Albspirit

Media/News/Publishing

32 VJET NGA VIZITA E PARË ZYRTARE E IBRAHIM RUGOVËS NË PERËNDIM, ME 14 – 18 SHKURT 1990

Fatmir Lekaj, politolog

Gjatë intervistës në emisionin “Fakte” të Adnan Merovcit, të publikuar më 18.01.2022, në lidhje me temën “Kosova në dekadën para çlirimit (1988-1989)”, Shkëlzen Maliqi foli edhe për organizimin e vizitës së parë zyrtare të Ibrahim Rugovës në Perëndim, duke përmendur edhe rolin e organizatores së kësaj vizite, Berit Backerit etj. [1] Meqë intervista kishte një tematikë më të gjerë dhe jo vetëm organizimin e vizitës së parë zyrtare të Ibrahim Rugovës në Perëndim, nuk u ndriçua mjaftueshëm roli i rëndësishëm i Berit Backerit, Kristofer Gjøtterudit etj. Rrjedhimisht në vijim po paraqes disa plotësime që janë të verifikueshme (të bazuara në dëshmi/dokumente të integruara në këtë shkrim si referenca, por disa prej tyre edhe të bashkëngjitura vizualisht), me qëllimin për të ndriçuar më shumë disa aspekte, para, gjatë dhe pas kësaj ndodhie. Disa nga dokumentet botohen për herë të parë.

Vizita e parë zyrtare e Ibrahim Rugovës në Perëndim është organizuar nga Grupi për Ballkanin i Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GBKNH), si sektor i veçantë dhe zyrtar në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit. [2] Ky sektor i iniciuar në vitin 1987 u arrit të konsolidohet në fillimvitin 1988 në koordinim në mes të disa udhëheqësve të LPK-së dhe veçanërisht me ndihmën e fuqishme të miqve norvegjezë Berit Backer, Kristofer Gjøtterud etj. GBKNH për disa vjet ka shërbyer si sektor lobist dhe i diplomacisë joformale për Kosovën, duke pasur një ndikim të rëndësishëm për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në kuadër të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit, përkatësisht në kuadër të Procesit Civil të Helsinkit etj. [3] Fillimisht ky sektor u quajt Grupi për Kosovën…, por me insistimin e Berit Backerit e vazhdoi veprimtarinë me emrin Grupi për Ballkanin…, në mënyrë që informacioni dhe veprimtaria e këtij sektori të mos paragjykohen krejtësisht si veprimtari dhe informacione subjektive për Kosovën, por të jenë sa më të depërtueshme, sa më bindëse dhe sa më të pranueshme për kancelaritë e shteteve perëndimore. Vlen të theksohet se GBKNH, përveç të tjerash, ka iniciuar dhe veçanërisht me ndihmën e Berit Backerit dhe Kristofer Gjøtterudit ka arritur ta bindë Federatën Ndërkombëtare të Helsinkit dhe Helsinki Watch Amerikan (Human Rights Watch), që një delegacion i përbashkët i specialistëve në fushën e të drejtave të njeriut të udhëtojë për ta vëzhguar situatën e të drejtave të njeriut në Kosovë. Duke insistuar se te shtetet perëndimore ishte një përshtypje e gabuar për Jugosllavinë që e dallonin “si më e mira ndër më të këqijat” krahasuar me shtetet e tjera autoritare dhe totalitare në Evropën lindore, kur ishin në pyetje të drejtat e njeriut, në veçanti kur ishin në pyetje të drejtat e njeriut në Kosovë. Rrjedhimisht, një delegacion i Federatës Ndërkombëtare i Helsinkit dhe Helsinki Watch Amerikan (Human Rights Watch), i drejtuar nga Berit Backer dhe Kristofer Gjøtterud, udhëtoi në Kosovë në shtator 1989 (para shembjes së murit të Berlinit). Ndërsa në janar të 1990-s botohet raporti i parë për situatën në Kosovë nga ky delegacion i përbashkët i Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit dhe Helsinki Watch – Amerikan (Human Rights Watch), përkatësisht nga autori Kenneth Andersson, me titull “Crisis in Kosovo”. [4]

