Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: Kurrë nuk është vonë…

Përurimi i ekspozitës së përhershme informuese mbi kampin e internimit në Tepelenë. Liderët shqiptarë të këtyre tre dekadave të fundit – për krimet e diktaturës komuniste,- ndryshe flasin në Shqipëri dhe ndryshe kur janë jashtë Shqipërisë.

Njoftohet se Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) dhe Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), në bashkËpunim me Bashkinë Tepelenë, në mbyllje të projektit midis këtyre dy enteve (ICMP dhe AIDSSH), “Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzicionale dhe të pajtimit: të zhdukurit në komunizëm”, është përuruar ditën e hënë më 14 shkurt, 2022, ekspozita e përhershme informuese mbi kampin e internimit në Tepelenë, pikërisht, në mjediset e këtij ish-kampi famëkeq. Frank SHKRELI: Mbi kampin e përqendrimit dhe të punës së detyruar në Tepelenë | Gazeta Telegraf.

Siç kemi parë shpeshherë gjatë këtyre 30-viteve “post-komunizëm” në Shqipëri, kur është fjala për financimin e projekteve të tilla kushtuar viktimave të komunizmit në Shqipëri. As ky projekt nuk është financuar nga qeveria shqiptare, por nga Bashkimi Evropian (BE) dhe nga Ambasada Zvicerane, sipas faqes fejsbuk të AIDSSH.  Gjithnjë sipas njoftimit në faqen e AIDSSH, ekspozita e jashtme e përhershme informuese është përgatitur me materiale të hulumtuara nga Instituti i Historisë dhe nga të dhënat arkivore mbi të internuarit në kampin me tela me gjemba të Tepelenës. Po ashtu, janë përfshirë skicat e çmuara, që paraqesin në trajtë fotografike jetën në kamp, të realizuara me mjeshtëri nga Lek Pervizi, i internuar në Tepelenë. Frank Shkreli: Piktori i Kampeve të vdekjes të regjimit të Enver Hoxhës  Gazeta Telegraf.

Është interesant fakti se, më në fund, shohim një interesim pak më të madh se në të kaluarën nga diplomatët ndërkombëtarë, për të kaluarën komuniste dhe për krimet e regjimit diktatorial të Enver Hoxhës në Shqipëri, megjithëse kanë kaluar 30-vjet nga shembja e Murit të Berlinit. Shqipëria është tepër vonë, në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste të Evropës Lindore e Qendrore, me përballimin e saj serioz dhe zyrtar me të kaluarën e saj komuniste. Të vonuar janë edhe diplomatët e demokracive perëndimore, të cilët, me ndonjë përjashtim, aty këtu, siç është rasti i ambasadës së Gjermanisë në Tiranë, që gjatë viteve u ka kushtuar vemëndje të posaçme viktimave të komunizmit në Shqipëri, të tjerët nuk i kanë kushtuar ndonjë kujdes të dukshëm as nuk kanë treguar ndonjë interesim serioz ndaj krimeve të komunizmit dhe përballimit të Shqipërisë me të kaluarën kriminale të regjimit të Enver Hoxhës.

Por, thuhet se kurrë nuk është vonë. Më mirë vonë se kurrë,- thotë populli. Vura re se në përurimin e bërë në ish-kampin e Tepelenës të hënën që kaloi, në ceremoni morën pjesë edhe dy diplomatë perëndimorë me rëndësi,Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë znj. Yuri Kim dhe Drejtori i Seksionit Politik në BE, z. Alexis Hupin. Pjesëmarrja e përfaqësuesve të lartë diplomatikë në raste të tilla, ku kujtohen dhe nderohen viktimat e komunizmit të regjimit enverist në Shqipëri, është i mirëpritur. Unë, në atë mënyrën time, u kam bërë thirrje, për një kohë të gjatë, diplomatëve perëndimorë në Tiranë që të takohen me përfaqësues të përndjekurve politikë dhe të vizitojnë kampet e internimit, burgjet dhe kampet e punës të kundërshtarëve politikë të regjimit të Enver Hoxhës.

Para se të jetë vonë, pasi ato po zhduken një nga një nga faqja e dheut, qëllimisht, nga kjo klasë politike e cila, sot e kësaj dite, glorifikon ose mban një qëndrim indiferent ndaj komunizmit enverist, ndërsa për 30-vite tranzicion, ka refuzuar dhe refuzon të përballet me të kaluarën kriminale të regjimit kriminal të Enver Hoxhës. Liderët shqiptarë të këtyre tre dekadave të fundit – për krimet e diktaturës komuniste,- ndryshe flasin në Shqipëri dhe ndryshe kur janë jashtë Shqipërisë. Në një fjalim dje në pritjen e organizuar me rastin e fillimit të mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku ishin të pranishëm diplomatë amerikanë dhe zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, si dhe të ftuar të posaçëm, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama iu referua regjimit komunist në vendin  e tij, duke thënë se “vetëm” tre dekada më parë, “Shqipëria ishte një bunker në terr, e cila pothuajse për një gjysëm shekulli, ajo u zvarrit në një nga regjimet komuniste më shtypëse në Evropë, që e bëri vendin tonë, më duhet të them, Korea Veriore e Evropës”.  Fjalë shumë me vend, por Kryeministri Rama kur është në Shqipëri dhe në Kuvendin e Shqipërisë flet krejt ndryshe për të kaluarën komuniste në atë vend. Të gjithë e mbajmë mend fjalimin e tij në parlamentin shqiptar, kur është shprehur në mbrojtje të regjimit komunist, duke thënë se, “komunizmi ka qenë në anën e duhur të historisë”. Pra, Kreu i qeverisë shqiptare, ndryshe ka folur dhe ndryshe flet për të kaluarën komuniste dhe për krimet e regjimit të Enver Hoxhës kur u flet shqiptarëve dhe kur flet para botës, siç ishte rasti dje në Nju Jork, bazuar pra, në audiencën që ka përpara. Fjalimi i tij më kujtoi një deklaratë të një zyrtari amerikan vite më pare, i cili u shpreh se liderët politikë shqiptarë kur janë, sidomos, jashtë vendit, dhe flasin sikur janë “demokratë të llojit xhefersonian”, por në vendin e tyre sillen si enveristë.

Please follow and like us: