përshtatej sipas stinës, ngjarjeve të ditës, mysafirëve eventualë, qejfit me të cilin zgjohej në mëngjes. Vetëm një ëmbëlsirë kishte një emër tjetër dhe gjithmonë ndjeja se fshihej diçka misterioze pas saj, sepse tezja ime e bënte atë vetëm një herë në vit. Në fund të pranverës, pasi lulet e verdha-portokalli të lule-kadifesë mbulonin gardhin prej guri në skaj të kopshtit. Ajo ëmbëlsirë quhej “Ëmbëlsirë me lule-kadife” dhe çdo herë, para se ta përgatiste, tezja vishte një mbrostellë të bardhë festive dhe një shall kaltërosh.
Pak kohë para se ajo të kalonte në “botën tjetër”, e vizitova. Ishte ulur buzë krevatit dhe kishte të njëjtën buzëqeshje shpirtmirë që e njihja qysh nga fëmijëria. Kisha disa vite që nuk e kisha parë dhe ajo ishte pakësuar në trup, por drita e syve të saj ishte po aq lozonjare pavarësisht nga vuajtjet që kishte kaluar. Ajo po përpiqej që për hirin tim t’i fshihte dobësitë që kishte dhe ndoshta për t’ia bërë më të lehtë, më kërkoi t’i sillja kutinë me fotografi nga dhoma tjetër. I mori ato një nga një dhe filloi të më tregonte ç’mbante mend nga dita që u bënë, gjithashtu për ata që ishin ngrirë përgjithmonë në katrorë kartoni. Në fund të kutisë ishte një fletë e zverdhur dhe e palosur. “Ja, këtu është receta e ëmbëlsirës me lule-kadife”, më tha ajo dhe ma dha.
E hapa dhe pashë se në fakt ishte një letër, të cilën e ruaj edhe sot ndër letrat e mia të rëndësishme. Një letër që tezja ime kish marre nga babai i saj në një nga pranverat e kahershme.
Bija ime e dashur Saveta,
Më 16 prill 1942, kur shkuat në kishë për Festën e Dafinave me të fejuarin tënd, Simeon dhe më pas kur dolët nga kisha, pse nuk u ktheve në shtëpi me të? Dhe vajte me një djalë tjetër dhe e le të fejuarin në rrugë. Dëshiron ta braktisesh? Dhe të shkelesh premtimin e bërë babit tënd? E di që je e vëmendshme dhe simpatike, por tani më ke lënduar më shumë mua se të fejuarin, sepse ke guxuar të bësh një gjë të padenjë ndaj meje dhe të fejuarit tënd. Të mos dëgjoj më që ke qenë e pabesë ndaj të fejuarit, sepse më mërzit shumë, fillimisht mua, pastaj nënën tënde, vëllezërit, motrat dhe të gjithë të afërmit e tu!
Pres sihariq! Mirupafshim!
Babai yt, 23 prill 1942, Kapnik.
E lexova dy-tri herë letrën e shkruar me shkronja të gjata dhe me një firmë fundore plot lulka dhe nuk kuptova shumë. Prita shpjegimet dhe ato nuk vonuan. TezjaSaveta u shtri e lodhur në shtrat. I rregullova jastëkun dhe e mbështolla me një batanije të trashë. Pranvera me diell nuk arrinte më tek ajo. Kishte gjithmonë të ftohtë. Fjalët e saj më erdhën si nga larg dhe historia që më tregoi mbeti si një rrëfim përfundimtar. Disa javë pas vizitës që i bëra atëherë, tezja ime vdiq e qetë dhe e pajtuar me veten se i’a la dikujt recetën e ëmbëlsirës me lule-kadife. Dhe unë do t’jua tregoj se si e mbaj mend.
Në një pranverë, në kohën e luftës, Saveta ra në dashuri me Vilin, djali i madh i Anatol Zhigës, gjermani i sharrës në Ujin e Bardhë. Ujë, që në dredhat e tij përqafonte livadhet e ndodhura buzë fshatittë minatorëve.