Me fjalë të tjera, idealistja dhe mikja e madhe e shqiptarëve, socio-antropologia norvegjeze Berit Backer, njëkohësisht studiuese e kulturës shqiptare dhe veprimtare e shquar në kuadër të “Procesit të Helsinkit”, e ka dhënë një kontribut të pakrahasueshëm “nga të huajt” për Kosovën gjatë viteve ’80 dhe fillimviteve ’90, veçanërisht pasi që kishte filluar bashkëpunimin me LPK-në, menjëherë pas mbledhjes së parë të përgjithshme të LPK-së në vitin 1987. Përkatësisht gjatë një periudhe historike kur Kosovës i mungonte përkrahja e “të huajve” dhe sidomos kur Kosova kishte më së shumti nevojë që zërat e ekspertëve “të huaj dhe të pavarur” t’i informojnë dhe veçanërisht të bindnin kancelaritë politiko-diplomatike të shteteve perëndimore për shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë. Në këtë vazhdë, duke e marrë parasysh se një ndër pikat kyçe të veprimtarisë në kuadër të “Procesit të Helsinkit” ishte edhe inkurajimi dhe promovimi i forcave opozitare nën regjimet shtypëse, menjëherë pas themelimit të LDK-së e organizoi, me bashkëpunëtorë, vizitën e parë zyrtare të delegacionit të Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën, në Norvegji dhe, në këtë kuadër, nëpërmes kontakteve të saj, ka lobuar që t’i hapen dyert udhëheqësit të Lëvizjes Paqësore të Kosovës, Ibrahim Rugovës, nga politikanët perëndimorë, me qëllim të faktorizimit të Kosovës në bashkëveprimin ndërkombëtar. Gjithashtu, e ka ndihmuar themelimin e Komitetit të Helsinkit në Kosovë në bashkëpunim me Gazmend Pulen. Më pastaj edhe në Shqipëri, duke përfshirë themelimin e OJQ-së së parë në Shqipëri, si bërthamën e parë nga jashtë për të Drejtat e Njeriut dhe Demokratizim në Shqipëri [5] dhe ka ndihmuar që Shqipëria të përfaqësohet në takimin e ekspertëve të Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (KSBE-së). Ndërsa Kristofer Gjøtterud (fizikan dhe veprimtar i mirënjohur norvegjez i Drejtave të Njeriut), krahas përkushtimit të tij për hebrenjtë në Bashkimin Sovjetik, që nga fillimvitet ’70 (veçanërisht i përkushtuar për shkencëtarët hebrenj, të cilëve iu vështirësohej dhe ndalohej udhëtimi jashtë Bashkimit Sovjetik), iu përkushtua edhe çështjes së shqiptarëve të Kosovës nga fundvitet ’80. Ka qenë një personalitet i nderuar dhe me ndikim, përveç të tjerash, kryetar i Komitetit për Hebrenjtë e Bashkimit Sovjetik që nga viti 1982 [6] dhe anëtar i Grupit të Helsinkit të Moskës (Moscow Helsinki Group) [7] i themeluar në vitin 1976, nga veprimtarët e mirënjohur rusë për të drejtat e njeriut, përkatësisht fizikani dhe nobelisti Andrej Sakharov, historiania Ljudmila Aleksejeva, fizikani Jurij Orlov etj., të cilët më pastaj u përballën me represion të ashpër nga regjimi totalitar rus (arrestime, burgosje dhe internime të brendshme). Veprimtaria e Grupit të Helsinkit të Moskës u shpërbë në vitin 1982, por u ringjall prapë pas shembjes së murit të Berlinit (1989). Kristofer Gjøtterud, me ndikimin që kishte në kuadër të “Procesit të Helsinkit”, e mbështeti në vitin 1989 veprimtarinë e Komitetit Norvegjez të Helsinkit për Kosovën, gjithashtu edhe bashkëshortja e tij hebreje Michaela. Duke e përfshirë disidentin me prejardhje hebreje nga Polonia, njëherësh veprimtar i shquar i solidarnostit, Aleksander Gleichgewicht, i cili, po ashtu, e mbështeti fuqishëm veprimtarinë e sektorit për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit. Mbështetje të tërthortë këtij sektori për Kosovën i ka dhënë edhe një mik tjetër i Berit Backerit, me ndikim të madh, përkatësisht Johan Jørgen Hølst, i cili është i mirënjohur edhe ndërkombëtarisht për arsye se, në cilësinë e ministrit të Jashtëm të Norvegjisë, ka pasur rol vendimtar në Marrëveshjen e Oslos të vitit 1993, e cila përfaqëson një përparim të rëndësishëm në negociatat mes Palestinës dhe Izraelit. Madje Berit Backer që në fillimvitin 1989 e kishte aranzhuar një takim në lidhje me çështjen e Kosovës, në mes të një përfaqësuesi të LPK-së dhe ministrit Johan Jørgen Hølst. [8] Në vazhdën e veprimtarisë së vet, Grupi për Ballkanin i Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GBKNH) organizoi, përveç të tjerash, vizitën me nisje nga Oslo, të delegacionit të Kuvendit të Kosovës pas shpalljes së Deklaratës për Pavarësinë e Kosovës (Muharem Shabani, Bujar Gjyrgjeala, Skënder Skënderi,). Dhe ndihmoi në promovimin e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane në Evropë, duke organizuar konferencën në Oslo për Josef Diogardin, Osman Osmanin, Mehdi Hajdarin etj. Konferenca përfshiu edhe Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Prishtinë, që vazhdimisht ndihmohej nga GBKNH. [9]

Sa i përket deklarimit të Shkëlzen Maliqit, se gjatë kësaj vizite të parë zyrtare të Ibrahim Rugovës dhe të tij, në Perëndim, e ka vënë re se i ka survejuar shërbimi sekret jugosllav (UDB) dhe se për këtë arsye i kanë ndaluar gjatë kthimit në Jugosllavi, ku me këtë rast Ibrahim Rugovën e ka marrë në pyetje më gjatë. Kjo, me gjasë të madhe, ka të bëjë se UDB-a, përveçse edhe paraprakisht ishte e irrituar nga veprimtaria e Berit Backerit, e identifikuar si veprimtari sinkrone me LPK-në, në këtë kuadër edhe vizita zyrtare e Ibrahim Rugovës dhe e Shkëlzen Maliqit duhet të jetë identifikuar edhe si një sinkronizim i veprimtarisë me LPK-në, (edhe pse organizatorët e kësaj vizite u përpoqën ta realizojnë këtë vizitë pa publicitet të madh). Veçanërisht duke e marrë parasysh se Berit Backer me bashkëpunëtorë kishte arritur ta organizojë vizitën e parë në një shtet perëndimor në mes të disa personaliteteve shtetërore dhe kulturore norvegjeze dhe një delegacioni të përbashkët të Kosovës në përbërje të Ibrahim Rugovës, kryetar i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës, Shkëlzen Maliqit, kryetar i partisë Social-Demokrate të Kosovës, dhe përfaqësuesit të LPK-së. Nuk është rastësi që menjëherë pas kësaj ndodhie iu ndalu hyrja në Jugosllavi Berit Backerit, gjë që u publikua edhe në mediet serbe. [10] Ka gjasë të madhe se edhe Ibrahim Rugova (pas ndalesës, gjatë kthimit nga kjo vizitë e tij e parë zyrtare në Perëndim) është kërcënuar seriozisht nga UDB-a që të mos ketë asnjë bashkëpunim me LPK-në. Madje edhe me rastin e vdekjes tragjike të Berit Backerit, në mars të vitit 1993 (edhe pse në këtë kohë Ibrahim Rugova e gëzonte një imunitet politik më të fortë si president i Kosovës) nuk mundi të vijë personalisht në varrimin e saj, por zgjodhi të bëjë një telefonatë në Komitetin Norvegjez të Helsinkit dhe bëri kërkesë që të bëhet një deklaratë në mediet norvegjeze se presidenti i Kosovës shpreh keqardhje dhe dënon ashpër vrasjen e Berit Backerit. Deklarata u publikua në mediet norvegjeze në mars 1993. [11] Në lidhje me këtë vlen të potencohet se që nga viti 1987 shërbimi sekret jugosllav (UDB) ka përdorur metoda të ndryshme për të dekurajuar dhe shpartalluar veprimtarinë e LPK-së në Oslo, duke e konsideruar si shumë të rrezikshme për prishjen e miqësisë tradicionale dhe shumë të fortë në mes të Jugosllavisë dhe Norvegjisë (e gjithashtu duke e marrë parasysh rolin e Norvegjisë si një shtet shumë proaktiv në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare). E me një rast, përfaqësuesi i LPK-së në Oslo u kërcënua hapur edhe duke i thënë “mos luaj me zjarr”. Kjo ndodhi pas një përplasjeje në debat në një emision të radiotelevizionit norvegjez, në mes të përfaqësuesit të LPK-së dhe përfaqësuesit të Ambasadës Jugosllave. Ky kërcënim në njëfarë mënyre u përsërit edhe nëpërmes gazetës serbe “NIN”, duke shkruar edhe për polemikën në mes të diplomatit jugosllav dhe përfaqësuesit të LPK-së. [12] Madje që në vitin 1987, konkretisht me datën 24.11.1987, në një shkrim të gazetës serbe “Ilustrovana politika”, në pyetjen e gazetarit se a ka ndër refugjatët shqiptarë në Norvegji edhe të tillë që kanë mbajtur dënimet për ngjarjet kundërrevolucionare të vitit 1981, e tani gjenden në Norvegji e gjetiu, Azem Vllasi përgjigjet: “po, në mesin e tyre ka të tillë”. [13]

