Odise Kote: THEMISTOKLIU
Tregim
Karvani me kuajt e lodhur mbërriti majë qafës së strallit të kuq aty nga mesdita, kur dielli rrëshkiste pjerrtazi mbi kurrizet e turistëve danezë. Ata ndiheshin të raskapitur, pa gjallërinë e zakonshme të humorit, me barkun petë nga uria. Udhëtimi me kuajt e Qendrës ‘Caravan Horse Riding Albania’ përgjatë rrugës mitike të Lordit Bajron, zgjati më shumë se parashikimi, madje tri orë të mira tepër. Udhës nuk hasën burime dhe dielli përvëlak i asaj dite, që digjte si i ndërkyrer, ua thau e plasi buzët. Ishin nisur herët, pa gdhirë dita, në ag, kur rruazat e vesës së freskët lëbyrnin e shndrinin si pasqyra durimi, dhe ngatërrimi e kokolepsja kot së koti nëpër ca udhë të shkreta rrëpirash e trungje të thara dimri, ua kishte këputur durimin copa – copa si me sopatë. Shikimet e tyre shkrepëtinin. Guidari shoqërues iu shpjegoi me durim, që pas kalimit të shtegut të ngushtë atje sipër, shteg sa një pëllëmbë e plotë çobani, ngjitur strallit të kuq të qafës, udha më tej do priste shkurt. Ajo të shpinte drejt e në katundin e vetëm, e më të afërt, Diellpranë. Krahu tjetër gremisej thikë mbi një humnerë, si nja pesëqind kēmbë të thellë. Kafshët dhe njerëzit i trembeshin keq atij shtegu. Shteg i lig, e quanin vendësit. Shteg për dhi. Sa jetē njeriu kishte qeshur ai shteg!
Diellprana, katundi i anës tjetër, gjendej pas malit, në faqen ku bimësi e pemë sa të ngopej syri, turreshin e kacavireshin shkëmbinjve si marruke. Ato sikur bënin garë të ngjiteshin sa më lart, deri aty, afër qiellit a zotave. Shpjegimi i guidarit i dha shpejt shenjat e lehtësimit tek turistët, ndërkohë që në shteg, si për dreq, befas u shfaq Themistokliu me mushkën e tij. Përanash mushkës vareshin të lidhura me litarë dy kofina të mbushura plot, gjerësia e të cilës bllokonte gjithë shtegun. Dy herë në javë Themistokliu zbriste në qytet prej Diellpranës. Shiste frutat e malit dhe blinte ushqime e ilaçe. Në atë shteg shkëmbor të stërgjatë si bisht korkodili, të thiktë e të frikshëm, kalonte vetëm ai dhe askush tjetër.
Obo bo… eh… ç’është ky fat i zi! – psherëtiu guidari shoqërues. – Tani, kupa u mbush! Do të na duhet të presim edhe një orë e ca, deri sa të zbresë mushka e tij. Prit kur të tremben kuajt e të marin rrevan nga frika! O zot!
Për çudi, Themistokliu, plaku i vjetër nga Diellprana ndaloi. Nuk e ngau udhën. E shtyu mushkën anash dhe bëri vend. Uli përdhe kofinat dhe i thirri guidarit: Eja. Shkoni!
Urdhëroi më shumë me sy se sa me zë. Zëri i tij ngjau si një fërshëllimë. Fërshëllimë gjethesh.
Ku të shkojmë – ia priti gjithë turi guidari. Nuk e sheh që s’na nxë vendi! Dhe ti na duheshe tani…!
Themistokliu nuk e qasi pranë zemërimin e guidarit. Shtyu anash kofinat me kajsi, iu bëri shenjë turistëve të afrohen dhe nisi t’u japë frutat e pjekura me trasta e qese. Zbrazi shpejt e shpejt dy kofinat, i kaloi mbi shkëmbin e madh dhe liroi shtegun. Turistët kaluan më këmbë nê shtegun e liruar. Ngadalë, pa fjalë, duke e fshehur thellē lëkurës verdhacuke të fytyrave, panikun e të dridhurat. Pas tyre, të raskapitur nga lodhja e vapa, një e nga një kaluan kuajt. Guidari nuk dinte ç’të thoshte për bujarinë e Themistokliut. Kur kaloi kali i fundit i karvanit, nuk duroi dhe e pyeti: Si i ndave ashtu kajsitë?
Themistokliu, ai plak i thinjur i Diellpranës, i dha mësimin e jetës: Kur i jep tjetrit, mban më pak peshë! Të jetosh tani, do thotë të krijosh kujtimet e sē ardhmes.
Kaq tha Themistokliu, ai plak i malit.
Guidari tundi kokën çuditshëm dhe nxitoi të kapë karvanin e kuajve.
Kush ishte ai plak – pyeti Stivenseni, “grindaveci” i pandreqshëm i grupit – ç’kuptim kishte gjesti i tij?
Ah ai çmendurak… – ngriti supet gjithë krenari guidari. Ai është profeti i Diellpranës. Dëshiron ta dish përse ju gostiti falas?
Ah po, po, patjetër – e cyti Stivenseni që s’kishte më në sytë e tij atë çakërdisjen dhe armiqësinë e një ore më parë.
Kur e pyeta plakun, ai më tha: “When you help others, you halve your own burden”.
Hahaha… super, super – shpërtheu si shatërvan uji e qeshura e danezit “grindavec”. Kjo do të jetë logo e javës në kamping. Si mendon?
Do ta shkruajmë sapo të mbërrijmë – ia ktheu guidari shoqërues.
Danezi ua transmetoi menjëherë vendimin miqve të tij, sigurisht me gjestin dhe fjalët e Themistokliut dhe ata brohoritën në kor. Nisën ta këngëzojnë menjëherë logon: Kur i jep tjetrit, mban më pak peshë…!