Ajo e njihte prej kohësh dhe kishte kaluar me qindra herë pa e vënë re, deri në atë mëngjes kur e ndihmoi të lidhte lule në krifën e kalit me të cilin kishte hyrë në garë tek Pylli i Mbretit. Marrja e kuajve në kullotë çdo pranverë ishte një festë që fillonte me prezantimin e atyre qe ishin zbukuruar më mirë. Dhe vazhdonte me garën nëpër pyll. Kali i Vilit ishte më i pabinduri dhe më xanxar. Tundte krifën dhe i hidhte stolitë që kishte në flokët e tij ngjyrë gri. Vili, një djalë i turpshëm, i pranishëm për herë të parë në garën e kuajve, u përpoq ta mbante nën kontroll, ta lidhte, por edhe t’i fiksonte më fort stolitë në krifë, gjë që nuk mundi t’ia dalë. Saveta e ndihmoi duke thurur lulet e rëna më afër njëra-tjetrës në krifën e kalit. “Atëherë kam lexuar në sytë e tij një farë gëzimi se e ndihmova. Babai i tij ishte një njeri krenar dhe shumë i ashpër. Sado i pasur që ishte, aq i pafalshëm tregohej dhe nuk lejonte që djali i tijtë linte nam të keqnë garën e parë të kuajve ku merrte pjesë. Por, Vili nuk e fitoi garën siç priste i ati, të tjerë kaluan në krye. Ai nuk u kthye në sheshin ku bënin festë të tjerët, shkoi në pyll dhe unë vajta pas tij. E gjeta në një livadh, e kishte lënë kalin të kulloste dhe ishte ulur në bar. U ula pranë tij. Nuk folëm shumë, nuk kishim çfarë të thoshnim, ai ishte i mërzitur dhe mua më vinte keq për të. Kështu qëndruam pak, pastaj u ngritëm dhe u nisëm për në fshat. U ndamë në rrugën që të çonte në shtëpinë e tij. Shtrënguam duart dhe që në atë çast e kemi ditur që ishim të destinuar për njeri-tjetrin. Nuk na duhej të flisnim shumë, thjesht kemi parë njëri-tjetrin dhe e kemi ndjerë. Disa ditë më vonë u bë Festa e Dafinave dhe ai më priti kur dola nga kisha. Nuk isha vetëm, pranë meje ishte Simeoni, i fejuari i zgjedhur nga babai im. Nuk më pëlqente Simeoni dhe kur pashë Vilin te porta e kishës, m’u duk sikur brenda meje u zgjua një fuqi e madhe dhe i thashë vetes se nuk do ta dëgjoja babanë. E lashë Simeonin në rrugë dhe ika me Vilin. I’u shmangëm të rinjvetë tjerë dhe arritëm në luginën ku ishim takuar një herë më parë. U ndamë vetëm kur ra nata. Ishim më shumë se të fejuar, ai tashmë ishte burri im dhe ndjeja një fuqi të jashtëzakonshme për të luftuar me të gjithë, nëse do të ishte e nevojshme, për hir të tij. Të nesërmen, herët në mëngjes, shkova në Baiae Madhe ku kujdesesha për fëmijët e një avokati. Disa javë më vonë, Vili u nis për në front. Para se të shkonte në stacionin e trenit, ai erdhi të më takojë dhe gruaja e avokatit më lejoi të flisja me të në portë për një çerek ore. Para se të largohesha, më dha një qese me fara lulesh, të marra nga sera e nënës së tij. Më tha t’i mbjell në kopshtin tim, i bindur se do të kthehej përpara se petalet e tyre të vyshkeshin nga mjegulla e vjeshtës. Ai nuk u kthye më. Por unë, çdo vit mbillja fidanë në kopsht, sepse e prisja gjatë gjithë kohës dhe e pres edhe tani kur jam e pafuqishme.
Disa ditë pasi u largua, mora këtë letër nga babai im. Nuk u përgjigja, e ndërpreva fejesën me Simeonin dhe zemra ime u mbyll përgjithmonë. Prandaj nuk u martova. Çdo vit, në një ditë të caktuar, që më kujtonte më shumë Vilin, bëja një ëmbëlsirë për ju, të cilën e zbukuroja me lule-kadife duke e spërkatur me sheqer. Ishte vërtet shumë e shijshme dhe ju pëlqente. Ndoshta sepse e bëja rrallë, kur nuk duroja më dot mallin për atë. Kjo është receta e jetës sime”.
Përktheu nga rumanishtja – Oana Glasu.
Otilia Teposu është e diplomuar në Shkollën e Lartë të Arteve të Bukura në Cluj Napoca dhe në Fakultetin e Filologjisë, Dega Rumanisht-Spanjisht i Universitetit të Bukureshtit. Ka qenë prezente me vepra skulpture dhe pikture në ekspozitat vjetore në Muzeun e Artit në Cluj, në edicionet e viteve 1975, 1976, 1977. Është vlerësuar me çmimin e parë në Konkursin Kombëtar të Letërsisë “Mihai Eminescu ” – 1975. Në vitin 1977 u vlerësua me çmimin special të jurisë në “Konkursin Kombëtar të Letërsisë Mihai Eminescu”. Debutimin gazetaresk u ndodh në vitin 1978, me një ese, në revistën studentore “Echinox” të Clujit. Më pas ka qenë profesoreshë e Letërsisë Universale në Kolegjin Kombëtar “Mihai Eminescu” në Bukuresht, deri në vitin 1998, kur bëhet redaktore e revistës “Formula AS”.