Gjithashtu, sa i përket deklarimit të Shkëlzen Maliqit se gjatë kthimit për në Jugosllavi, nga kjo vizitë e parë zyrtare në Perëndim, e kanë takuar edhe ambasadorin e Suedisë në Beograd, vlen të përmendet bashkëpunimi dhe miqësia që ka pasur Berit Backer me këtë ambasador, i cili ka shërbyer si ambasador i Suedisë në Jugosllavi e Shqipëri në periudhën 1987-1992. Në vijim po e sjell shkrimin e gazetës norvegjeze “Aftenpoften”, të datës 18.03.1993, të këtij ambasadori, i cili, me rastin e vdekjes tragjike të Berit Backerit, shprehet: “Me pikëllim të thellë unë dhe zonja ime morëm lajmin për vrasjen e Berit Backerit nga një shqiptar i Kosovës. Askush në shtetet nordike nuk ka bërë më shumë se Berit Backer për të njohur dhe sqaruar situatën e shqiptarëve. Ajo ishte një shkencëtare shumë kompetente për popullin shqiptar dhe një vrojtuese e mirinformuar dhe objektive e situatës në Ballkan, posaçërisht në Shqipëri dhe Kosovë. Unë e kam takuar shumë herë këto vitet e fundit në rrugën e saj për në Shqipëri dhe shpesh kam pasur mundësinë të përfitoj nga njohuritë e saj të thella për gjendjen politike dhe ekonomike atje. Gjithashtu, nganjëherë më ka rastisur t’i lexoj edhe analizat interesante të saj. Për mua, zonjën time dhe kolegët e tjerë të cilët ishim në kontakt me të, ajo ishte një person i mrekullueshëm, e guximshme, e shkathët, e hapur dhe miqësore. Me vdekjen e Berit Backerit shtetet nordike kanë humbur një observatore të situatës së shqiptarëve, të cilën nuk ka kush ta zëvendësojë. Ajo iku kur më shumë se kurrë nevojiteshin njohuritë e saj. Mendimet tona shkojnë tek të gjithë ata të cilët ishin të afërt me Berit Backerin dhe tek shumë shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë, të cilët i ka prekur vdekja e saj tragjike dhe i ka kapluar zija për humbjen e një mike dhe përkrahëse të pashoqe. JAN AF SILLÉN Ambasador i Suedisë në Jugosllavi e Shqipëri 1987 – 1992.” [14]

Pas daljes nga burgu (më 21 prill 1990), Adem Demaçi, që nga takimi tij i parë personal në Norvegji me Berit Backerin, lidhi miqësi me të. Ata krijuan një konsideratë dhe respekt të ndërsjellë ndaj njëri-tjetrit, dhe veçanërisht një bashkëpunim substancial në veprimtarinë e tyre për të drejtat dhe liritë e njeriut. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, që shërbente si një bazë e fortë “për njohjen e realitetit në Kosovë” nga ana e diplomacisë perëndimore, e kishte peshën e vet të rëndësishme sepse udhëhiqej nga simboli i rezistencës së shqiptarëve për liri dhe barazi, Adem Demaçi, ndërsa Berit Backer me diturinë dhe nëpërmes kontakteve të saj kudo në Evropë, ndikoi qe ky “realitet” të shpërndahet më thellë në strukturat e pushtetit të shteteve perëndimore. Kjo pati ndikimin e vet të rëndësishëm edhe për kyçjen e drejtpërdrejtë dhe veçanërisht për promovimin e meritueshëm të Adem Demaçit në kuadër të Procesit të Helsinkit, si simbol i të drejtave dhe lirive të njeriut, që rezultoi edhe me mirënjohjen e tij me çmimin Sakharov (1991), dhe në këtë vazhdë me mirënjohje të tjera, duke e përfshirë çmimin Leo Eitinger (1995). Me të drejtë, Adem Demaçi e quante Beriten, Merita, dhe porosiste që të gjithë shqiptarët ta quajnë me këtë emër, siç zakonisht e thërriste Baca Adem: Merita e shqiptarëve.

