Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Dy letra në shkurt për tim bir!

Letër
…në fytyrë kam qymyr vijëzuar nga djersa
në sy borën e malit të bukur ballë meje
nën këmbë balta, në duar dy lule bajameje
në zemër pengu gur për ty atje larg,
larg, e vetme, në ankthin e lindjes së parë.
Yni, prapë yni, është ky mëngjes shkurti
qymyri, dielli e thëllimi
dashuria është jona,
halli e largesia tonat janë.
Zemër, zemër të fortë, gruaja ime!
Qymyri do të bëhet zjarr, bora e malit ujë,
burrë kërthiu ynë, ky i parë i fëmijëve.
Tani në këtë letër
për ty dhe për atë që ende nuk e njohim
po vë dy lule, lule bajameje.
Vë ajrin
dhe këtë diell që po u shkon përsipër maleve.
11 shkurt 1974.
Pesëmbëdhjetë shkurt
Kam një bir, kam një bir, pëshpërisja,
dhe ecja, u bija mespërmes pellgjeve.
Bajamja kishte çelur në lugina,
ti më kishe ardhur mes njerëzve.
Atë ditë dhe sot, dhe në çdo 15 shkurt
mespërmes u bie shirave më dëshirë,
jo me pije a me çokollata, me gëzimin tim
mund ta deh, te ëmbëlsoj çdo njeri të mirë.
Ecja dhe dëborën që binte mbi maja
E shihja te shndërruar në lule bajamesh…
Kam një bir, kam një bir, pëshpërisja
dhe ecja… të ecësh e kurrë të mos ndalesh.
Memaliaj 15 shkurt 1974.
Please follow and like us: