Mbretëresha Elizabeth uron Kosovën për Ditën e Pavarësisë
Mbretëresha e Britanisë së Madhe, Elizabeth, i ka dërguar telegram urimi presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për Ditën e Pavarësisë.
“Me rastin e festës së rëndësishme të ditës suaj të pavarësisë, dua ta përgëzoj Shkëlqesinë Tuaj dhe t’ia dërgoj urimet e mia popullit të Kosovës. Ndërsa i kapërcejmë sfidat globale shëndetësore së bashku, me vendosmëri dhe këmbëngulje, uroj që të kemi periudha më të mira në të ardhmen”, thuhet në telegramin e Mbretëreshës Elizabeth. Ndërkaq Presidentja Osmani ka falenderuar Mbretëreshën Elizabeth dhe ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar është aleat strategjik i Kosovës dhe e ka mbështetur vendin tonë jo vetëm në procesin e arritjes së lirisë, por edhe në procesin e shtetndërtimit. Para dy ditësh, edhe Presidenti i SHBA, Joe Biden ka uruar Presidenten Osmani, duke nënvizuar se dialogu Prishtinë- Beograd duhet të përfundojë me njohjen reciproke.