Berit Backer ka qenë njohëse e shkëlqyer e kulturës dhe gjendjes socio-politike të shqiptarëve. E ka vizituar Shqipërinë disa herë para dhe pas regjimit të Enver Hoxhës e, gjithashtu, edhe Kosovën, ku edhe ka banuar për një kohë në familjen e Kuklecëve të Isniqit, dhe gjatë kësaj kohe është marrë me një studim shkencor social-antropologjik për shqiptarët. Ka pasur njohje me personalitete të rëndësishme të jetës shoqëroro-politike kudo në botë, veçanërisht në Angli, ku ka pasur edhe një lidhje të traditës familjare, ngaqë gjyshi i saj (babai i nënës së saj), Edvard Christian Danielsen, ishte (gjatë LDB-së) agjenti i parë norvegjez i shërbimit informativ britanik (Secret Intelligence Service – SIS, gjithashtu i njohur me emrin M16), i cili në mënyrë të suksesshme e udhëhoqi operacionin e rëndësishëm “oldell” të lidhëmbajtjes – informacionit në mes të Norvegjisë dhe Britanisë së Madhe. Më pastaj u emërua admiral i Marinës Norvegjeze dhe është një personalitet i mirënjohur për udhëheqjen e luftës kundër okupimit të vendit nga gjermanët. Gjithashtu, babai i saj, Ole Friele Backer (me profesion fotograf), u detyrua gjatë LDB-së të shpërngulet në Londër, pasi fotografitë e tij për gjendjen e luftës në Norvegji (si pasojë e sulmit gjerman) u publikuan jashtë Norvegjisë. Ai u punësua si fotograf në Zyrën e Informacionit të Qeverisë norvegjeze në Egzil në Londër. Kontributi i tij si fotograf (për familjen mbretërore norvegjeze, për aktivitetet e Qeverisë në Egzil, për personelin ushtarak norvegjez, kampet e luftës etj.) bëri që të fitojë publicitet të gjerë, duke iu publikuar fotografitë jo vetëm në Britaninë e Madhe, por edhe në ShBA. Njohje, përveç të tjerëve, Berit Backer ka pasur edhe me ish-ambasadorin e ShBA-së në Beograd, Warren Zimmermann, i cili ishte personalitet me ndikim të madh edhe në kuadër të “Procesit të Helsinkit” ngaqë paraprakisht (1986-1989) kishte udhëhequr delegacionin e ShBA-së në Konferencën për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (KSBE), si një arenë e konferencave ndërkombëtare në mes të Lindjes dhe Perëndimit, e bazuar në Deklaratën e Helsinkit (1975) që, më vonë, në vitin 1995, u institucionalizua në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Vlen të theksohet se mendimet, sugjerimet dhe këshillat e Berit Backerit në lidhje me çështjen e Kosovës nuk janë vlerësuar vetëm nga qarqet e caktuara politiko – diplomatike në Perëndim, por edhe nga ekspertët e lëmit, përveç të tjerëve, edhe nga studiuesi britanik i shqiptarëve, Harry Hodgkinson, i cili në letrën e tij dërguar Berites në vitin 1987, tregoi respekt të madh ndaj saj: “Ishte kënaqësi t’ju takoj tek Doreen dhe Anton Logoreci, dhe një privilegj i madh të mund të përfitoj nga dituria juaj e madhe dhe mirëkuptimi për kosovarët. Kam drojë se ne, duke e shfrytëzuar zemërgjerësinë tënde, të kemi stërlodhur me pyetjet dhe spekulimet tona. U treguat shumë e durueshme duke ndërmarrë aty për aty e pa parapërgatitur ta realizoni seminarin, me aq dashamirësi dhe përzemërsi. Herën tjetër kur i viziton miqtë tuaj në Manor House, ndoshta kishim mundur të organizojmë një drekë të përbashkët me Antonin, Doreen dhe Ishan Toptanin”. [15] Përveç njohjes me personalitetet shqiptare në kuadër të emigracionit politik shqiptar, që nga veteranët si Ihsan Toptani, Anton Logoreci etj. Në kuadër të punës kërkimore social-antropologjike në Kosovë është njohur edhe me Ukshin Hotin, Idriz Ajetin, Fehmi Aganin, Mark Krasniqin etj. Me fjalë të tjera, Berit Backer ka qenë një ndër veprimtaret më të përkushtuara të veprimtarisë ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut në kuadër të Procesit të Helsinkit, dhe një studiuese e pasionuar e kulturës shqiptare, dhe ka dhënë kontribut koherent për kyçjen dhe promovimin e çështjes shqiptare në kuadër të Procesit të Helsinkit, veçanërisht pasi u bë pjesë (në cilësinë e këshilltares dhe bashkëpunëtores) e LPK-së, në vitin 1987, u bë një aktiviste e pakompromis për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, duke e vënë tërë potencialin e saj në këtë drejtim, dhe duke bashkëpunuar ngushtë me Adem Demaçin, Nufri Lekën, Ibrahim Kelmendin, Xhavit Halitin etj. Ndërsa në kuadër të miqve dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë norvegjezë, përveç Kristofer Gjøtterud dhe Johan Jørgen Hølst etj., si mike dhe bashkëpunëtore të ngushta të Berit Backerit, mund të cilësohen fotografja e mirënjohur dhe mikja e shqiptarëve Ann Christine Eek (madje në disa raste e kanë vizituar së bashku, Shqipërinë dhe Kosovën), gjithashtu gazetarja dhe politologia Gro Holm, e cila në vitin 1988, me instrukset dhe këshillat e Berit Backerit, dhe me ndihmën e veprimtarëve të LPK-së, në Norvegji dhe Kosovë, ka udhëtuar dhe është pritur në mënyrë ilegale në Kosovë, dhe gjatë qëndrimit në Kosovë ka mbledhur informata në lidhje me përpilimin e një raporti për gjendjen e jashtëzakonshme socio-politike në Kosovë. [16] Vlen të përmendet se Gro Holm është bashkëshortja e Kai Eides që ka vlerësuar standardet për Kosovën pranë OKB-së, 17 vjet më pas, dhe në kuadër të propozimeve të tij pranë OKB-së, ka hapur rrugën për zgjidhjen e statusit të Kosovës në drejtimin e pavarësimit të Kosovës.

Rëndësia e “Procesit të Helsinkit”

Pikënisje për Procesin e Helsinkit ishte Konferenca për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian – KSBE, në kuptimin e një arene të konferencave ndërkombëtare në mes të Lindjes dhe Perëndimit, e bazuar në Deklaratën e Helsinkit. Në fakt, si ide u iniciua në vitin 1954 nga Bashkimi Sovjetik, përkatësisht nga ministri i Jashtëm Vjatsjeslav Molotov, i cili lansoi propozimin për një konferencë të sigurisë në mes të Lindjes dhe Perëndimit, ku parashihej që ShBA-ja të ketë vetëm një status të observatorit. Ky propozim u refuzua nga Perëndimi, madje shtetet e fuqishme perëndimore e cilësuan këtë propozim si një tentim të Bashkimit Sovjetik për ta parandaluar/penguar riarmatimin në Gjermaninë Perëndimore dhe t’i dobësojë marrëdhëniet në mes të Evropës dhe ShBA-së.[17] Po ashtu, Leonid Bresjnev, gjatë Kongresit të partisë në vitin 1966, u bëri thirrje shteteve evropiane për t’i trajtuar dhe zgjedhur bashkërisht çështjet e sigurisë politiko-ushtarake. [18] Kështututje, kjo çështje u trajtua më shumë edhe nëpërmes Deklaratës së Bukureshtit të vitit 1966, Apelit të Budapestit të vitit 1969 etj., ku u përfshinë temat konkrete se me çfarë do të mund të merrej një konferencë e tillë. [19] Në këtë vazhdë, shtetet perëndimore evropiane ishin më të hapura për një konferencë të mundshme të sigurisë. Ndërsa presidenti amerikan Richard Nixon dhe ministri i Jashtëm, Henry Kissinger, ishin skeptikë ndaj iniciativës së Bashkimit Sovjetik, sepse konsideronin se pozicioni udhëheqës i ShBA-së në NATO dhe në bisedimet bilaterale me Bashkimin Sovjetik, mund të dobësohej po qe se ShBA-ja bëhej pjesë e një dialogu multilateral për çështjet e sigurisë politiko-ushtarake. [20] Pas shumë peripecive dhe iniciativave, u miratua Deklarata e Helsinkit gjatë Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (KSBE) në Helsinki të Finlandës, në vitin 1975. Kjo u bë e mundshme, përveç të tjerash, pasi që u arrit që ShBA-ja dhe Kanadaja të kenë statusin e pjesëtarit të barabartë me shtetet evropiane në kuadër të KSBE-së. Në fakt, kjo nënkupton bumerangun e parë ndaj Bashkimit Sovjetik nga Shtetet Perëndimore, ngaqë plani paraprak i Bashkimi Sovjetik ishte që ShBA-ja të ketë vetëm një status të observatorit.

Deklarata e Helsinkit që, përveç Shqipërisë, u nënshkrua nga të gjitha shtetet evropiane, ShBA-ja dhe Kanadaja, nuk ishte juridikisht e detyrueshme, por duke e marrë parasysh se pas shumë peripecive ishte një rezultat i suksesshëm i një konsensusi, kryesisht mes dy superfuqive të kohës (ShBA-së dhe Bashkimit Sovjetik), konsiderohej politikisht dhe moralisht e detyrueshme. Në mesin e 10 parimeve të Deklaratës së Helsinkit u përfshi edhe parimi për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, veçanërisht ndikoi për inkurajimin dhe angazhimin e veprimtarisë vullnetare ndërkombëtare për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, në veçanti nëpërmes etablimit të “Grupeve të Helsinkit” të mirënjohur më pastaj ndërkombëtarisht si Komitetet e Helsinkit, në kuadër të ashtuquajturit Procesit Civil të Helsinkit, i cilësuar edhe si “Lëvizja e Helsinkit”. Në këtë mënyrë, në kuadër të Procesit të Helsinkit, rezultoi një bumerang i dytë ndaj Bashkimit Sovjetik dhe shteteve të tjera totalitare dhe autoritare, ngaqë grupi i parë i Helsinkit, i njohur edhe si Moscow Helsinki Watch Group, u themelua në Moskë, në banesën e Andrej Sakharov, në vitin 1976, me qëllimin që ta monitorojë respektimin dhe implementimin e parimit të Deklaratës së Helsinkit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut. Për këtë qëllim në Poloni u formua Komiteti për Mbrojtjen e Punëtorëve (KOR) në vitin 1976, dhe në vitin 1977 Lëvizja për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe të Drejtave Qytetare (ROPCiO). Ky Komitet dhe kjo Lëvizje në Poloni gradualisht rezultuan në aleancën në mes të punëtorëve, intelektualëve dhe kishës dhe themeluan Solidarnostin në vitin 1980, dhe Komitetin Polak të Helsinkit në vitin 1982. Gjithashtu në vitin 1977 u themelua Charta 77 në Çekosllovaki, në krye me Vaclav Havelin etj., të cilët kishin krijuar kontakte me strukturat e KSBE-së. Autoritetet shtetërore sovjetike, çekosllovake dhe polake, iu përgjigjen me represion aktivistëve për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut. Në veçanti autoritetet shtetërore sovjetike iu përgjigjen me represion të ashpër pjesëtarëve të Grupit të Helsinkit në Moskë, me arrestime, burgosje dhe internime të brendshme. Kjo shkaktoi indinjatë të thellë te shtetet anëtare të KSBE-së. Kjo indinjatë rezultoi edhe me themelimin e grupeve të Helsinkit në shtetet perëndimore, që si qëllim parësor kishin mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut në shtetet lindore. Në Norvegji u themelua shumë herët Grupi i Helsinkit, i njohur si Komiteti Norvegjez i Helsinkit, përkatësisht në vitin 1977. Ndërsa në vitin 1978 u formalizua themelimi i Grupit të Helsinkit në ShBA, i njohur si Helsinki Watch Amerikan, dhe nga viti 1988 i njohur si Human Rights Watch.

Çështja e drejtave dhe lirive të njeriut ka dominuar vazhdimisht në diskursin në mes të shteteve anëtare të KSBE-së gjatë Procesit të Helsinkit. Shtetet perëndimore i kritikonin vazhdimisht shtetet e Lindjes për shkelje të të drejtave politike dhe civile, ndërsa shtetet e Lindjes e refuzonin kritikën e shteteve perëndimore duke iu referuar njërit ndër parimet e Deklaratës së Helsinkit për mosndërhyrje në punët e brendshme të shteteve, dhe njëkohësisht i kritikonin perëndimorët për shkelje të të drejtave ekonomike dhe sociale në shtetet e tyre. Në këtë kuptim, grupet e Helsinkit, nëpërmes Procesit të Helsinkit, që ishte njëkohësisht proces ndërshtetëror dhe proces civil, kanë pasur rol vendimtar për bashkimin e shteteve perëndimore nëpërmes një diskursi të përbashkët për të drejtat dhe liritë e njeriut, kundër Bashkimit Sovjetik dhe në tërësi kundër regjimeve të Evropës Lindore dhe më gjerë. Shtetet perëndimore në mënyrë unike gjithnjë e më shumë e rritnin presionin ndaj Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të Lindjes, në kuptimin se të Drejtat dhe Liritë e Njeriut nuk mund të cilësoheshin vetëm si çështje e brendshme e shteteve, siç i konvenonte Bashkimit Sovjetik dhe shteteve të tjera totalitare dhe autoritare. Në këtë vazhdë, Komitetet e Helsinkit në shtetet perëndimore, në kuadër të Procesit Civil të Helsinkit, e themeluan Federatën Ndërkombëtare të Helsinkit në vitin 1982, me qëllimin, përveç qëllimeve të tjera, të forcohet dhe bashkërendohet edhe më shumë veprimtaria ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut, dhe të inkurajohen forcat opozitare në Lindje. Gjithashtu, politika reformiste e Mikhail Gorbatsjovit ka qenë vendimtare që sistemet totalitare dhe autoritare të fillojnë të hapen ndaj parimit të Deklaratës së Helsinkit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut.

Rrjedhimisht, etablimi i KSBE-së, si një arenë e konferencave ndërkombëtare, të bazuara në Deklaratën e Helsinkit, përkundër edhe mospajtimeve në mes të shteteve anëtare të KSBE-së, kontribuoi për relaksimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve në mes të Lindjes dhe Perëndimit, dhe veçanërisht shënoi fillimin e një faze shumë të rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare, e njohur si Procesi i Helsinkit, në kuptimin e ndërtimit të një Evrope të re dhe të një rendi të ri botëror. KSBE-ja, pasi që shërbeu rreth 20 vjet si arenë konferencash, u institucionalizua në vitin 1995 në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE. Veprimtaria për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në vazhdën e Procesit të Helsinkit, dhe shembja e murit të Berlinit, e kanë pasur ndikimin e vet shumë të rëndësishëm për ndërkombëtarizimin dhe legjitimimin e intervenimeve humanitare në Somali, Ruandë, ish-Jugosllavi dhe në vende të tjera.

Ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës

Pas Luftës së Dytë Botërore Lëvizja Kombëtare Shqiptare për Çlirimin e Kosovës me vise kryesisht karakterizohet nga tri rryma politike: revolucionarët, institucionalistët dhe akademikët. Revolucionarët identifikohen me veprimtarinë e grupeve klandestine revolucionare të inkurajuara nga Adem Demaçi, Metush Krasniqi, Ahmet Haxhiu, Mehmetriza Murtezani, Regjep Gali Balidemaj, Rafi Halili etj., që më vonë, në vitin 1982, rezultuan me themelimin e LPK-së, në krye me Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën, Bardhosh Gervallën etj. Institucionalistët identifikohen me udhëheqjen institucionale politike të Kosovës, në krye me Fadil Hoxhën, Veli Devën, Xhavit Nimanin, Rezak Shalën, Iljaz Kurteshin, Mahmut Bakallin, Azem Vllasin, Kaqusha Jasharin etj. Akademikët identifikohen me veprimtarinë akademike shkencore – kulturore, në krye me Fehmi Aganin, Idriz Ajetin, Rexhep Qosjen, Ali Hadrin, Dervish Rozhajen, Gazmend Zajmin, Ejup Statovcin, Anton Çetën, Ibrahim Rugovën, Zekerija Canën etj. Pas shembjes së murit të Berlinit, pjesa më e madhe e kësaj elite akademike të Kosovës e themeluan LDK-në, në krye me Ibrahim Rugovën. Këto tri rryma politike, pavarësisht prej divergjencave në mes tyre, në një mënyrë komplementare e kanë dhënë kontributin e tyre (më shumë dhe më pak, dhe në mënyra të ndryshme) në kuadër të përpjekjeve për çlirimin e Kosovës. Por asnjëra prej këtyre rrymave politike nuk arriti gjatë viteve ’70-’80 (para shembjes së murit të Berlinit) të determinojë figura sikurse Haveli, Valenca, Sakharov etj., në kuptimin e një ndërkombëtarizimi më të fuqishëm dhe më të duhur të çështjes së Kosovës, në kuadër të diskursit të shteteve perëndimore dhe të Procesit Civil të Helsinkit. Në fakt, përgjegjësinë dhe mundësinë më të madhe për të marrë këtë detyrë gjatë viteve ’70-’80 (si inspirim nga shembulli i Havelit etj.), e ka pasur elita akademike e Kosovës. Por përkundrazi, pjesëtarët e kësaj elite akademike të Kosovës (kush më shumë e kush më pak) deri me shembjen e murit të Berlinit, flirtonin herë me titizmin e nganjëherë edhe me enverizmin, (madje disa prej tyre edhe duke shkruar elozhe për Titon dhe Enverin, dhe madje duke i krahasuar me Leninin). Gjithashtu, kjo elitë akademike e Kosovës nuk karakterizohet (gjatë viteve ’70-’80) as nga përpjekjet e veçanta për transformimin e Krahinës së Kosovës në Republikën e Kosovës (përveç Ukshin Hotit dhe ndonjë shembulli tjetër të izoluar). Megjithëkëtë, elita akademike e Kosovës në përgjithësi, gjatë viteve ’70-’80 ka dhënë, përveç të tjerash, një kontribut të rëndësishëm në kuadër të veprimtarisë akademike shkencore-kulturore, dhe ngritjes së sistemit të lartë arsimor në Kosovë, duke përfshirë edhe kontributin e pedagogëve nga Shqipëria, që vinin gjatë viteve ’70 për të ligjëruar në Universitetin e Prishtinës. Për dallim të akademikëve, institucionalistët e kanë pasur përgjegjësinë dhe mundësinë më të vogël për marrjen mbi supe të detyrës për një ndërkombëtarizim më të hershëm të çështjes së Kosovës në kuadër të diskursit të shteteve perëndimore dhe të Procesit Civil të Helsinkit. Në ato rrethana që gjendeshin dhe vepronin si establishment realpolitik i Kosovës (përkatësisht në atë situatë politike që kishte mbetur Kosova pas Luftës së Dytë Botërore), si alternativ të vetme e kishin përdorimin e titizmit si mjet në përpjekjet e tyre për të forcuar deri në një masë institucionet politike të Kosovës dhe për t’i amortizuar goditjet/qëllimet neofashiste të Serbisë karshi Kosovës. Në këtë kuptim, institucionalistët e kishin titizmin më shumë mjet politik sesa ideologji (përveç ndonjë shembulli/shembujve të izoluar). E për dallim të akademikëve dhe institucionalistëve, revolucionarët (të cilët që nga viti 1982, kryesisht identifikohen me LPK-në), e kanë pasur përgjegjësinë dhe mundësinë edhe më të vogël për marrjen e kësaj detyre. Si idealistë që ishin, në kuadër të përpjekjeve për çlirimin e Kosovës dhe Bashkim Kombëtar, ishin luajalë ndaj vendit amë (Shqipërisë Londineze) pavarësisht prej sistemit politik, sepse pa ndihmën, në radhë të parë të Shqipërisë Londineze (pavarësisht prej sistemit politik), ishte i paparamendueshëm çlirimi dhe realizimi i Republikës së Kosovës drejt Bashkimit Kombëtar. Pra në rrethanat që ata vepronin dhe si idealistë që ishin, nuk kishin alternativë tjetër, dhe në këtë kuptim enverizmin e kishin më shumë mjet politik sesa ideologji (përveç ndonjë shembulli/shembujve të izoluar). Këtë e vërteton edhe fakti se pas shembjes së murit të Berlinit, LPK jo vetëm se u distancua nga enverizmi, por e hoqi/shfuqizoi edhe pararojën – marksiste leniniste si organ udhëheqës i LPK-së, ndërsa përpjekjet për çlirimin e Kosovës i vazhdoi. Madje ka pasur zëra edhe më herët, në kuadër të LPK-së (para shembjes së murit të Berlinit), për heqjen/shfuqizimin e pararojës marksiste leniniste. Në këtë vazhdë ndikim të veçantë ka pasur mendimi kritik i Adem Demaçit ndaj Enver Hoxhës, pas daljes së tij nga burgu, përkatësisht pas vizitës së parë që i bëri Shqipërisë.

Megjithëkëtë, kjo nuk nënkupton se në kuadër të veprimtarisë së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për çlirimin e Kosovës me vise (pas Luftës së Dytë Botërore), nuk ka pasur asnjë lloj veprimtarie për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, para shembjes së murit të Berlinit. Në fakt, demonstratat e vitit 1981, themelimi i LPK-së (1982), veçanërisht roli i degës së LPK-së jashtë vendit në kuadër të emigracionit politik shqiptar, dhe në përgjithësi roli i veprimtarisë së emigracionit politik shqiptar për Kosovën në vitet ’70-’80, kanë ndikuar (si pikënisje) edhe për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Dhe në këtë vazhdë ndërkombëtarizimi i hovshëm i çështjes së Kosovës në vitin 1990 ka qenë kryesisht rezultat i efekteve të shembjes së murit të Berlinit dhe i kontributit të emigracionit politik shqiptar që paraprakisht kishte arritur të krijojë miqësi dhe bashkëpunim me disa personalitete me ndikim në Evropë dhe ShBA, për të lobuar për çështjen e Kosovës. Duhet të kihet parasysh se politizimi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore i ka pasur pasojat e veta edhe në emigracion sepse deri në vitet ’70 elita e emigracionit politik shqiptar ka qenë kryesisht e shqetësuar me ndonjë përjashtim (Hysen Tërpeza, Tahir Kerrnaja, Sami Repishti, Ihsan Toptani etj.), vetëm me veprimtarinë kundër regjimit diktatorial të Enver Hoxhës dhe jo me ndonjë veprimtari konkrete për ndërkombëtarizimin dhe çlirimin e Kosovës me vise. Prandaj, veprimtaria e emigracionit politik shqiptar në vitet ’70-’80 shënon një nismë të rëndësishme për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.

Rrjedhimisht, detyrohem të bëj një digresion në lidhje me një debat televiziv të datës 20.01.2022, në emisionin PRESSING të Leonard Kërqukit. Me gjithë konsideratën për debatuesit, është për keqardhje kur dy nga këta debatues (Dukagjin Gorani dhe Blerim Latifi), konstatuan me një gjykim bardh e zi, se “emigracioni kosovar nuk ka qenë properëndimor”, duke aluduar në LPK-në, si antiperëndimore (shih këtë emision nga minuta 30 e 45 sekonda deri në minutën 31 e 30 sekonda).[21] Madje edhe pas një reagimi/ndërhyrjes me vend të bashkëdebatuesit, Shkelzen Gashit, i cili filloi të argumentojë për rolin e organizatave të caktuara (lobit shqiptaro-amerikan) në kuadër të emigracionit politik shqiptar, në lidhje me ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Megjithëkëtë, Dukagjin Gorani në njëfarë forme e ndërkomunikoi këtë reagim-argumentues, duke insistuar në argumentimin e vet. Dhe disi më befasoi ngaqë, përveç të tjerash, ka njohuri edhe për veprimtarin lobiste të LPK-së nëpërmes Grupit të Ballkanit në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit, sepse kur Sindikatat e Pavarura të Kosovës kishin marrë një lloj forme të Solidarnostit polak dhe prinin në kundërshtimin e regjimit serb, vetë Dukagjin Gorani ka vizituar disa qendra evropiane, duke përfshirë Oslon si pjesë e këtij lobizmi të koordinuar nga Ibrahim Kelmendi (dhe ka qëndruar për disa ditë te një udhëheqës i LPK-së në Oslo) dhe, në fakt, janë arritur disa rezultate për ndërkombëtarizimin e kësaj çështje; takime me sindikatat norvegjeze etj., edhe në kuptimin se njeriu i dytë i Solidarnostit polak, Bogdan Karunda, ka folur në një konferencë në Oslo për shtypjen e klasës punëtore në Kosovë. [22] Për më tepër, është fakt i ditur se (pas demonstratave të vitit 1981), dega e LPK-së jashtë vendit (në kuadër të emigracionit politik shqiptar), përveçse e ka ndihmuar në vazhdimësi organizimin dhe riorganizimin (pas goditjeve) të degës së LPK-së brenda vendit, e ka pasur një rol të rëndësishëm (si pikënisje) për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës sepse në vazhdimësi organizoi demonstrata, peticione dhe protesta në qendrat e shteteve perëndimore, duke apeluar për ndaljen e shtypjes dhe diskriminimit të shqiptarëve në Jugosllavi, duke insistuar për kërkesën “Kosova Republikë” (si një kërkesë e drejtë për barazinë në mes të popujve në kuadër të federatës jugosllave) dhe duke e ushtruar njëkohësisht veprimtarinë lobiste dhe të diplomacisë joformale. Jo vetëm nëpërmes Grupit për Ballkanin të Komitetit Norvegjez të Helsinkit në kuadër të Procesit Civil të Helsinkit etj., si sektor lobist dhe i diplomacisë joformale i LPK-së, por edhe nëpërmes Komitetit të Kosovës për Informimin e Opinionit Botëror në Zvicër, që rezultoi nga strukturat e LPK-së dhe merrej me veprimtari të ngjashme, në krye me Xhafer Shatrin etj. Duke e përfshirë Klubin Kombëtar Jusuf Gërvalla me seli në Nju-Jork, në krye me Shpend Haxhaj – Hotin etj., gjithashtu edhe nëpërmes disa strukturave të tjera lobiste dhe të diplomacisë joformale të ish-emigracionit politik shqiptar: Organizata Rinia Shqiptare-Kosovare në Botën e Lirë në Nju-Jork (1970), në krye me Tahir Kerrnajen etj. Komiteti i Kosovës për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Belgjikë (1983), në krye me Enver Hadrin etj. Shoqata “Migjeni” në Slloveni (1989), në krye me Sali Kabashin etj. Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane (1989) në krye me Joseph Dioguardin etj. Kjo veprimtari lobiste dhe e diplomacisë joformale e emigracionit politik shqiptar ndikoi, përveç të tjerash, për një sensibilizim më të madh të çështjes së Kosovës në kuadër të kancelarive diplomatike të shteteve perëndimore dhe në kuadër të Procesit të Helsinkit. Në këtë vazhdë, (pas shembjes së murit të Berlinit), këto struktura lobiste dhe të diplomacisë joformale e kanë dhanë një kontribut të veçantë për organizimin e vizitave të para dhe historike (si dhe për promovimin) në shtetet perëndimore të udhëheqësit karizmatik të lëvizjes paqësore të Kosovës, Ibrahim Rugovës, duke rezultuar në një shtim të lidhjeve diplomatike të Kosovës me shtetet perëndimore. Sidomos organizimi nga Grupi për Ballkanin i Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GBKNH), i vizitës së parë zyrtare të Ibrahim Rugovës në Perëndim në shkurt 1990, përkatësisht në Oslo dhe me nisje nga Oslo. Dhe në këtë vazhdë, në veçanti organizimi nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQShA) i vizitës së parë zyrtare të Ibrahim Rugovës në ShBA, përkatësisht në Kongresin Amerikan në prill 1990. Organizimi dhe realizimi i suksesshëm i këtyre dy vizitave të para zyrtare dhe historike i hapën rrugën e vizitave të tjera gjithandej në shtetet perëndimore udhëheqësit karizmatik të lëvizjes paqësore të Kosovës, Ibrahim Rugovës, dhe kjo njëkohësisht ndikoi në ngritjen edhe më të madhe të popullaritetit të tij (dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës në përgjithësi), si në Kosovë ashtu edhe në diasporën shqiptare. Në kuadër të këtyre zhvillimeve, të shtimit të lidhjeve diplomatike të Kosovës me shtetet perëndimore, rol të rëndësishëm nga Kosova (përveç Ibrahim Rugovës) kanë pasur Gazmend Pula, Veton Surroi, Shkelzen Maliqi, të cilët e themeluan edhe Komitetin Kosovar të Helsinkit në Prishtinë, në prill 1990, nën udhëheqjen e Gazmend Pulës (kryetar), Ekrem Beqirit (nënkryetar), Agni Dikës (sekretar) dhe anëtarëve: Shkëlzen Maliqi, Veton Surroi, Arbër Xhaferi, Drita Mekuli, Muhamedin Kullashi etj. Gjithashtu edhe disa intelektualë dhe akademikë të tjerë eminentë të Kosovës.

Kështu tutje, veprimtaria e emigracionit politik shqiptar u forcua edhe me shumë, ngaqë u themeluan edhe degët e LDK-së në shtetet perëndimore që koordinoheshin nga një qendër në Gjermani në krye me Hafiz Gagicën etj. Gjithashtu, Qeveria e Kosovës në Egzil, e themeluar më 19 tetor 1991, fillimisht e vendosur në Lubjanë të Sllovenisë, u vendos dhe veproi nga viti 1992 në Bon të Gjermanisë, në krye me Bujar Bukoshin. Ndërsa në fundvitet ’90, përkatësisht në vitet 1998 -1999, evoluoi fuqishëm veprimtaria lobiste dhe e diplomacisë joformale e LPK-së (në kuadër të emigracionit politik shqiptar), duke rezultuar me përfaqësuesit politiko-diplomatikë të UÇK-së në diasporë, të emëruar nga Drejtoria Politike e UÇK-së, kryesia e LPK-së në krye me kryetarin Bedri Islami, dhe nga përfaqësuesi i përgjithshëm politik i UÇK-së, Adem Demaçi, përveç të tjerëve: Bardhyl Mahmuti, Sabri Kiçmari, Jashar Salihu, Ramadan Avdiu, Agush Buja, Bilall Sherifi, Rexhë Ibërdemaj, Xhevat Bislimi, Nufri Lekaj, Dino Asanaj, Mujë Rugova, Pleurat Sejdiu etj. Gjithashtu, edhe një pjesë e intelektualëve në diasporë në krye me Ismail Kadarenë, Muhamedin Kullashin, Daut Dautin, Shenasi Ramën, Ilir Zherkën etj., e kanë dhënë kontributin e tyre gjatë viteve 1998 -1999, në mbështetje për faktorizimin politiko-diplomatik të UÇK së, e veçanërisht diplomacia formale e Shqipërisë Londineze etj. Paraprakisht, më 09 dhjetor 1997 (rreth një javë pas daljes publike në skenë të UÇK-së në Kosovë më 28 nëntor 1997), përfaqësuesi i LPK-së në Oslo (me pëlqim të sektorit të veçantë të UÇK-së), bëri një deklaratë publike për radiotelevizionin shtetëror norvegjez në përkrahje të UÇK-së, me qëllimin për ta imponuar mendimin në kuadër të diskursit mediatik ndërkombëtar se UÇK-ja ekziston dhe se nuk ka kthim mbrapa, dhe gjithashtu për t’i inkurajuar bashkëkombësit shqiptarë në diasporë për rëndësinë e përkrahjes së UÇK-së. Kjo deklaratë e parë në diasporë dhënë një medie shtetërore të huaj, në mbështetje të UÇK-së, u emitua në mediet skandinave dhe më gjerë në Evropë, po ashtu edhe në mediet serbe. [23]

Përfundim

Gjatë viteve ’80 (përkatësisht gjatë një periudhe historike kur Kosova kishte më së shumti nevojë që zërat e ekspertëve “të huaj dhe të pavarur” t’i informojnë, dhe veçanërisht të bindin kancelaritë politiko-diplomatike të shteteve perëndimore, për shkeljen e të drejtave të njeriut), emigracioni politik shqiptar në Evropë dhe në Amerikë, arriti të ofrojë, të inkurajojë dhe të mbështesë personalitete si Berit Backer, Kristoffer Gjøtterud, Joseph Dioguardi, Bob Dole, Tom Lantos, Eliot Engjel etj., të cilët i mirorientuan LPK-në dhe LDK-në drejt strategjive edhe më efektive për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Më pastaj këto strategji u plotësuan edhe me legjitimimin ndërkombëtar të UÇK-së, si luftë legjitime dhe e drejtë, që arriti çështjen e Kosovës (që kishte mbetur çështje e pazgjidhur prej vitit 1912) ta imponojë për zgjidhje në kuadër të agjendës ndërkombëtare, dhe me sakrificën e heronjve, dëshmorëve dhe viktimave të luftës, shërbeu si katalizatori kryesor për çlirimin e Kosovës. Duke e përfshirë mbështetjen e shtetit shqiptar (Shqipërisë Londineze) dhe rolin vendimtar të intervenimit ushtarak ajror të NATO-s, në krye me ShBA-në dhe Britaninë e Madhe (përfshirë të gjitha shtetet anëtare të NATO-s), të cilëve shqiptarët u janë përjetësisht mirënjohës./ylliria press

 

Ref:

[1] Intervistë e Shkelzen Maliqit e publikuar më 18.01.2022 në emisionin “Fakte” të Adnan  Merovcit, në lidhje me temën “Kosova në dekadën para çlirimit (1988-1989)”. Pjesa për rolin e Berit Backerit nga minuta 17 e 30 sekonda deri në minutën 20 e 30 sekonda.

Please follow and like us: